Ahmet Qeriqi: Vizita e mirëpritur e Tadiqit, në Tiranë, është thikë pas shpine kundër pavarësisë së Kosovës

 


Zëvendës-ministrja e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, Edith Harxhi, ka konfirmuar  lajmin lidhur me vizitën e shpejtë dhe të pa pritur të kryetarit të Serbisë,  Boris Tadiq në Tiranë, duke e cilësuar  këtë si një vizitë historike. Duke folur lidhur me këtë vizitë, Harxhi ka sqaruar se  Kryeministri  Sali Berisha e ka bërë bisedën. Ai mund të thotë kur do të ndodhë dhe si do të ndodhë kjo vizitë, ndërsa unë mund të them, po, do të bëhet së shpejti, ka thënë Harxhi, në një intervistë dhënë “Albanian Daily News”. Kjo zyrtare e Qeverisë Berisha ka deklaruar se vizita e Tadiqit në Tiranë do të ishte një mundësi tjetër për të thyer barrierat psikologjike midis dy vendeve. Tani është e qartë se po hyjmë në një fazë të re të marrëdhënieve tona, kur mund ta vizitojmë më shpesh njëri-tjetrin në nivelet më të larta. Harxhi  ka theksuar se kryeministri Sali Berisha është shumë i angazhuar për këtë vizitë, të cilën e ka pritur  për një kohë të gjatë, meqë ai e ka kuptuar  se serbët kanë përparësi të tjera, si integrimi evropian dhe gjërat kanë ndryshuar, sepse sipas bindjes së tij, nuk është më Serbia e Milosheviqit dhe kjo  Serbia e sotme me mençuri të madhe po vazhdon të lëvizë drejt integrimit evropian ka deklaruar, zonja Harxhi.


Këto konstatime të kësaj zyrtareje, dhe mënyra sikur ajo i ka shfaqur për opinion  me shumë dashamirësi, të ngjyrosura me një servilizëm tipik,  zbulojnë edhe kësaj radhe qëndrimin kurdoherë servil dhe skllavërues, ndaj Beogradit,  jo vetëm të Qeverisë aktuale të Tiranësa, por të të gjitha qeverive të Shqipërisë prej vitit 1991.


Pritja, e paralajmëruar si vizitë “historike” dhe  me nderime e Tadiqit në Tiranë, (vizita e parë e një kryetari të Serbisë, në Shqipëri) në kohën kur Tadiqi dhe Beogradi zyrtar, përditë hedhin helm kundër pavarësisë së Kosovës, përditë deklarojnë se kurrë nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës, lë për të dyshuar  për shumëçka, mund të zihet në kazanin skëterrë të Sali Berishës, tani kur Shqipëria po fundoset në ujë, në radhë të parë për shkak të papërgjegjësisë dhe  keqqeverisjes së tij. Berisha është tejet i interesuar, që vëmendjen e opinionit të brendshëm ta zhvendos në një drejtim, që atij i konvenon për të qëndruar me çdo kusht, dhe sa më gjatë, në pushtet.


Duke folur lidhur me bisedimet e Serbisë me Kosovën dhe pozitën zyrtare të Beogradit në këto bisedime,  zyrtari i lartë i qeverisë së Serbisë Oliver Ivanoviq ka deklaruar për agjencinë “Tanjug”, se pala serbe do të dalë me platformë për bisedime me Prishtinën, në atë moment kur të krijohen kushte. Këto bisedime bazën e vet e kanë në  kushtetutën e Serbisë, ku shkruan se Kosova është pjesë përbërës e Serbisë dhe se këto bisedime do të zgjasin me vite të tëra, derisa Beogradi zyrtar të arrijë qëllimet e veta, ka saktësuar  Oliver Ivanoviq, duke folur për agjencinë “Tanjug”, duke saktësuar se në këtë pozicion të fortë të Beogradit asgjë s’mund të ndryshohet. Është e pamundur që kushdo qoftë nga Serbia, në çfarëdo kushte qofshin ato, të niset nga një pozicion tjetër.


Ky është pozicioni zyrar i Serbisë lidhur me bisedimet, të cilat sipas mendësisë së Tadiqit, janë bisedime në relacion: Beograd-Prishtinë, duke u nisur nga qëndrimi se Kosova është pjesë e Serbisë, pavarësisht se ajo e ka shpallur pavarësinë të cilën e kanë pranuar 72 vende të botës, në mesin e tyre edhe Republika e Shqipërisë.


