Ahmet Qeriqi: Vazhdon ofensiva serbe kundër Bajrakut të Kumanovës dhe shumë zonave të tjera të UÇK-së Në fshatin Rancë, bandat serbe kanë maskrua një familje të tërë. (E enjte 27 gusht, 1998)

Ahmet Qeriqi: Vazhdon ofensiva serbe kundër Bajrakut të Kumanovës dhe shumë zonave të tjera të UÇK-së Në fshatin Rancë, bandat serbe kanë maskrua një familje të tërë. (E enjte 27 gusht, 1998)

Pas katër netëve  pa gjumë, kam fjetur mirë edhe pse me shqetësime dhe me ëndrra të trishtueshme. Trupi më është mpirë dhe ndiej dhembje të tëra gjymtyrët. Tenda në krahasim me fjetjen nën qiell të hapur është luks, sidomos për këtë kohë vere.
Ofensiva serbe ka marrë përmasa edhe në Zonën e Neredimes. Lajmet bëjnë të ditur se forcat fashiste serbe kanë goditur me top në një rimorkio, gjatë zhvendosjes  me ç rast kanë vrarë 11 anëtarë të familjes Asllani nga Ranca dhe dy të tjerë janë plagosur. Të dhëna plotësuese ka sjellë edhe një banor i Reçakut i vendosur me familjen,  në Krojmir. Si duket nga dy familjet kanë shpëtuar vetëm dy vëllezërit Isak Asllani dhe Musë Asllani po ashtu të plagosur rëndë, ndërsa janë asgjësuar nga predha armike shtatë djem e vajza të Isakut, bashkëshortja dhe nëna e tij si dhe bashkëshortja e Musës me vajzën gjashtëmuajshe. Një tragjedi e rëndë. Të dy vëllezërit janë pjesëtarë të UÇK-së.
Ky akt barbar po iu shti tmerrin banorëve të zhvendosur. Secili mund të mendojë se në familjen e tij mund të bie një raketë, e cila ka rreze të fortë veprimi dhe shkatërron gjithçka përreth. Dy pleq në fshatin Nekovc i kanë zënë serbët dhe i kanë masakruar. Tre pleq të tjerë janë martirizuar në Kizharekë. Tani për tani nuk kemi të dhëna të tjera, mirëpo nuk e dimë fatin e disa banorëve të Mirenës të cilët janë zhvendosur, në Blinajë, pastaj ata të Leletiqot, të Ribarit të Madhe, të Zllokuqanit e fshatrave të tjera rreth Blinajës.
Armata okupatore jugosllave më në fund  i ka hapur korridoret në relacion Shtime-Qafë e Duhlës-Suharekë, të cilat kanë qenë të zëna nga 14 qershori.  Sot luftimet kanë qenë të intensitetit më të ulët, mirëpo në moment ato mund të përshkallëzohen.
Me Elez Durmishin dhe Jetë Hasanin kemi biseduar lidhur me riorganizimin dhe përforcimin e vëzhgimeve drejt Kleçkës. Tani duhet aktivizuar roje edhe në këtë anë, edhe pse forcat e këmbësorisë vështirë se guxojnë të futen nëpër pyje. Unë kam frikë nga diversantët, andaj vendosim që një dhjetëshe e ushtarëve të dëshmuar të ushtrojë roje në mes të Javurit dhe Kleçkës në anën tonë.
Jetë Hasani, nga një fshatar yni i varfër ka blerë tre edha të mëdhenj. Një për familjen e vet, një për timen dhe një për familjen e Elezit. Ai është kurdoherë në elementin e tij jetësor, aq i bën për të gjitha. Vazhdimisht iu jep duhan ushtarëve edhe pse ata e kanë të caktuar vetëm një pako në ditë. Me rëndësi është që ka plasur lufta dhe po luftohet kundër armikut. Si shembull të sakrificës vazhdimisht e merr shembullin e Komandant Adem Jasharit dhe të Jasharëve të tjerë. Atë e brengosin disa ushtarë që tregohen të luhatur. Po t` ia lëmë duart e lira ai do t`i ndëshkonte dhe do t ua merrte armët, por qe se tregojnë qoftë edhe një dëshpërim të vogël. Jeta, duket sikur vjen nga legjendat. Entuziazmi i tij për luftës është i jashtëzakonshëm ashtu sikur besimi i patundur në fitore. Është shumë energjik dhe merr veprime, të cilat nganjëherë na qesin në pozitë të palakmueshme, por Jetën e kemi një, nuk kemi të dytë, andaj edhe ia falim ndonjë  gabim sipas nesh, edhe pse ai nuk i pranon ato. Ai qysh moti ka ardhur në Krojmir ku edhe ndodhet me tërë familjen. Djalin dhe vajzën i ka në radhët e luftës.
Pozicionet tona të reja të vëzhgimit dhe të rojës janë aktivizuar në të gjitha vend-hyrjet. Vëllai  im Hasani, Faruku dhe Naim Rizani  ruajnë dhe vëzhgojnë në Lezhë. Ata kanë kaluar edhe më lart, drejt Javurit për të vëzhguar depërtimin e forcave armike. Ushtarët kanë urdhër të mos e godasin armikun, për veç në raste kur ndodhen në rrezik permanent ose kur zbulohen nga armiku. Kjo bëhet me qëllim që të mos rrezikohet  popullata civile e cila ka mbetur e ngujuar nëpër gryka në Pjetërshticë,  Krojmir, Shalë, Baic; Nekoc, Risinovc dhe në Kizharekë.
Nuk kemi të dhëna se ç ka ndodhur me banorët e Bllacës, të Ngucatit, Temeçinës, Senikut, Bajes e Lladroviqit. Shumica e atyre që i kanë djemtë në ushtri janë zhvendosur në male, të tjerët janë grumbulluar në drejtim të Pagarushës, me qëllim që të shkojnë  në Shqipëri…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …