Ahmet Qeriqi: Vazhdon ardhja e liridashësve për ngushëllim. (E martë 22 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Vazhdon ardhja e liridashësve për ngushëllim. (E martë 22 dhjetor, 1998)

Ditë e më tepër po më rëndon dilema se kemi bërë mirë që e kemi prishur gjumin e delirin e skllavërisë e të pacifizmit, apo kemi gabuar, duke qenë se  shumë vështirë po zgjohet shumica e këtij  populli nga deliri dhe gjumi shekullor. Më duket se edhe kësaj radhe kemi mbetur në mes, as krejt me luftën, as krejt me pranimin e skllavërisë. Kështu ka qenë gjithmonë dhe si duket ky fat i keq historik po na përcjellë nga shekulli në shekull. Më brengos fati se si duket kështu do të jetë përgjithmonë.

Në mëngjes secili jemi drejtuar në detyrat e veta.

Anton Noka, nëna e Matrinit, Agroni dhe Labinoti i dajë Faikut janë nisur me autobus në drejtim të Prishtinës.

Martin Çuni është nisur për në Divjakë, ndërsa unë Berati, Elezi dhe Syla kemi shkuar në shtëpinë, të cilën e kemi caktuar për mbajtjen e ceremonisë së pamjes për dëshmorët që kanë rënë një javë më parë në luftë kundër pritës së barbarisë armike.

Në hyrje është vendosur flamuri kombëtar, fotografitë e dëshmorëve dhe fletorja ku do të shënohen përshtypjet ngushëlluese. Disa ushtarë qëndrojnë gatitu në shenj nderimi.

Që në orët e hershme të mëngjesit oda është mbushur përplot me njerëz që kanë ardhur për ngushëllime

Pas çdo fjale të rastit që thuhet për dëshmorë deklamohet fjala, Lavdi!

Edhe të moshuarit tanimë janë mësuar me këtë fjalë dhe më duket sikur e shqiptojnë me gjithë shpirt e zemër.

Baballarët dhe vëllezërit e dëshmorëve qëndrojnë burrërisht. Nuk ka lot, edhe pse loti do të ishte më se i natyrshëm për raste të tilla. Por mungesa e lotit është kuptimplote, sepse përzihet me urrejtje kundër armikut. Dhe, mirë është që po ndodh kështu. Sa më shumë të urrehet armiku, aq më të vendosur do të jemi për ta fituar luftën, me çdo çmim.

Ramadan Rizani, kryesues i Shtabit Civil, më bën me dije se dikush nga ata në Shtab, sikur shprehet ai, i ka kthyer në punë të dy mësuesit, të cilët janë deklaruar hapur kundër UÇK-së.

Ata tanimë kanë hetuar se në radhët tona ka përçarje, por edhe mungesë të plotë të unifikimit të qëndrimeve. Ata po veprojnë nën rrogoz. Disa ish kuadro të LDK-së tanimë janë futur nëpër radhët kyçe të organizimit. Edhe pse deklarativisht e mohojnë organizimin partiak, janë të rreshtuar në pikëpamje klanore. Po flitet edhe për një dhunim. ( Pesë rreshta të koduar) Për këtë veprim e kam lajmëruar edhe Sokol Dobrunën dhe kam kërkuar që ky rast të merret në shqyrtim…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Konfirmohet lajmi për rënien e shumë ushtarëve tanë në Has. Disa nga ushtarët kanë mbetur te rrethuar në dëborën e madhe. (E martë 15 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Konfirmohet lajmi për rënien e shumë ushtarëve tanë në Has. Disa nga ushtarët kanë mbetur te rrethuar në dëborën e madhe. (E martë 15 dhjetor, 1998)

Lajmi tragjik për rënien heroike në altarin e atdheut në brezin kufitar të tridhjetë e …