Ahmet Qeriqi: Vazhdon fushata e transportimit të miellit në zonat e Anadrinit dhe të Dukagjinit (E enjte 23 korrik, 1998)

Ahmet Qeriqi: Vazhdon fushata e transportimit të miellit në zonat e Anadrinit dhe të Dukagjinit (E enjte 23 korrik, 1998)

Edhe sot si zakonisht, kaloi edhe një ditë tjetër me punë, angazhim dhe shqetësime. Vajtje ardhje tanimë të zakonshme njerëzish, të cilët në kushte dhe rrethana që janë krijuar këtu, kërkojnë sa më shumë informacione për luftën, për të nesërmen.

As për një çast nuk është ndërprerë transportimi i miellit, i vajit dhe i disa artikujve të tjerë ushqimorë. Kamionët kalojnë pandërprerë duke lënë prapa shtëllunga të dendura të pluhurit. Edhe disa nga ushtarët tani i ngasim me shumë shpejtësi veturat të cilat krijojnë re pluhuri në këtë vapë të padurueshme.

Një mjek i Krojmirit, Hilmi Olluri më njofton se në Shalë nuk përfillen mjekët që janë caktuar nga Shukri Buja. Ai me sa duket nuk po bashkëpunon me kolegët e tij. Është ky një labil të cilin nuk e nderojnë fshatarët e kësaj ane edhe për faktin se nuk i ka ndërprerë studimet me rastin e largimit të studentëve shqiptarë nga fakultetet. Për nga natyra është edhe arrogant dhe i pasjellshëm. Për të provuar rrëngjet  e tij së bashku me Elezin kam shkuar në ambulancën e Shalës ku punojnë mjekët: Abdullah Fazliu nga Caraleva, pastaj Hilmiu dhe disa teknikë e motra medicinale. Njëra nga këto, motra e Mevlide Shamollit kryetare e LDK-së në Shalë e cila ka shprehur rezerva dhe kundërshtime ndaj UÇK-së, nuk pranon ta zëvendësohet me një teknik, i cili është i pëlqyeshëm për mjekët për shkak se është më i aftë dhe i pranueshëm për të iu bërë shërbime edhe ushtarëve të plagosur.  Një element tjetër destruktiv dhe i papërgjegjshëm është edhe Lulzim Shamolli, i cili propagandon kundër UÇK-së. Meqë është djali i hallës sime, ushtarët nuk e ngasin, ndërsa ai e shfrytëzon pikërisht këtë pozitë për të treguar pafytyrësinë dhe moralin e ulët. Një shërbim të keq luftës në Shalë po i bën krahu LDK-ist… ( tre rreshta të koduar)

Në orët e pas ditës, në Krojmir kanë ardhur edhe Nezir Myrtaj me Kadrie Gashin dhe djalin e tyre Endritin, trevjeçar. Neziri ka ardhur me qëllim që nëse krijohen kushtet për t`i aktivizuar mjetet e informimit, të qëndrojë në zonat e luftës. Nesër duhet të shkojmë në Kleçkë te zëdhënësi, Jakup Krasniqi për të biseduar lidhur me Radion, Agjencinë apo aktivizimin e gazetës ditore. Me sa kam njohuri ushtarët tanë  stabilimentet dhe transmetuesin e Radios i kanë vendosur  diku në Llap e pastaj do të depërtojnë në Qyqavicë dhe së shpejti do t`i sjellin  në Kleçkë.

Në mbrëmje kemi qëndruar në odë të Vehbiut në të cilën nganjëherë tubohemi deri në tridhjetë e më shumë veta. Studentët që ditë më parë kanë ardhur nga Gjilani, të cilët sot ishin nisur për në Negroc, në mbrëmje janë kthyer sërish në Krojmir. Sipas lajmeve të cilat i solli sot, Elez Durmishi, bëhet me dije se mijëra vullnetarë janë kthyer nga Juniku  meqë nuk kanë arritur të depërtojnë në Shqipëri. Një pjesë e madhe prej dy tre mijë vullnetarësh kanë depërtuar por të tjerët janë detyruar të kthehen pasi që sulmet e armikut kundër pozicioneve tona  janë të pandërprera.

Deri  natën vonë kemi biseduar me Nezirin Kadrie Gashin, Farukun, Reshat Gashin e të tjerë.

Në orën dy pas mesnatës arrita të shënoj zhvillimet e dy ditëve të fundit.

Edhe pak do të fillojë të zbardhet dita. Nuk di a do të mund të flej të paktën dy tri orë. Nata dhe dita për mua tanimë e kanë humbur jo vetëm kufirin por edhe kuptimin…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …