Kaloi edhe një ditë tanimë e rëndomtë në kushte dhe rrethana të cilat mbretërojnë kudo në zonat e përfshira në luftime. Gjithçka të duhet e pasigurt, e paqëndrueshme, sikur diçka ka mbetur pezull dhe të gjithë ndodhemi në pritje, ashtu sikur në pritje të ndonjë sulmi të befasishëm. Por edhe në kushte dhe rrethana të tilla gjallojmë, nuk dorëzohemi. Për më tepër po mësohemi dhe po e bindim vetveten se na presin sfida edhe më të rënda, ditë edhe më të vështira.
Forcat vrastare serbe nuk po tërhiqen nga terreni as pas kërcënimit të NATO-s, as pas afatit dhjetëditësh. Ende nuk ka asnjë lëvizje që të bën të besosh se do të ndodhë diçka e veçantë.
Në orët e para ditës kanë ardhur për të biseduar mjeku Fatmir Xhelili, pastaj Reshat Gashi dhe Nusret Gashi. Fatmiri përgjithësisht është në rrjedhë të të gjitha zhvillimeve në anën tonë. Ai shkon dhe vjen ilegalisht por është krejt e pabesueshme që për këtë nuk di policia e Shtimes apo Shërbimi Sekret serb. Fatmirin këtu e njohin, madje ka në këtë mes edhe të atillë që bashkëpunojnë me policinë dhe përditë çojnë informacione. Ndoshta serbët e përcjellin dhe duan ta zënë në vepër, ndoshta duan ta befasojnë në mënyra të tjera. Krejt këto gjëra më brengosim tejmase.
Nusreti ka një natyrë specifike. Është tejet i çiltër dhe praktik. Bën punë shumë, është i vëmendshëm. Që në fillim ka shprehur dëshirë të angazhohet drejtpërdrejt në luftime, por kemi konsideruar se është prej atyre që më shumë mund të na ndihmojnë në këtë mënyrë. Dhe, nuk jemi gabuar.
Në orët e pas ditës më lajmërojnë se në odën e Sylë Qeriqit ka ardhur Shaban Halimi prej Godancit me vëllanë e vet, me një bashkëfshatar dhe me një ushtar të Zcorcit. Shabani ka ardhur të shprehë ngushëllime për Jetë Hasanin. Disa javë më parë, Jeta me disa ushtarë e ka vizituar Shabanin në shtëpi të tij në Godanc dhe ka kërkuar nga ai që të heqë dorë nga LDK-ja.
Njëri nga ushtarët me rastin e hyrjes e ka parë të turbulluar duke bërë përpjekje për ta asgjësuar një letër. Ushtarit i ka shkuar përdore që ta zbulojë letrën në të cilën ka qenë i shënuar emri dhe mbiemri i një nëpunësi serb të sigurimit dhe numri i tij i telefonit. Gjatë qëndrimit në shtëpinë e tij Shabani ka treguar se e njeh serbin dhe ka kërkuar nga ai t`ia mundësojë vizitën në spital, për ta parë një të sëmurë. Jeta e ka përmbyllur problemin, meqë nuk ka dyshuar në Shabanin, mirëpo letrën të cilën ne e kemi sido qoftë, është një dëshmi jo e mirë e bashkëpunimit.
Gjatë bisedës së shkurtër me Shabanin hetoj se ai ka shqetësime të veçanta ndoshta edhe dhembje për Jetë Hasanin. Është njeri i pavendosur. Edhe pse disa herë e kanë marrë në polici në bisedë informative dhe e kanë maltretuar fizikisht. Ai nuk ka ofruar ndonjë ndihmë, sikur zakonisht bëjnë ata që për një punë ose tjetër vijnë te ne.
Në mbrëmje ndahemi me të gjithë. Për të depërtuar në rrugët zigzage të Blinajës janë nisur Fatmir Xhelili, Nusret Gashi, Naim Imeri, Vehbi Zeqiri dhe përcjellësit e tyre, me traktorë.
Përshëndetemi me të gjithë. Ata nisen në rrugën e rrezikshme të paparashikueshmërisë, ndërsa ne mbesim nën rrethim, të pasigurt se do të shihemi edhe në javën tjetër, por fortë të besueshëm se nuk ka më kthim prapa.
Në mbrëmje, mbi fshatrat tona ka ateruar ulët dhe plot zhurmërimë mbytëse një aeroplan ushtarak i forcave të okupatorit.
Në lajmet e mbrëmjes bëhet e ditur se disa gjeneralë të NATO-s e kanë vizituar rezidencën e kryekriminelit në Beograd. Afati dhjetëditësh sipas marrëveshjes së ashtuquajtur, Hollbruk Milosheviq skadon nesër. Në mos më shumë kërcënimi i NATO-s do të mbetet në fuqi.