leoni

Ahmet Qeriqi: Vazhdon ikja e të zhvendosurve nga frika e urisë (E enjte 10 shtator, 1998)

Ahmet Qeriqi: Vazhdon ikja e të zhvendosurve nga frika e urisë (E enjte 10 shtator, 1998)

Vazhdon ikja e disa të zhvendosurve nga Duka, Karaçica, Reçaku, Komarani e fshatra të tjera. Shkaku kryesor i kësaj dyndjeje është frika nga mbarimi i ushqimeve dhe i veshmbathjes, ndërsa artikujt ushqimorë të ndihmave humanitare mbahen fshehur në Shalë.

Ky lloj diversioni është i dënueshëm dhe për këtë dikush duhet të jep llogari. Përballë urisë së mundshme dhe bllokadës që na ka vënë armiku e bashkëpunëtorët disa familje kanë filluar të luhaten. Ata shpëtimin po e kërkojnë në zonat që ende nuk janë përfshirë në luftime, pa menduar mirë se po qe se i zë armiku dhe mëson se janë nga këto zona ata do të pësojnë edhe më keq.

Kjo gjendje kaotike po vërehet edhe në mesin e disa ushtarëve, të cilët kanë filluar të shfaqin rezerva dhe dyshime në mundësinë e mbijetesës në këto kushte gjithnjë e më të vështira. Ka nga mesi i ushtarëve që janë nën ndikim të rrethit të tyre pacifist, ka të tjerë që në eufori janë përcaktuar për të luftuar, ndërsa shumica e ushtarëve tanë janë militantë dhe të vendosur. Ata, nuk duan t ia dinë as bllokadës, as vështirësive. Me kohë e kanë ndarë mendjen dhe i besojnë forcës, vendosmërisë dhe fitores.

Në orët e pas ditës së bashku me Ramadan Rizanin, Heset Hamdiun, Elez Durmishin e të tjerë kemi shkuar në fshat. Atje qysh në mëngjez kanë shkuar edhe Epiri e Zamiri së bashku me tezën Ajshe dhe mixhën Mehë.

Dardhat, kumbullat dhe mollët janë pjekur.

Vjeshta është e begatshme me frute, në këto anë.

Pasi jemi kthyer në Grykë, në rrugë e kam takuar Selatin Qeriqin. Ai më tregon se ka qenë në Shalë dhe ka marrë pjesë në disa mbledhje të aktivistëve të Nënë Terezës. Selatini pranon se ka ndihma, por edhe ai vetë  mendon se ndarja duhet të bëhet sipas kritereve  që i ka përcaktuar shoqata.

Në raste të tilla ndihma mbahet e rezervuar edhe për ato familje që kanë ikur para fillimit të ofensivave.

Kështu thotë gazetari, Selatin Qeriqi,  i cili kësaj radhe e shfaq hapur dyshimin edhe në luftën tonë çlirimtare. Ka dëgjuar që dikush në mbledhje punën tonë e ka quajtur donkishotizëm dhe si duket edhe vetë i beson këtij konstatimi. Më vjen keq që Selatini që ka shkalluar në atë gjendje të mjerë, edhe pse besoj se ka qenë një disponim momental, i pamatur dhe jo sa duhet i menduar. Ai nuk e merr me mend se po të dështojë lufta që kemi filluar, ata që do të shpëtojnë do të katandisen nëpër kampet e përqëndrimit në Serbi. E shoh se Selatini në mos është thyer është në rrugë për të sharruar.

Si duket asgjë nuk kemi mësuar nga e kaluara andaj edhe na përsëritet historia dhe kështu jemi kthyer në durimtarë dhe pësimtarë të përjetshëm.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Vajtje ardhje në relacion Divjakë Krojmir (E premte 27 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Vajtje ardhje në relacion Divjakë Krojmir (E premte 27 nëntor, 1998)

Sipas marrëveshjes paraprake, Elezi dhe Ali Mullini na kanë përcjellë në relacionin tanimë të përditshëm, …