Në historinë e popullit shqiptar janë shënuar një mori emra miqsh dhe dashamirës të popullit tonë, në mesin e tyre edhe të tillë, që janë ngulitur thellë në memorien tonë kombëtare, në saje të përkushtimit, përkrahjes që na kanë dhënë në momente kyçe të historisë së ekzistencës dhe mbijetesës sonë. Pa hulumtuar thellë në faqet e panumërta të historisë, do të ndalojmë te kryetari amerikan, Thomas Woodrow Wilson (28 dhjetor 1856 – shkurt 1924)1), i cili në Lidhjen e kombeve me veton e tij, shpëtoi shpërbërjen e Shqipërisë nga harta e Ballkanit, edhe pse dy të tretat të territorit të Shqipërisë së Katër Vilajeteve i kishin pushtuar fqinjët malazezë, serbë, bullgarë e grekë, me përkrahje direkte të Rusisë dhe përkrahjes të të gjitha shteteve të Evropës.
Një tjetër personalitet, që ka ngelur thellë në memorien e shqiptarëve ka qenë edhe zonja Editt Durham, 2) e njohur edhe si “princesha shqiptare”, e cila me shkrimet dhe publikimet e saj përhapi në Evropë të vërtetën për Shqipërinë dhe shqiptarët, pikërisht në kohën kur Shqipëria ndodhej buzë greminës fatale dhe po luftonte në të gjitha anët për mbijetesë.
Në kohën tonë, në kohën e luftës së UÇK-së dhe përpjekjeve shekullore për çlirim dhe bashkim kombëtar, janë shquar mjaft miq, në mesin e tyre edhe Bill Clinton, Medlin Olbrajt, Toni Bler, Vesli Klark, Xhemi Shea e të tjerë, të cilët ndihmuan popullin shqiptar të Kosovës të dalë nga robëria shekullore dhe të ruajë bërthamën ekzistenciale nga regjimi fashist i Beogradit i kohës së Milosheviqit.
Në këtë mes kemi edhe një emër, që nuk ishte anonim, por ishte një personalitet që kishte bërë emër me qëndrimet e tij të drejta, në disa misione ndërkombëtare, në vende të ndryshme të krizave, në botë. Ai ishte, diplomati amerikan, William Walker, i cili kishte udhëhequr Misionin Verifikues të OSBE-së në Kosovë, prej vjeshtës së vitit 1998 deri në prag të fushatës ajrore të NATO-s.
Në historinë më të re të Kosovës, ai paraqitet më 15-16 janar të vitit 1999, kur si kryesues i Misionit, në detyrë zyrtare, kishte vizituar Reçakun për të verifikuar të dhënat lidhur me luftimet e forcave të ushtrisë e Policisë jugosllave kundër një baze të UÇK-së, në Reçak dhe pasojat me të cilat ishte përballur popullata civile e atij fshati.
Prej ditës, kur me një trimëri kalorsiake Robin Hudiane kishte deklaruar të vërtetën pa i marrë parasysh pasojat e mundshme, të cilat ishin shumë të rrezikshme, ai pasi i kishte parë të gjitha kufomat e 45 civilëve shqiptarë, pasi pa me sytë e tij dëmtimet fizike të kufomave, veprimet sadiste të masakruesve, tha botërisht: Në Reçak është kryer një krim i shëmtuar, krim kundër njerëzimit mbi popullatën e pambrojtur civile. Ato fjalë të tij reflektuan qiellin informativ të mbarë botës, e cila e mësoi një të vërtetë trishtuese, që kishte ndodhur në një fshat të varfër të Kosovës, ku 9 ushtarë të UÇK-së kishin rënë në mbrojtje, ndërsa serbët pasi kishin depërtuar me këmbësori në fshat, kishin kryer një krim të pashembullt deri atëherë, në këto anë.
Pavarësisht se Qeveria e Beogradit e shpalli person të padëshiruar në krye të Misionit që ai përfaqësonte, Voker nuk u dha, as ndryshoi gjë në deklaratat e tij, përkundrazi mbrojti me realizëm e trimëri krejt atë që kishte parë dhe përjetuar gjatë asaj dite dhe ditëve në vijim.
Fjala e tij godit në shenj dhe alarmoi botën demokratike përparimtare, e cila mobilizoi radhët dhe “ia bëri benë” kryekriminelit të popujve të Ballkanit, Sllobodan Milosheviq. Dihet botërisht se krimi e Serbisë në Reçak, solli Konferencën e Rambujesë të shkurtit e marsit të vitit 1999, ku në delegacionin e Prishtinës, Ushtria çlirimtare e Kosovës kishte fjalën kryesor dhe ishte legjitimuar si forcë, pa të cilën, nuk mund të bëheshin bisedime as të merreshin vendime të nivelit diplomatik ndërkombëtar për Kosovën. Konferenca, meqë nuk e përfilli as e nënshkroi kreu politik e ushtarak i Serbisë, solli edhe bombardimet e NATO- kundër ish Jugosllavisë, prej 24 marsit derë më 10 qershor të vitit 1999.
Roli i Vokerit në zbardhjen e së vërtetës së Reçakut ishte vendimtar.
