Ahmet Qeriqi: Veriu i Kosovës po rikthehet për zgjidhje përfundimtare

 


Përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për kthimin e sovranitetit në veri të vendit, janë përpjekje të arsyeshme dhe të mirëpritura, edhe pse të ndërmarra  me shumë vonesë dhe me shumë pasoja, të cilat për shumë kohë nuk do të evitohen.


Veriu, qysh prej mbarimit të luftës, në gjysmën e dytë të qershorit të vitit 1999, me vendimin e pashkruar të një segmenti të faktorit ndërkombëtar, mbeti një “Vilajet” i errët, një vend i përshtatshëm, ku ishin grumbulluar të gjithë kriminelët serbë, që kishin kryer krime kundër popullatës civile gjatë kohës së luftës së UÇK-së, për çlirim nga robëria serbe. Grumbullimi në një vend i keqbërësve, ndarja e qytetit të Mitrovicës, dëbimi po thuajse masiv i popullatës shqiptare nga veriu i qytetit, vendosja e forcave të paqëruajtëse mbi Urën e Lumit Ibër, që ndan në dysh qytetin e Mitrovicës, qysh atëherë kanë dhënë për të kuptuar se një segment i forcave ndërkombëtare, të disponuar armiqësisht kundër shqiptarëve dhe Kosovës, me ndarjen e kësaj pjese nga tërësia territoriale e vendit tonë, po mendonin se do të mbahej peng, jo vetëm pavarësia por edhe ardhmëria e Kosovës.


Përpjekjet e shqiptarëve për t’u kthyer në veri, gjatë tërë këtyre viteve kanë qenë përpjekje spontane dhe të paorganizuara, në të shumtën e rasteve kanë qenë keq të organizuara dhe nuk kanë shënuar asnjë rezultat konkret, meqë lidhur me këtë çështje nuk kemi pasur konsensus për veprim brendapërbrenda nesh, kuptohet as përkrahje të faktorit ndërkombëtar. Kthimi në veri ka qenë shumë i lehtë në kohën kur kryekrimineli serb, Milosheviq ishte ende gjallë dhe sundonte në Beli Dvor. Kthimi, ka qenë po ashtu i lehtë edhe në kohën e ndërrimeve politike në Serbi, sa do që ato ndërrime u bënë sa për sy e faqe. Mjerisht, asnjëra prej qeverive të deritashme nuk tregoi vullnet të plotë politik, për ta shtrirë sovranitetin në veri, mbase edhe për faktin se atje ‘sundonte” UNMIK-u, i disponuar pro strukturave paralele serbe.


Djegia e dy pikave doganore në veri të kufirit të Kosovës me Serbinë nga vandalët serbë, pikërisht më 17 shkurt të vitit 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, te popullata serbe e kësaj ane krijoi bindjen, se kjo pjesë do të mbetej përgjithmonë me Serbinë. Shqiptarët e dalldisur dhe nën euforinë e shpalljes së pavarësisë, nuk i dhanë shumë rëndësi këtij akti vandal të serbëve, meqë aktet e tilla të drejtuara kundër Kosovës dhe kundër shqiptarëve përgjithësisht, ishin të përditshme, sidomos në veriun e vendit.


Me rastin e instalimit të Misionit të BE-së, EULEX, në Kosovë  në vjeshtë të vitit 2008, dhe mbetjes së një segmenti pro serb të UNMIK-ut në veri, situata rreth veriut po merrte kahe edhe më të këqija. EUEX-i kishte premtuar kthimin e ligjshmërisë në veri, por ndodhi e kundërta. Ky mision u vu në shërbim të politikave të Beogradit zyrtar kundër shqiptarëve. Ndërsa fakti EULEX-i nuk e njihte as e njeh pavarësinë e Kosovës, bëri që në Veri të trashet  bindja se kjo pjesë tashme edhe “de jure” do t’ i takonte Serbisë, së bashku me të gjitha enklavat serbe brenda Kosovës.


