Ahmet Qeriqi: Vazhdon ofensiva serbe për të thyer rezistencën në Rrafshnaltë (E martë 1 qershor, 1999)

Ahmet Qeriqi: Vazhdon ofensiva serbe për të thyer rezistencën në Rrafshnaltë (E martë 1 qershor, 1999)

Sot qysh në orën 7.00 serbët kanë filluar sulmin e tyre raketor mbi Rrafshnaltë. Pika e sulmeve serbe është përballë pozicioneve tona në Llapushnik, Arllat, Tërpezë, Lladroc nga ana perëndimore ndërsa nga ana verilindore në Kizharekë, Nekoc, Shalë dhe përgjithësisht në Blinajë, ku tani për tani situata është shumë e rrezikshme meqë atje ka një koncentrim të jashtëzakonshëm të këmbësorisë armike.

Ushtarët tanë të barrikaduar nëpër bunkerë presin derisa të afrohet këmbësoria në rreze nga ku mund të godasin armët tona. Ata, duhet ta durojnë mbi kokë tërë breshërinë e predhave deri sa të fillojnë të digjen apo të shembën bunkerët. Serbët si duket i kanë identifikuar të gjitha pozicionet andaj edhe  nuk e ndërpresin granatimin. Por krejt kjo tregon se ata kanë frikë të nisen me këmbësori, nuk ndihen të sigurt andaj edhe granatojnë në distancë. Është kjo lufta më e pabarabartë, që ka ndodhur ndonjëherë sa i përket armëve me të cilat luftohet, mirëpo përparësia e luftëtarëve tanë qëndron në njohjen e terrenit dhe në epërsinë morale të luftës çlirimtare.

Një lajm të cilin e kanë sjellë ushtarët tanë bën të ditur se dje në Tërpezë forcat tona kanë vrarë disa  ushtarë serbë. Atje pozicionet janë ballë për ballë në hyrje dhe në dalje të fshatit.

Sulmi serb papritmas është ndërprerë në orën 13.00 Vetëm disa minuta më vonë kemi dëgjuar zhurmërimin e aeroplanëve të NATO-s.

Duke qenë se Rrafshnalta po granatohej pandërprerë Martin Çuni dhe Valdet Hoti nëpër Grykë të Nekocit kanë depërtuar te lagja e Munollëve për të marrë ndonjë informatë në agjenci. Ata janë vënë në rrezik permanent meqë pika nga ku duhet të depërtojnë vazhdimisht goditet me predha minahedhësish të armikut.

Në orën 15.00 sërish ka filluar breshëria e predhave të armikut drejt Zabelit në Fshat të Ri, ku zakonisht grumbullohen qindra djerrakohës dhe vëzhgojnë përballë forcave të armikut. Sa e sa herë ushtarët tanë iu kanë tërhequr vërejtjen që të mos ekspozohen në atë vend meqë shihen nga të gjitha pozicionet e armikut, por ata janë bërë të pandjeshëm. Edhe sot janë vrarë dy dhe disa të tjerë janë plagosur. Predha armike ka goditur mu në mesin e tyre.

Nuk e kuptoj dot përse këta njerëz e kanë humbur fare sensin përballë rrezikut. Ndoshta janë të rraskapitur deri në atë masë sa nuk arrijnë t`i kontrollojnë veprimet e tyre. Mbase më nuk iu bën përshtypje kufiri që e ndanë jetën dhe vdekjen. Vetëm një orë pas pushimit të sulmeve, sërish në të njëjtin vend janë grumbulluar qindra njerëz. Kjo është krejtësisht e pakuptueshme.

Mos është shenjë e molisjes së kobshme?

Emisionin e kemi transmetuar me kohë.

Në mbrëmje jemi tubuar të gjithë në tendë.

Për shkak të eskalimit të situatës, jemi marrë vesh që roja rreth tendës në një vend të caktuar të ushtrohet prej orës 8 në mbrëmje deri në orën pesë të mëngjesit…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Naim Imeri sot herët është larguar në rrugëtimin e tij të përhershëm nëpër Blinajë. Elezi …