Prej asaj kohe e deri sot, z. William Walker, ka qenë dhe po mbetet sinonimi më i përkushtuar i respektit për njeriun e thjeshtë, në nevojë, sinonim i solidarësisë njerëzore, i miqësisë së vërtetë, që është gurë themel i qytetërimit njerëzor. Populli shqiptar i nderon dhe i respekton miqtë. Në Kanunin e Lekë Dukagjinit është shumë e njohur mikpritja shqiptare. Ishte pikërisht kjo mikpritje në besë, që shpëtoi mijëra hebrenj gjatë luftës së Dytë Botërore.
Reçakasit, banorët e Shtimes dhe të tërë Kosovës, mikut të tyre të madh, pikërisht në Kompleksin Memorial, në Reçak, ku prehen në përjetësi martirët e dëshmorët e këtij fshati, në 18-vjetorin e Masakrës, më 14 janar 2017, i kanë zbuluar shtatoren e përjetësisë, të cilën ia kanë ngritur në shenjë humanizmi, dashurie të sinqertë mes popujve e kombeve, të solidarësisë, vlera këto më humane që ka ndërtuar qytetërimi njerëzor.
Emri i William Walkerit, do të rrojë në përjetësi, aq sa do të rrojë, Reçaku, Kosova, jeta dhe bota jonë përgjithësisht.
***
- Kryetari amerikan Thomas Woodrow Wilson (28 dhjetor 1856 – shkurt 1924, ka qenë një mik i përhershëm i shqiptarëve. Ka mbetur prej Tij shprehja lapidare “një votë kam edhe atë do t’ia jap Shqipërisë”. Ai ishte kryetar i delegacionit amerikan në Konferencën e Paqes në Versajë (1919-1920); hartues i Deklaratës së 14 pikave të shpallura më 8 janar 1918, ku kërkohej vendosja e paqes mbi bazën e parimit të kombësisë dhe vetëvendosjes së popujve; ideator i Lidhjes së Kombeve; Kundërshtoi kompromisi anglo-franko-italian në janarin e 1920, e cila parashikonte kalimin e Shkodrës dhe Shqipërisë së Veriut në kufijtë e Mbretërisë Serbe-kroate-sllovene vetëm të drejtën e një daljeje ekonomike në territorin e shtetit shqiptar; Ndërhyrja e kryetarit U. Uilson ishte fitim kohe për Lëvizjen Kombëtare shqiptare e cila e organizoi Kongresin e Lushnjës (28-31 janar 1920) dhe Luftën e Vlorës (11 qershor- 2 gusht 1920), që siguruan tërësinë tokësore dhe pavarësinë e Shqipërisë. Pas vdekjes së Presidentit U. Uilson, Asambleja Kushtetuese më 4 shkurt 1924, nderoi kujtimin e tij, njeriu që e shpëtoi Shqipërinë nga shpërbërja.
- Mary Edith Durham (1863-1944) ishte një udhëtare, artiste, shkrimtare britanike që u bë e famshme për shkrimet e saj antropologjike rreth jetës në trojet shqiptare, në fund të shekullit të XIX dhe fillim të shekullit të XX.
Zonja Durham u njoh shumë afër dhe përkrahu çështjen shqiptare për pavarësinë dhe bashkimin e shqiptarëve. Por kjo bëri që të fitonte një reputacion të keq prej etnocentrikeje dhe më vonë do të kritikohej dhe ri-kritikohej nga përkraheshit e shtetit Serb, të cilët synonin shkëputjen e plotë të territorit të Kosovës të banuar kryesisht nga shqiptarë, nga territoret shqiptare për t’a futur në territoret sllave.
Shqiptarët e kanë nderuar dhe e nderojnë akoma Editin dhe kanë respekt për të. Ajo sipas shqiptarëve është “Mbretëresha e Malësorëve.” Ajo u mirëprit nga malësorët shqiptarë dhe gjatë kalimit të saj në këto vise nuk pati asnjë keqtrajtim edhe pse ishte një femër e vetme. Përshtypje të mbetura nga Shqipëria ishte tradita e “Burrneshave Shqiptare”, që ishte një zakon ku femrat visheshin si burra dhe kishin një pozitë të qartë në shoqëri. Për 20 vjet ajo udhëtoi dendur nëpër Ballkan duke u fokusuar më shumë në çështjen shqiptare, që atë kohë ishte një nga zonat më të izoluara e të prapambetura të Evropës. Ajo punoi gjerësisht duke pikturuar, shkruar dhe duke mbledhur artin dhe folklorin e zonave nga kaloi. Pavarësisht nga kjo, vetëm shkrimet e saj do t’i jepnin famë të madhe. Ajo shkroi 7 libra rreth çështjeve të Ballkanit, nga të cilët “High Albania” (Shqipëria e Epërme) e shkruar në vitin 1909 është më e njohura dhe më e arrira. Ky libër akoma edhe sot e kësaj dite është një udhërrëfyes i mirë i kulturës dhe traditave të malësorëve të Shqipërisë Veriore. Është për t’u theksuar që artikujt e saj për revistën Njeriu (Man) e bëri atë një pjesëtare të njohur të Institutit Mbretëror te Antropologjisë (The Royal Anthropological Institute).
15. 1. 2017, Shtime.