leoni

Ahmet Qeriqi: Vazhdon sulmi raketor i armikut kundër pozicioneve tona, në Rrafshnaltë, (E hënë 7 qershor, 1999)

Ahmet Qeriqi: Vazhdon sulmi raketor i armikut kundër pozicioneve tona, në Rrafshnaltë, (E hënë 7 qershor, 1999)

Në mëngjes nuk është shënuar ndonjë zhvillim intensiv i luftimeve. Ndërkohë rreth orës 10.00 dy aeroplanë të NATO-s e kanë goditur bazën ushtarake serbe në Llapushnik. Pak më vonë kemi mësuar se goditjet kanë qenë të pasuksesshme.

Në shenjë hakmarrjeje, sapo janë larguar avionët e NATO-s, ka filluar rrebeshi i predhave dhe i raketave të armikut në drejtim të Shkëmbit të Gradinës dhe në malet e Berishës.

Disa raketa kanë goditur edhe lagjen e Berishve në Rrafshnaltë, ku bëhet me dije se një familje ndodhet në shtëpinë e vet në lagje. Ka rrezik që të kenë pësuar të gjithë.

Ndërkohë në tendë ka ardhur Fadil Bajraktari nga Kizhareka i autorizuar për informim nga Batalioni Imer Alushani. Ai na bën me dije se nga zjarri i raketave nuk ka pësuar askush. Fadili, gjatë asaj kohe   ka ndodhur në mesin e popullatës te Mrizet e Berishës. Ai edhe pse nuk ndihet mirë nga shëndeti shpeshherë  na sjellë informata rreth zhvillimeve në terren.

Pikërisht në kohën kur ka filluar transmetimi i programit në studion bunker të Radios Kosova e Lirë, në orën 16.00 një breshëri e raketave armike ka goditur në Fshat të Ri, te Pallati i Qeverisë dhe te shkolla ku ndodhet shtabi i brigadave të Drenicës. Serbët kanë goditur si gjithnjë nga të gjitha pikat ku kanë vendosur sisteme lëvizëse raketore. Vetëm në një rreze veprimi drejt Pallatit dhe shkollës kanë goditur 18 raketa të tipit Kaçusha.

Zakonisht te shkolla dhe pak më lartë te zabeli, rrinë qindra të zhvendosur shëtitës. Edhe pse vendi është goditur disa herë dhe ka pasur të vrarë e të plagosur, nuk ka forcë që i vetëdijëson ata që përfundimisht të mos ekspozohen atje, ku armiku i sheh lëvizjet dhe përqëndrimin e tyre. Në kohën e shpërthimit vëreheshin duke ikur, por pas një kohe të caktuar sërish grumbullohen po në të njëjtin vend.

Në mbrëmje ka ardhur Martin Çuni. Ai na bën me dije se situata është shumë mobile dhe shtabi të cilin e kryeson gjeneral Agim Çeku, ka ndërmarrë të gjitha masat për ta ruajtur Rrafshnaltën, pasi që ka indikacione se serbët do ta nënshkruajnë marrëveshjen për ndërprerjen e luftimeve dhe largimin e forcave të tyre policore e ushtarake nga Kosova.

Regjmi i kriminelit Milosheviq po mundohet me çdo kusht të shkatërrojë bazën kryesore të luftës brenda territorit të Kosovës, me qëllim që me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, pala shqiptare të mos jetë pjesë përbërëse e marrëveshjes.

Serbët i kanë qëllimet e tyre perfide, ndërsa qëllimi ynë i vetëm është rezistenca  për t ia bërë të pamundur armikut depërtimin në Rrafshnaltë. Pikërisht nga këto pozicione do të varet edhe fati i luftës edhe ardhmëria e Kosovës. Vetëm nëse qëndrojmë deri në fund, faktori ndërkombëtar do të detyrohet ta pranojë një segment të luftës sonë, në të kundërtën ne nuk do të fitojmë asgjë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Gryka e Krojmirit sërish ringjallet. Ajo po rilindet nga hiri i vet (E martë 1 shtator, 1999)

Ahmet Qeriqi: Gryka e Krojmirit sërish ringjallet. Ajo po rilindet nga hiri i vet (E martë 1 shtator, 1999)

Edhe një ditë tjetër me shqetësime të vjetra dhe me të papritura, si gjithnjë. Nga …