Paralajmërimi, për mikpritjen zyrtare të  Tadiqit, në Tiranë, nga  Sali Berisha, në prag të fillimit të bisedimeve mes autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit, doemos se ka të bëjë pikërisht me këto bisedime, ku dihet mirëfilli se BE-ja dhe shtetet mike të Serbisë në Evropë e në botë, do të bëjnë përpjekje ta devalvojnë pavarësinë e Kosovës, e cila edhe realisht devalvohet në çfarëdo lloj bisedimesh, që pranon të bëjë kreu i Kosovës me Beogradin zyrtar, kur qëllimet antishqiptare  të Qeverisë së Serbisë janë të njohura për tërë botën, dhe me siguri jo të pa njohura edhe për Sali Berishën, i cili, dorën në zemër, ndaj Serbisë gjithnjë ka shprehur dhe ka mbajtur  një sentiment të veçantë, pak më shumë se miqësor, jo vetëm për shkak të miqësisë edhe familjare, por edhe për diçka tjetër, jo sa duhet të njohur për opinionin e gjerë.


Doemos se me këtë rast duhet të përkujtojmë se ishte pikërisht Sali Berisha, në vitet 1992-1995, gjatë luftës në Kroaci dhe në Bosnje, që kishte thyer embargon e bashkësisë ndërkombëtare dhe kishte lejuar derdhjen e naftës nga Greqia dhe Shqipëria në drejtim të makinerisë e krimit të regjimit të Sllobodan Milosheviqit, i cili masakronte mizorisht kroatë, myslimanë e shqiptarë, duke vënë në jetë plane për shfarosjen e popujve joserbë dhe dëbimin e tyre nga trevat etnike e historike. Në kohën kur biznesmeni me origjinë nga Kosova, Remzi Hoxha kishte zbuluar këtë bashkëpunim si dhe vizitën e fshehtë të Arkanit dhe Sheshelit në Shqipëri,  lidhur me thyerjen e embargos dhe spiunimin që iu bë grupeve të çlirimtarëve të ardhshëm të Kosovës, që kryenin stërvitje në disa garnizone të Shqipërisë, ai u kidnapua nga Shërbimi Sekret i Berishës dhe u zhduk ende pa shenjë e gjurmë.


Janë edhe shumë e shumë zhvillime të tjera, krejtësisht antishqiptare që kanë ndodhur gjatë qeverisjes së Berishës, në raport më UÇK-në dhe luftën në Kosovë, për të cilat nuk do të shkruajmë me këtë rast.


Vizita e Tadiqit në Tiranë, në kohën kur në humbëtirat e kësaj sodome ndodhen eshtrat e mijëra shqiptarëve dhe pjesëtarëve të popujve të tjerë jo serbë, të cilët edhe 11 vjet pas luftës trajtohen si të zhdukur, në kohën kur humanistët dhe gazetarët  serbë flasin edhe për djegien e mijëra shqiptarëve të tjerë, në Shkritoren “Maçkatica” të Serbisë, në kohën kur marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë janë krejtësisht armiqësore, kuptohet për shkak të qëndrimit antishqiptar të Beogradit, nuk duket se mund të jetë një vizitë për “pajtim historik të shqiptarëve e serbëve”, sikur ka paralajmëruar me kohë kryetari Tadiq dhe sikur ka aprovuar, pa e pyetur asnjë shqiptar,  kryeministri i Shqipërisë,  Sali Berisha.


Paralajmërimi i kësaj vizite, dhe vizita e mirëpritur e Tadiqit, në Tiranë doemos se do të bëhet mbi kurrizin e pavarësisë së Kosovës dhe kjo ndo të jetë një thikë edhe kundër idesë, gjithnjë në rritje, për bashkimin e kombit shqiptar. Jo rastësisht,  Sali Berisha, pak ditë më parë  ka deklaruar se ideja e Bashkimit kombëtar të shqiptarëve është ide e keqe dhe sipas tij, qenka  ide e  atyre njerëzve që kërkojnë konflikte. (!)


Ky konstatim antihistorik dhe antikombëtar i Sali Berishës, flet vetvetiu për predispozitat e tij, jo vetëm emocionale  e nostalgjike karshi Serbisë, por  dhe në raport me  çështjen e  pazgjidhur gjithëshqiptare në Ballkan. Berisha vazhdon të jetë garant i ruajtjes së kufijve të Serbisë, Greqisë, Maqedonisë e Malit të Zi, ku jetojnë disa milionë shqiptarë, pa të drejtë bashkimi të natyrshëm me shtetin e tyre të përbashkët, ashtu sikur jetojnë bashkë me një shtet, grekët, serbët, bullgarët e popujt e tjerë të Ballkanit.


Pazari i Berishës me Tadiqin, në Tiranë,  në kurriz të Kosovës dhe çështjes së pazgjidhur shqiptare, mund të jetë më i rrezikshëm sesa mendojnë analistët e moderuar shqip-shkronjës pro serbë e pro grekë, të cilët e kanë përshëndetur tashmë, këtë vizitë, si historike për marrëdhëniet Beograd Tiranë. 

Kontrolloni gjithashtu

Ministrja, Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …