Sot është dita e katërt qysh kur serbët po bëjnë përpjekje të pandërprera për të depërtuar në Rrafshnaltë. Ata e kanë një hall të madh të cilin si duket ne nuk po e kuptojmë. Krejt kjo më bën të mendoj se mos ndoshta kanë ndërmend të arrijnë ndonjë marrëveshje me NATO-n dhe para se të ndodh kjo duan t`i japin grusht vendimtar Shtabit dhe institucioneve të luftës në Rrafshnaltë.
Luftëtarët tanë po tregojnë heroizëm të pa shoq.
Shumica prej tyre familjet i kanë nëpër tenda dhe e dinë fare mirë se çka do të ndodh nëse serbët depërtojnë te popullata. Ata po ashtu kanë një urdhër të prerë që me çdo kusht qoftë edhe me çmimin e jetës së secilit të mos lejojnë depërtimin e bandave masakruese serbe në Rrafshnaltë. Deri tani është mbajtur betimi. Deri tani asnjë tërheqje nuk ka ndodhur. Përkundrazi ka përforcime në të gjitha pikat, ndërsa minat tokësor që janë rrëmbyer në depot e armikut në Magurë i kanë dhënë hov tejet të fuqishëm rezistencës. Shumë vende nga ku depërtojnë mjetet ushtarake serbe janë minuar. Deri tani kanë rënë në mina sa e sa tanke, pizgauerë, autoblinda.
Xhenierët tanë gjatë natës depërtojnë deri në rrugët e asfaltuara dhe minojnë terrenin. Serbët nuk ndihen më të sigurt në asnjë pikë lëvizjeje.
Xhenierët e minave kanë aplikuar edhe një metodë tjetër inteligjente. Ata në pjesën e epërme të minës tokësore vendosin një bombë dore. Njësitë deminuese të armikut sapo ta hetojnë vendin fillojnë deminimin dhe sapo të preket mina ajo shpërthen.
Në të gjitha pikat janë ndërmarrë masat për të mos lejuar depërtimin e armikut në Rrafshnaltë.
Rreth mesditës forcat serbe kanë filluar sërish sulmin nga distanca, në Gradinë, në Arllat e Tërpezë, tri pikat më strategjike të anës veriore.
Edhe sot po zhvillohen luftime në shumë vende kudo në Kosovë. Nuk ka lajme nga Kosharja. Nuk po flitet më për korridorin e armatimit.
Aeroplanët e NATO-s kanë filluar sulmet në disa pozicione serbe, por nuk kanë goditur me saktësi. Ata kanë goditur një depo të braktisur një fermë të dhive në Senik, fermën e kafshëve në Krajkovë. Në asnjë vend-goditje forcave serbe nuk iu kanë shkaktuar as më të voglin dëm. Kështu ndodh në luftë. Nuk është e thënë që çdoherë të jetë goditja e plotë dhe efikase. Po t’ i kishin serbët goditjet e plota në pozicionet tona, deri tani do të kishin shfarosur.
Emisionin për transmetim e kemi përgatitur me kohë.
Edhe pse në kushte dhe rrethana të rënda po arrijmë të sajojmë dhjetëra informacione që i marrim nga vend-luftimet në terren dhe të tjera që i dëgjojmë nga agjencitë botërore.
Po mundohemi që dëgjuesve t iu japim sa më shumë informacione, duke u kujdesur vazhdimisht ta mbajmë lart moralin e luftës dhe domosdoshmërinë e fitores. Këtë koncept nuk e kemi dobësuar për asnjë moment.
Në mbrëmje Valdet Hoti dhe Nusret Pllana kanë shkuar në Gradinë për t’ i parë ushtarët dhe për të biseduar me ta për zhvillimet e fundit atje. Martin Çuni ka shkuar në Terpezë ku është njëra ndër pikat më të ashpra të rezistencës së UÇK-së. Tani e tutje lajmet i marrin duke i vizituar vet vend-luftimet.
Në mbrëmje nga Pjetërshtica ka ardhur operatori Fatmir Dugolli, i cili dje ka shkuar për ta vizituar familjen. Ai na solli dy informata lidhur me luftimet në Shalë të cilat i ka sajuar Heset Sahiti.
Ditëve të fundit jam sëmurë. Kam dhembje në stomak dhe ndihem tejet i rraskapitur. Kam ndërmend të shkoj në Krojmir por tani rruga nga ku duhet të kaloj është shumë e gjatë, meqë nëpër Rrafshnaltë nuk mund të depërtohet pa rreziqe, për shkak të bombardimeve nga arma armike.