Ahmet Qeriqi: Vezirët besnikë dhe ata kokëprerë në shërbim të Perandorisë Osmane II

Shqiptarët ishin ndarë fetarisht, por nuk ishin përçarë dhe nuk kishin luftuar njëri tjetrin

 Dokumentet historike na sjellin shembuj të shumtë të rezistencës së dyfishtë të shqiptarëve. Një palë rezistonin në trojet e pushtuara, pala tjetër kishte kapur deri edhe majat e pushtetit të Perandorisë, e cila favorizonte hapur elementin racor shqiptar, duke ia njohur meritën e trimërisë, vitalitetit, vetëmohimit, pse jo edhe besnikërinë, e cila nuk ndodhi përherë.

Si racë antike luftarake, shqiptarët do të bëhen digë e fuqishme e Perandorisë, të cilët  jo rastësisht janë quajtur edhe si “Skithët” e Perandorisë. Përderisa serbët, grekët bullgarët, rumunët, magjarët,  kroatët e popuj të tjerë trajtoheshin si popuj raja, të nënshtruar nga Padishahu, shqiptarët nuk trajtoheshin të tillë, andaj edhe i kishin të hapura të gjitha dyert e pushtetit dhe shumë prej tyre nuk hezituan të vishen me pushtetin e Portës së Lartë të Stambollit. Por shumicës së tyre u kushtoi me kokë ngritja deri në nivelin më të lartë të  Shtetit.

Në vitet e fundit është folur dhe është shkruar shumë për vezirët e Perandorisë Osmane, kryeministrat me origjinë shqiptare, të cilët me shumicë i ka identifikuar eruditi i madh shqiptar, Sami Frashëri në Enciklopedinë e tij, “Kamus al alam”. Edhe historianët turq të çdo periudhe të së kaluarës, nuk e kanë mohuar origjinën shqiptare të shumë vezirëve, të cilët, për dallim nga vezirët me prejardhje nga popujt e tjerë, kishin qenë shumicë, por edhe shumicës së tyre, sulltanët  u kishin shkurtuar kokat, jo sepse kishin qenë shumicë, por sepse kishin rënë pre qoftë e ambicieve politike, qoftë edhe ndihmës që iu kishin dhënë njerëzve të tyre të gjakut e të gjuhës, në rrethana të caktuara, pavarësisht përkatësisë fetare.

Koha e gjatë qindra-vjeçare e sundimit turk në trojet shqiptare ka lënë pasoja të pandreqshme në të kaluarën tonë, jo edhe aq të lavdishme dhe krejt pak në interesin e kombit e Atdheut. Këtë duhet pranuar hapur, qoftë edhe zemërplasur.

Ishin jo më pak se 34 apo rreth dyzetë vezirë, kryeministra me origjinë shqiptare të Perandorisë Osmane. Asnjë komb tjetër, nuk i ka dhënë aq shumë koka të larta ushtarake Turqisë perandorake në sundimin e saj pesëshekullor në Ballkan, Evropë, Azi e Afrikë. Ky është një fenomen që duhet parë me realizëm, me gjakftohtësi kur flasin e shkruajmë për marrëdhëniet shqiptare turke, sepse kemi të bëjmë me 500 vjet bashkëjetesë të dhunshme të dëshirueshme në të njëjtën kohë. ( E tillë sikur ishte gati një shekull edhe bashkëjetesa e dhunshme për një palë, por edhe e dëshirueshme për palën tjetër të shqiptarëve, në kohën e bashkim vëllazërimit dhe përbashkësisë  së shqiptarëve me sllavë,  kur Kosova i kishte dhënë Jugosllavisë “veziroviqët” e vetë, deri në krye të Federatës).

Asnjë komb tjetër në Ballkan apo në Evropë nuk  ka dhënë edhe më shumë kryengritës, në të njëjtën kohë. Nëse pranojmë realitetin e Veziratit osman me origjinë shqiptare, doemos se duhet ta pranojmë edhe realitetin e kundërshtarëve, po ashtu shumë të njohur të shqiptarëve.

Në këtë nyje të pazgjidhshme turko-shqiptare, shqiptarët kanë pësuar dy fish. Një palë duke luftuar nëpër vende të ndryshme të botës për interesa të Portës dhe duke mos u kthyer gjallë, as në Stamboll e lerë më në Shqipëri, dhe pala tjetër që ka luftuar kundër Turqisë dhe që është  larë me gjak gjatë pesëqind viteve.

Lufta kishte qenë e tmerrshme, e përbindshme, e skëterrshme me humbje në të dyja anët, por me pasoja vetëm për shqiptarët, të cilët edhe pse në shumicë kishin pranuar islamin, ata nuk e pranonin sundimin turk. Kjo ishte karakteristika e tyre, që i dallonte nga popujt e tjerë, të cilët dominimin turk nuk e pranonin në radhë të parë për shkak të fesë dhe nga frika e ndërrimit të saj, qoftë me dëshirë apo me dhunë.

