Në mëngjes e kuptoj se Jakupi, Rama dhe Agroni janë kthyer në orët e vona pas mesnatës. Sapo jemi zgjuar kemi filluar bisedat e rëndomta për zhvillimet në terren dhe për ngjarje të tjera. Jakupi ka biseduar me Fehmi Heredinajn, i cili ka pritur qysh prej ditës së djeshme.
Shyqri Iballi, i autorizuar nga shtabi vendor për logjistikë, ka treguar se nga Shtimja Fatmir Xhelili dhe Nusret Gashi kanë dërguar disa këpucë ushtarake për ushtarët si dhe një sasi barërash. Shyqa insiston që nga një palë këpucë të reja ushtarake t`i marrim unë dhe Berati, meqë ka vërejtur se asnjëri nuk kemi këpucë dimri. Këpucët i mbathim dhe e falënderojmë Shyqën për kujdesin e treguar. Ai na siguron se ka këpucë edhe për të gjithë ata që janë më se të nevojshëm. E marr me mend se Shyqa e din edhe më mirë se unë se sa të nevojshme dhe sa pak këpucë të tilla kanë ushtarët tanë, por këtë e bën nga frika se mos po e refuzojmë.
Sa fort na ka sensibilizuar lufta.
Që të dy ndihemi të gëzuar për këpucët e reja, sikur të ishim fëmijë.
Meqë ka disa ditë që ka filluar të punojë kuzhina, sot për drekë së bashku me Beratin kemi shkuar për drekë, në kuzhinë. Atje takojmë Salih Rizanin, arsimtar i cili tani zien gjellë për ushtarët. Atij i ndihmojnë Heset Hamdiu i pakursyeshëm, pastaj Ramadan Rizani, Idriz Rexhep Qeriqi, Vehbi Qeriqi, e shumë të tjerë.
Heseti më bën me dije se gjatë ditës ushqehen qindra ushtarë dhe vullnetarë të cilët presin në radhë për të shkuar për armatim në Shqipëri.
Edhe sot si rëndom mbretëron një situatë me shqetësime të natyrës të luftës. Nga të tri anët jemi të rrethuar, ashtu sikur në patkua. Një anë e kemi paksa të lirë dhe kjo na shqetëson sepse sulmi i mundshëm nga perëndimi e detyron popullatën të zhvendoset drejt Zborcit dhe tutje në fshatrat e Rrafshit. Edhe gjatë ditës së sotme dëgjohen të shtëna të pandërprera në Komoran, Në Llapushë, në Drenicën Qendrore dhe në Carralevë.
Në orët e pas ditës edhe sot kemi qëndruar në odën e Sylë Qeriqit, meqë edhe sot është ditë ngushëllimi. Syla më tregon se gjatë tërë javës më së shumti roje nderi ka ushtruar ushtari Arben Hyseni nga Godanci. Ushtarët e quajnë hoxhë meqë është medresist dhe së bashku me një medresist tjetër, gjakovar, gjatë kohës kur janë të lirë bëjnë edhe namaz. Askush nuk i pengon edhe pse ndonjëri nga ushtarët hedh ndonjë rromuz.
Xha Azizi, babai i Jetës është treguar i fortë. Ai e ka përballuar me sukses dhembjen për djalin, dhe e ka mbyllur tani për tani dyshimin rreth rrethanave në të cilat ka rënë Jeta. Ai është burrë i zakonit dhe e din se lufta i ka do ligje të tjera, të cilave duhet t iu binden të gjithë. Nga qëndrimi në tym dhe pa gjumë duket i lodhur dhe i dërrmuar. Në të pame kanë qëndruar edhe Idrizi, vëllai i Jetës dhe Lulëzimi, djali i vëllait të Jetës.
Më të atakuarit nga kjo vrasje janë Syla dhe Elezi, shokët më të ngushtë të Jetë Hasanit, prijatarët lëvizjeve çlirimtare në anën tonë. Ata po ashtu janë tejet të vetëdijshëm se kjo çështje i takon Shtabit dhe kurrsesi atyre. Që të dy kanë dyshime të thella. Ata janë më se të bindur se vrasja nuk ka ndodhur nga pakudesia dhe gishtin e drejtojnë te disa bashkëpunëtorë të serbëve, të cilët janë larguar nga këtu qysh në kohën e fillimi të luftës. Nga ana ime edhe unë kam dyshime, mirëpo, vrasësi është një djalë i pashkollë por një ushtar i përkushtuar. Nuk duket se mund t ia ketë besuar kush kryerjen e një vrasje të tillë, sepse nuk është në mesin e atyre që mund të bëjnë vepra të tilla. Sido qoftë, rastin duhet hetuar, mirëpo me sa kam vërejtur unë instancat relevante të Shtabit e përjashtojnë mundësinë e vrasjes me paramendim…