Ahmet Qeriqi: Vazhdojnë vajtje-ardhjet. Serbët si duket do të na godasin në befasi (E shtunë 22 gusht, 1998)

Situata e përgjithshme në rajonet e përfshira në luftë karakterizohet me avansimin e forcave serbe, në shumë pikë pozicione. Ata kanë djegur dhe po i prishin vendbanimet tona. Në dukje të parë duket sikur janë dehur nga fitorja por kanë frikë nga ushtarët tanë dhe nga sulmet e tyre të befasishme. Mendoj se ata nuk e dinë as përafërsisht numrin e ushtarëve tanë. Bindja e tyre është se jemi dhjetë fish më tepër, apo ndoshta këtë e bëjnë për të arsyetuar para botës nivelin e forcës së përdorur kundër nesh.
Ata po ashtu e dinë se ne tani për tani nuk kemi pasur humbje të shumta të ushtarëve. Me rastin e zënies së Grykës së Caralevës mjetet e tyre të informimit kanë lajmëruar se në Caralevë janë grumbulluar mbi 600  pjesëtarë të UÇK-së, ose terroristë sikur na quajnë, ata që vetë masakrojnë gra e fëmijë.
Këtu në luginë jeta po rrjedhë me brenga e derte por një jetë e durueshme në krahasim me ikjen para barbarëve sikur po shohim në ndonjë storje filmike në zonat e tjera të luftimeve.
Burrat, ata që nuk janë në ushtri, apo në shërbim të saj po bëjnë punë shtëpie. Po i rregullojnë kasollet dhe po zbresin në fshat për punët e tyre. Graria po merret me përgatitjen e ushqimeve, për familjet dhe për grupe ushtarësh që herë-herë detyrohen të qëndrojnë në Grykë derisa t`iu sigurohet rruga për të bërë tutje.
Fëmijët po lozin. Në kamp i kemi të gjitha. Edhe bagëtinë, dhitë, delet, lopët, kuajt e hazdisur të cilët na shqetësojnë gjatë natës sidomos qentë, që janë dhjetëfishuar. Ata po ikin nga krismat dhe po futen këtu në mesin e njerëzve. Përreth  rrugës sa e sa traktorë, rimorkio, ndonjë xhip ushtarak, qerre klasike që tërhiqen me kuaj. Është një botë e tërë ku mbijetojnë tradita dhe bashkëkohorja, Një jetë e çuditshme, por e pranuar si rrugë të vetme tani për tani.
Lajmet që vijnë nga pozicionet serbe bëjnë me dije se forca armike po përgatitet për sulm. Ne i kemi marrë të gjitha masat në përforcimin e hyrjes në Grykë. Kemi një Gulinov dhe disa raketahedhës 150 dhe 500.
Ushtarët kanë moral të fortë meqë shumica syresh i kanë edhe fëmijët dhe familjet në Grykë. Terreni është i përshtatshëm për mbrojtje, edhe pse mbrojtja jonë në krahasim me fuqinë ushtarake të armikut nuk është adekuate, por kemi epërsinë e terrenit, pritat, pyjet e dendura, istikamet dhe bunkerët…
Në orët e pas ditës së bashku me Elezin, i cili tanimë është shëruar, kemi vajtur në Shtab. Naim Ismajli dhe eprorët e tjerë i kanë marrë të gjitha masat për ta përballuar sfidën e re serbe.
Në orën 17.00 kanë ardhur Naim Imeri dhe Vehbi Zeqiri. Ata janë ndër të vetmit që vazhdimisht na vizitojnë dhe na sjellin shtypin bateri për tranzistorë dhe pajisje të tjera.
Epiri dhe Zymrytja kanë shkuar në Shalë te  Muhamet Shamolli, vëllai i bashkëshortes time,
Në mbrëmje kemi depërtuar te shtëpia e vëllezërve Isë, Idriz dhe Ramiz Qeriqi ku kemi qëndruar deri vonë.
Dy ditët e fundit nuk ndihem  i qetë. Kam një presion nervor dhe një frikë e cila më lajmërohet vetëm më raste të veçanta para ndonjë rreziku permanent. Uji fle por jo edhe armiku. Druaj mos po na futen në grykë dhe po ndodh me ne sikurse në Srebrenicë. Nëse serbët kanë shënime, dhe për këtë nuk dyshoj se këtu janë grumbulluar vetëm ato familje që i kanë bijtë e bijat në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ata fare lehtë mund të provojnë për të depërtuar. Në rast të tillë çka duhet të bëjmë e pyes vetveten. Duhet marrë masa që në rast sulmi popullatën ta depërtojmë në grykat e tjera apo në Ngucat, ku janë grumbulluar me mijëra të zhvendosur. Në rast të tillë, ata do të përzihen në atë mes dhe shpëtoi kush shpëtoi….

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Ndodhi dhe lëvizje të përditshmërisë. (E martë 17 nëntor, 1998)

Vazhdon avazi i pritjes. Berati shpreson se së shpejti do ta aktivizojmë agjencinë, ndërsa unë …