Shqiptarët atëbotë, apo “arnautët e mallkuar”,  i bënin “karshillëk” Stambollit, por edhe kundërshtarëve të Perandorisë. Ishte raca e vetme në Ballkan që nuk mund të quhej e nënshtruar, por as sovrane, ishte diçka në një mes të çuditshëm, që nuk kuptohej nga fqinjët  as nga Evropa e krishterë, e cila kurrë nuk ua fali konvertimin, ashtu sikur Turqia kurrë nuk ua fali shkëputjen nga Perandoria.

Pavarësisht Evropës,  e cila asnjëherë nuk na  përkrahu, përkundrazi bëri tregti me dy të tretat e trojeve etnike shqiptare, në dobi të fqinjëve tanë të krishterë, Turqia më në fund duhet se e ka kuptuar rëndësinë e dikurshme që kishin shqiptarët për Perandorinë, por edhe për luftën e saj për ekzistencë prej vitit 1912 e deri në vitin 1924. Por tani është vonë për Turqinë dhe shpresojmë të jetë përgjithmonë vonë edhe për Evropën, sidomos tani kur një pjesë jo e vogël e  myslimanëve po identifikohen me ISIS-in, ndaj të cilit nuk mund të jetë tërësisht imune bota islame shqiptare. Tani ndodhemi  në udhëkryq dhe nga do që të anojmë do të humbasin, sepse as na do Turqia si shqiptarë me histori kryengritëse, as na do Evropa si njerëz kokë fortë, që po hezitojmë të heqim dorë nga islami, i cili te shumica dërrmuese shqiptare identifikohet me emra, me festa të Bajramit të Madh e të Vogël, me agjërim të një pjese mbase në rritje, por pa u lagur fare për avdes, namaz, zeqatë, haxhillëk etj.

Fati ynë është vetë bota jonë, larg Turqisë po aq edhe larg Evropës. Vetëm me një Shqipëri të bashkuar mund të shpëtojmë nga kthetrat e Turqisë dhe nga vargonjtë  e hekurt të Evropës së krishterë.

Çfarëdo kompromisi në njërën palë duke mohuar palën tjetër paraqet rrezik, sepse shqiptarët me tolerancën e tyre fetare, me ndjenjën e fuqishme të gjakut, gjuhës, besës traditës, tashmë kanë ndërtuar një identitet të stabilizuar që do t iu përballojë edhe dy perandorive të reja e të vjetra, Turqisë unioniste dhe Evropës globaliste.

Mbi këtë bazë është ndërtuar nacionalizmi shqiptar i kohës së Rilindjes kombëtare, mbi këtë bazë ishte kalitur nacionalizmi shqiptar edhe në kohën e Enver Hoxhës në Shqipëri  dhe vetëm mbi këtë bazë mund  të mbijetojë. Gjatë shekujve kemi jetuar nëpër këmbët e perandorive dhe ia kemi dalë, andaj nuk ka pse na duhet Evropa, e cila iu bëri tapi tokat tona fqinjëve tanë serbë, grekë e bullgarë dhe nuk na pranon në radhët e veta, por nuk na duhet as Turqia njerkë  e Babës Mbret, apo e vëllait Erdogan, i cili për nevoja të veta të shtrirjes ekonomike e strategjike, tash është kujtuar të  thirret në të kaluarën e përbashkët, duke harruar se gjyshërit e stërgjyshërit tanë edhe pse u vranë në Krime, në Plevne, në Siri e Egjipt e më vonë edhe në Çanakala në vazhdimësi ishin trajtuar si bijtë e njerkës.

 Kemi jetuar gjatë shekujve duke luftuar në të gjitha anët dhe kemi arritur ta ruajmë bërthamën, ADN-në tonë kombëtare, madje edhe më shumë sesa duhet, deri edhe demokratike e të përfillshme ndaj fqinjëve grabitqarë.  Tani jemi afër shtatë milionë në Ballkan, por aq edhe nëpër botë, në Turqi, në vendet e lindjes dhe perëndimit deri në Amerikën e largët. Dhe, në kohën kur popujt përreth po shuhen gradualisht të përfshirë nga Murtaje e bardhë, shqiptarët kanë krijuar imunitet biologjik, historik  e mendor kundër kësaj sëmundje,  që i ka kapluar fqinjët tanë dhe shtetet e Evropës.  E ardhmja, është e jona, Nuk ka pse na duhet Evropa që po na injoron, as Turqia e cila për ne është kujtuar tepër vonë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …