Edhe sot në Krojmir dhe përgjithësisht në anën tonë ka mbretëruar një gjendje pritjeje e ankthshme. Lajmet nga kufiri janë shumë kontradiktore.
Burimet serbe të informimit ende nuk e kanë dhënë numrin e plotë të të rënëve dhe të atyre që i kanë zënë rob. Burime të pakonfirmuara bëjnë të ditur se shumë nga ushtarët që kanë rënë në pritë kanë arritur të tërhiqen. Disa të plagosur janë dërguar për shërim në Tiranë. Sipas këtyre burimeve kryesisht nga ata që janë kthyer mund të vërtetojmë se nuk dihet fati i tetë ushtarëve tanë, të cilët duhet të jenë në mesin e të rënëve apo të zënëve.
Rreth orës 13.00 së bashku me Elez Durmishin, Luanin, Berat Luzhën dhe Ilir Dugollin jemi nisur në drejtim të Divjakës për të marrë ndonjë informatë lidhur me ushtarët e rënë.
Edhe në Shtab është krijuar rrëmujë. Janë të shumtë pjesëtarët e familjeve që kanë ardhur për të mësuar për të vetët. Nuk ka informacione, ose për një arsye tjetër nuk jepen, këtë nuk arrij ta kuptoj. Nga biseda që kam zhvilluar me Fatmir Limajn, vërejta se është i lodhur dhe i brengosur tejmase. Atje takojmë edhe Shukri Bujën, komandant zone në Neredime.
Me mungesën e informacioneve në Shtab jam tejet i shqetësuar. Kjo nuk falet. Duhet pandërprerë të kontaktohet për mes lidhjesh për të marrë sa më parë informacione, sepse familjarët po presin të shqetësuar tejmase.
…
Pasi ka ardhur Elezi. Me të së bashku jemi nisur në drejtim të Grykës së Thatë të Nekocit. Elezi më tregon për sjelljet tejet të vrazhda të një eprori i cili quhet Bashkim Fino, apo Naser Krasniqi. Ai e ka kritikuar Elezin, madje edhe e ka kërcënuar, për të gjitha punët tona organizative. ( 10 rreshta të koduar)
Kujt po i pengon puna djersa dhe gjaku ynë?
Përse dikush mundohet me çdo kusht t`i eleminojë kuadrot e hershme të UÇK-së?
Këto janë gjëra të rrezikshme. Dhe, dalin në shesh pikërisht në raste tragjike. Kjo nuk mund të jetë rastësi. Kjo i thellon dyshimet…
Këto zhvillime të liga të paktën le të mbesin të shkruara në rast se pësojmë.
Pasi kemi arritur në Krojmir, më bëjnë me dije se kanë ardhur për të na vizituar Kadrie Gashi, bashkëshortja e Nezir Myrtajt dhe Zelfie Gashi, Graiçeci.