Ahmet Qeriqi: Vazhdojnë të na vijnë ndihma nga organizatat ndërkombëtare (E enjte 6 gusht, 1998)

Ahmet Qeriqi: Vazhdojnë të na vijnë ndihma nga organizatat ndërkombëtare (E enjte 6 gusht, 1998)

Filloi edhe një ditë tanimë e zakonshme në këto rrethana. Përgjatë bregut të lumit të Krojmirit kudo gjallëri, lëvizje, zhurma fëmijësh, të palluara lopësh, blegërima delesh, të lehura qensh. Shikuar nga largësia e bjeshkës, lugina përngjet me një kamp veror.

Monotoninë dhe rëndomësinë e ditës së sotme e begatoi arritja e tre xhipave të organizatës  Mjekët pa Kufinj. Në mesin e tyre nga larg vërej edhe dy të njohur, mjekun Ilir Kafexholli dhe inxhinierin Agron Dida me të cilin njihem. Ai si duket punon përkthyes apo shofer në këtë organizatë. Kësaj radhe ata kanë sjellë 100 pako ushqimore, 60 batanie, 10 komplete veshjesh për fëmijë, 5 pako biskuita dhe 100 metra najlon për tenda. Ata po ashtu kanë improvizuar një dhomë kontrolli dhe kanë trajtuar shumë të sëmurë duke iu dhënë edhe terapinë dhe barërat përkatëse. Ilir Kafexhlli u befasua kur na pa ne e sidomos Shpendin e Gazmendin, Shpresën  dhe nënën e tyre Meleqen, që është halla e tij. Nuk arriti të përmbahet dhe u shkreh në vaj. Ishte befasuar tejmase dhe nuk po e merrte veten. Agron Dida dukej shumë i shqetësuar mbase nga dhembja.

Kontrolli mjekësor, në përcjellje edhe të mjekut tonë Fitim Selimi i cili ndodhet në Shalë, ku po i mjekon disa ushtarë të sjellë këtu nga Zona e Dukagjinit, në mesin e tyre edhe oficeri i plagosur,  Naim Maloku.

Vetëm një orë pas largimit të tyre mbi Grykë ka fluturuar rrufeshëm dhe mjaft ulët një aeroplan i armikut. Edhe pse nuk ia kam shfaqur askujt dyshimin, kam frikë se serbët me qëllim iu japin leje  këtyre grupeve të mjekëve për të marrë informacione mbi vendndodhjen tonë. Mbi të gjitha më shqetëson fakti se në Grykë kanë ngelur vetëm familjet e luftëtarëve, meqë pjesa tjetër e popullatës është larguar para një jave. Është fare e mundshme të na bombardojnë, nëse vërtet binden se këtu ka vetëm familje të luftëtarëve dhe ushtarë të UÇK-së, të cilët frekuentojnë nëpër Grykë pa ndalim, natën dhe ditën.

Të njëjtat dyshime i shpreh edhe Elez Durmishi. Ai madje është i mendimit që të mos i marrim ndihmat e tyre, nëse ata insistojnë me çdo kusht t` i shpërndajnë vetë. Shihet se ata nuk na besojnë. Ata nuk e dinë se të gjithë ne që jemi në Grykë  i përkasim një familjeje të vetme, një familje e madhe e luftëtarëve të lirisë, e cila po mundohet të mbijetojë fill e vetme, ashtu sikurse kanë mbijetuar shqiptarët liridashës gjatë shekujve.

Këtë shqetësim e kemi diskutuar në një rreth më të gjerë. Shumica e ushtarëve dyshojnë në njerëzit e këtyre organizatave. Për veten time nuk dyshoj as në Ilirin as në Agronin, meqë i njoh, por kush janë të tjerët, sidomos ata që flasin anglisht si dhe përkthyesit e tyre?

Meqë pakot ushqimore janë të mjaftueshme, kemi vendosur që 30 pako t iu dërgojmë banorëve të fshatit Karaçicë dhe Dukë, meqë edhe ata ndodhen të rrethuar dhe në gjendje të rëndë. Ekipi i mjekëve tanë ka filluar të bëjë vizita mjekësore edhe në këto dy fshatra.

Në Shtabin vendor kemi një gjenerator. Në mbrëmje zakonisht e përcjellin ditarin televiziv të RTSH-ë i cili në të shumtën e rasteve na mbush me vrerë. Gjithnjë të njëjtat pamje, të njëjtat incizime të para tre katër muajve, madje incizimet e kameramanëve të huaj. Kjo më nervozon dhe me të drejtë pohoj se nuk kemi gazetarë, nuk kemi sistem të unifikuar të informimit, përderisa grupet e klanet e bëjnë politikën e mediave.

Mungon madje edhe fjalori normal i komunikimit, Varet nga gazetari se si do t`i emërojë luftëtarët e lirisë. Laramania në raportimet e tilla tregon më së miri se jemi njerëz të veseve dhe të fiseve të mjera e të shkreta.

Disa gazetarë na quajnë edhe rebelë, disa luftëtarë të së ashtuquajturës UÇK, disa forcat e rezistencës, apo forcat e mbrojtjes, edhe pse të gjithë e dinë se në luftën çlirimtare po e bëjnë luftëtarët e UÇK-së, e cila ka vetëm një emblemë, një Shtab dhe një qendër komanduese. Të tjerët që rrinë nën hije në Tiranë presin fundin e luftës. Ata po rezervohen për kohë të tjera, pasi të kryhet lufta. A thua a ka turp më të madh, a ka faqe më të zezë të turpit se sa të rrish duarkryq kur atdheu po digjet në flakë, a ka faqe më të zezë të turpit se sa ta mohosh gjakun e derdhur për liri?

Nga ato pak lajme mësojmë se fshatrat e Dukagjinit po digjen flakë. Piromanët serbë nga do ku kalojnë  fillimisht  granatojnë shtëpitë, pastaj i plaçkitin dhe më në fund për t`i humbur gjurmët e hajnisë ua japin zjarrin.

Shqiptarët si kurdoherë të ndarë. Kryengritësit në zjarrin e luftës, pacifistët nëpër qytete duke bërë tregti me Serbinë dhe duke u freskuar në hotelet luksoze të Prishtinës dhe të qyteteve të tjera. Ata tanimë janë mësuar ta presin lirinë në pjatë. Për atë rrugë edhe janë përcaktuar dhe po qëndrojnë të patundur, pa çka se serbi i fyen ndër sy, i dhunon ndër sy, disa nga ata edhe i plaçkitë, i rrah, i poshtëron. Ata janë pajtuar me turpin të cilin e hanë me lugë. Ata nuk duan të investojnë në lirinë e atdheut, ata presin t`i vjelin frytet, duke menduar se ne ose do të vritemi të gjithë ose të të burgosemi nëse nuk ia arrijmë qëllimin. Ata janë turpi, plehu dhe mbeturina më e ndotur e kësaj race të vjetër, por jo edhe aq heroike, sikur na kanë mësuar mësuesit tanë të historisë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Sot qysh në mëngjes kam filluar ta hartoj një rrëfim jetëshkrues për Jetë Hasanin. E …