Edhe pse Pakoja, sado antishqiptare e Ahtisarit nuk parasheh ndarjen e Mitrovicës, por as të veriut të Kosovës, realiteti në këtë pjesë të vendit tonë kishte marrë një rrugë drejt shkëputjes definitive nga Kosova. Në mesin e turmave serbe, ku mbretërojnë strukturat e ashtuquajtura paralele, por të komanduara nga Beogradi zyrtar,  tashmë është krijuar bindja se kjo pjesë përgjithmonë do të mbetet nën Serbi. Në këtë segment ka ndikuar sidomos Beogradi zyrtar, i cili nuk e pranon pavarësinë e Kosovës dhe bën përpjekje të


 


Përpjekja e Qeverisë së Kosovës për kthim të papritur në veri


 


 Më 25 korrik 2011 Forcat Speciale të Policisë së Kosovës, sipas një plani paraprak, (deri diku edhe të fshehtë) të Qeverisë, depërtuan në pikat doganore në Jarinje dhe në Bernjakë ne kufi me Serbinë, me qëllim për ta kthyer sovranitetin e shtetit të Kosovës,  në tërë territorin,  sipas kushtetutës dhe sipas ligjeve të një shteti të pavarur dhe sovran. Kthimi, shihej si i domosdoshëm pas marrjes së vendimit  nga Qeveria e Kosovës për reciprocitet  tregtar dhe ekonomik me Serbinë, meqë në pikat doganore në Jarinje dhe në Bernjakë, nuk funksionojnë doganat e Kosovës. Në fillim u duk se aksioni ishte shumë serioz, doemos se edhe i akorduar me një pjesë të faktorit ndërkombëtar, por më vonë doli se as kishte pasur akord të duhur, as mund të ketë ndonjëherë bashkëveprim me strukturat e EULEX-it dhe BE-në, e cila kërkon ruajtjen me çdo kusht të status-quosë, qoftë edhe me vite e decenie të tëra, në mënyrë që problemi të shuhet gjatë evolucionit kohor.


Për fatin e mirë të Qeverisë Thaçi dhe të Kosovës përgjithësisht, në veri u dislokuan shumë forca paqeruajtëse të KFOR-it, në mesin e tyre edhe nga radhët e forcave amerikane, të cilat morën nën kontroll dy pikat kufitare në veri sërish të djegura e të shkatërruara nga vandalët serbë, të ndihmuar si gjithnjë nga Beogradi zyrtar.


Në këtë mënyrë aktualisht u kthye status-quoja, të cilën e dëshiron BE-ja, Serbia, EULEX-i e pse jo edhe miqtë tanë, të cilët po shohin dhe po binden se Kosova ende nuk i ka marrë këmbët dhe ende po çalon në shumë segmente.


Sidoqoftë, vetë përpjekja për ta shtrirë sundimin në tërë territorin e Kosovës shënon një lëvizje para dhe i jep fund idesë se kjo pjesë mund të ndahet me pëlqimin e kreut tonë politik, apo pëlqimin e popullit. Ky potez, e përforcon seriozitetin e politikës së vendit tonë në raport me Serbinë dhe me ndërmjetësuesit evropianë, aq më shumë kur deklaratat e kreut të Qeverisë, tash për tash janë shumë këmbëngulëse dhe nuk duket se do të ketë tërheqje, të paktën nuk do të ketë tërheqje nga aspirata për rikthim në veri, edhe pse realiteti mund të jetë më ndryshe.


Tashmë po shihet sheshit se Kosova ka potencial për ta shtrirë sundimin në çdo pjesë të vendit, ka gatishmëri dhe vullnet, por nuk e ka pëlqimin e shumicës  së faktorit ndërkombëtar.


Ky pozicion stagnues, nuk zgjidhet dot me retorikë politike, as me vringëllimë “shpatash” drejtuar Beogradit zyrtar, i cili do të bëjë përpjekje që këtë aksion të Qeverisë së Kosovës ta paraqesë si provokim të paqes në rajon. Kjo pozitë e favorshme e Qeverisë së Kosovës kërkon më shumë  vendosmëri, këmbëngulje duke u thirrur në sovranitet dhe në Kushtetutë dhe veprim energjik për të zbatuar ligjshmërinë, pavarësisht nga pasojat eventuale në fushën e diplomacisë në raport me faktorin ndërkombëtar. Pozita është edhe më e fortë me fatin se aksionin e ka përkrahur fuqishëm edhe opozita dhe të gjitha forcat liridashëse të vendit.


Në luftën e UÇK-së i përmbaheshim maksimës së njohur “Ecim para vëlla, kthim prapa s’ka!” Problemi i “ngrirë” për 12 vjet i veriut të Kosovës tashmë është shkrirë dhe nuk duhet lejuar që të “ngrihet” sërish. Kthimi eventual prapa na shpie në humnerë. 

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …