Ahmet Qeriqi: Vazhdon ofensiva shkatërrimtare serbe, në Drenicë. (E mërkurë 23 shtator, 1998)

Ahmet Qeriqi: Vazhdon ofensiva shkatërrimtare serbe, në Drenicë. (E mërkurë 23 shtator, 1998)

Sot është dita e pestë qyshkur jemi kthyer nëpër shtëpitë tana në Krojmir.

Ndihemi fare të pasigurt sidomos tani ku ka filluar ofensiva në Qyqavi dhe në Drenicën Qendrore. Jemi të vetëdijshëm që sapo të pushojë pak atje barbarët sllavë do të nisen drejt nesh…

Serbët si kriminelë gjenetikë vazhdimisht kthehen në vendin e krimit. Ata sërish e sulmuan Prekazin, Polacin, Galicën, Llaushën, Aqarevën dhe sa e sa kështjella të tjera të luftës sonë çlirimtare. Kreu komandues serb ka paralajmëruar edhe sulme të tjera për ta shkatërruar definitivisht luftën tonë çlirimtare,  e cila sa pushon pak në një anë kërcet në anën tjetër. Çlirimtarët tanë janë si zog Feniksi, ata ngrihen nga hiri i vet.

Nga lajmet e radiostacioneve të huaja mësojmë se sot  Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara pritet të miratojë një rezolutë për Kosovën, e cila si thuhet mund t`i hapë rrugë intervenimit të NATO-s kundër makinerisë së krimit serb. Do të jetë kjo një farsë më tepër e kërcënimeve apo një vërejtje realiste, paralajmëruese për intervenim, mbetet për të u parë.

Një fakt është i sigurt në këtë mes. Ofensiva serbe po vazhdon me tërë egërsinë dhe barbarinë, në Drenicë. Ajo nuk do të ndalet as nga ky kërcënim, sepse dhjetëra e qindra kërcënime, e asnjë  veprim, tanimë nuk kanë kurrfarë ndikimi te serbët, të cilët përveç gjuhës së tyre e njohin vetëm edhe një gjuhë tjetër, atë të forcës.

Gjatë tërë ditës së sotme ka vazhduar ofensiva në Drenicën Qendrore dhe në Qyqavi. Edhe pse nuk kemi informacione të sakta, bëhet e ditur se popullata e zhvendosur po përballohet me ferrin njerëzor. Disa luftëtarë kanë rënë por tani për tani nuk i dimë emrat e tyre. Flitet se ka rënë edhe komandant Fehmi Lladroci, bashkëshortja e tij Xheva dhe disa luftëtarë të tjerë.

Sa e sa fshatra të djegura i ka mbuluar tymi. Po popullata, fëmijët, gratë pleqtë? Me një anë zjarri, vapa, në anën tjetër uria, prapë zjarri…

Është e mundshme që një pjesë e popullatës të depërtojë gjatë natës në rajonin tonë, edhe pse  serbët në magjistralen te Kroi i Mbretit deri në Klinë kanë bërë përforcime të jashtëzakonshme Vetëm gjatë natës ushtarët tanë depërtojnë nga njëra anë në tjetrën.

Në orët e mbrëmjes jemi tubuar në odën e Sylë Qeriqit. Në prani të eprorëve dhe të disa ushtarëve kemi biseduar me hapat që duhet të ndërmarrim në rast të zgjerimit të sulmit në anën tonë, janë vënë në spikamë disa dobësi e lëshime gjatë punës dhe aktivitetit të akëcilit dhe në fund kemi marrë qëndrim që mobilizimi të jetë në shkallën më të lartë të gatishmërisë.

Në fazën e tanishme të ristrukturimit Brigada 121 është  ndarë në dy batalione, Batalioni i Parë quhet, Imer Alushani, ndërsa Batalioni i Dytë, Ruzhdi Salihu, i cili përfshinë Krojmirin, Pjetërshticën, Dukën, Karaçicën, Blinajen dhe fshatra rreth Blinajes si Zborci, Varigoci, Godanci i Ulët dhe i Epërm. Zllakuqani Ribari i Madh etj. Vija përkufizuese me Batalionin e Dytë nuk është saktësuar në Blinajë dhe mendoj se as është gjithaq e nevojshme. Në anën tonë aktualisht i kemi 130 ushtarë të rregullt, shumë vullnetarë që presin të shkojnë për armatim pjesëtarët e Shtabit lokal Civil dhe pjesëtarët e Logjistikës.

Ushtarët kanë kërkuar sqarime lidhur me veprimet e të ashtuquajturit FARK si dhe për vrasjen e Ahmet Krasniqit. Nuk kam bërë komente për vrasjen, sepse nuk di asgjë më tepër. Ndërsa për krijimin e një formacioni tjetër luftarak kam shprehur kundërshtim me faktin se kjo lë mundësi për krijimin edhe të grupimeve të tjera sikur kishte ndodhur gjatë luftës në Bosnje dhe në Kroaci.

Më vonë në odë ka ardhur me dy ushtarë dhe me vëllain e tij eprori Heset Sahiti, i cili interesohet për koordinim të punëve sidomos në vijën e cila i ndanë dy batalionet e Brigadës 121, Ismet Jashari-Kumanova.

Jetë Hasani dhe Ajvaz Karpuzi kanë parashtruar disa probleme lidhur me funkcionimin e Policisë ushtarake dhe shtrirjen rajonale të kompetencave të kësaj policie. Iu kam treguar se unë nuk kam kurrfarë komeptenca për këto çështje, ndërsa punët duhet të koordinohen përmes Elez Durmishit në Shtabin e Brigadës.

Në lajmet e fundit të ditës  është bërë e ditur se Këshilli i Sigurimit të OKB-së, sipas të gjitha gjasave do të miratojë një rezolutë kërcënuese kundër politikës represive të Beogradit në Kosovë.

Një shpresë e zymtë në këto kushte të rënda duket sikur një shkëndije shprese në terrin që na ka mbuluar në këto orë të vona të natës, kur të gjithë kanë rënë për të pushuar dhe unë në dritën e mekur të qiririt po i përshkruaj zhvillimet e ditës. Gjëmimi i topave në Drenicë ende nuk ka pushuar. O zot …

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Ka filluar kthimi i qetë i të zhvendosurve në Krojmir (E mërkurë 16 shtator 1998)

Ahmet Qeriqi: Ka filluar kthimi i qetë i të zhvendosurve në Krojmir (E mërkurë 16 shtator 1998)

Pjesa dërrmuese e të zhvendosurve, sidomos nga fshati ynë, kanë filluar të kthehen nëpër shtëpitë …