Në mëngjes Heset Hamdiu, më bën me dije se mikut të tij prej Reçakut, tani për tani nuk iu ka pranuar kërkesa për inkuadrim në rradhat e UÇK-së, duke qenë se në vitet e tetëdhjeta ka shërbyer në polici. Miku i Hesetit e ka sjellë edhe automatikun, i bindur se do të pranohet në radhët e ushtarëve. Shukri Buja dhe Isak Musliu, apo Çerçizi sikur e quajnë të gjithë, kanë premtuar se rasti i tij do të shqyrtohet, dhe posa të sigurohen të dhëna që flasin se nuk ka maltretuar shqiptarë liridashës, do të pranohet në UÇK.
Luani, sot pas dite e ka çarmatosur një ushtar të ri të Shalës, për shkak se ai ka zbrazur një shanzer me municion në kullën e tij, edhe pse e ka ditur se asnjë plumb nuk guxon të zbrazet kot. Duket se është fjala për një djalë të ri zevzek dhe i papërgjegjshëm.
Në mbrëmje ka ardhur në vendqëndrimin tonë në Krojmir, kushëriri i ushtarit të demobilizuar, arsimtari, Muhamet Karpuzi. Ai, ka kërkuar falje për veprimin e papërgjegjshëm të ushtarit dhe ka premtuar se nuk do ta përsërisë gabimin. Tani për tani Luani nuk e ka ndërmend t ia japë sërish armën. Muhameti është kthyer mjaft i shqetësuar dhe i prekur, por me siguri se pa vonuar shumë arma do t’i kthehet kushëririt të tij, një i ri naiv i cili nuk është përmbajtur pa e shkrepur armën, në shenjë gëzimi.
Për një punë të një natyre tjetër, te ne është orientuar edhe Sami Drenica, drejtori i shkollës tetëvjeçare të Shalës. Ai, nuk pranon të hyjë në odë por fillon të ankohet në veprimet, sipas tij të papërgjegjshme të disa ushtarëve tanë të cilët e kanë arrestuar kushëririn e tij të quajtur, Qerim, i cili ditë më parë është parë duke pirë birrë në një kafiteri të Magurës, me kryekriminelin Gjura Tanaskoviqin. Samiu, mundohet t i arsyetojë veprimet e kushëririt, i cili sipas tij, ka biseduar me Gjurën, për të siguruar vaj motorik për kombajë dhe traktor. Ai po ashtu nuk e mohon faktin se kushëriri i tij mbanë lidhje me Gjurën.
Agresiviteti i Samiut është i përzier me një urrejtje kundër UÇK-së, edhe pse nuk e shpreh hapur, ndërsa mënyra me të cilën i arsyeton veprimet e Qerim Drenicës, është tejet e papërgjegjshme dhe tregon disponimin e tij të hapur kundër luftës.
Gjura Tanaskoviqi është një kriminel serb, i martuar me një shqipfolëse të Magurës. Ai e zotëron dhe e flet mjaft mirë gjuhën shqipe. Ka të dhëna që flasin se ka marrë pjesë të drejtpërdrejtë në masakrën e 28 shkurtit në Qirez dhe në Likoshan. Ai ka vepruar në fshatrat e Drenicës jugore dhe është i njohur për ndjekje dhe maltretim të atdhetarëve shqiptarë. Me dinakëri dhe pefiditet ai ka arritur të krijojë vegla të verbra në mesin e disa shqiptarëve, sidomos në Shalë dhe në Krojmir.
Grupi ilegal i UÇK-së në Krojmir, të cilin e kanë kryesuar dhe ende e kryesojnë, Sylë Qeriqi, Jetë Hasani, Elez Durmishi, Ramiz Qeriqi e të tjerë, prej vitit 1993, ka mbajtur shënime për çdo lëvizje të policisë dhe kanë shënuar me besnikëri çdo hyrje me miqësi dhe çdo intervenim në shtëpitë e bashkëfshatarëve të caktuar.
Në fletorët janë të shënuar të gjithë bashkëpunëtorët e regjimit, me fakte e argumente duke shënuar ditën, datën, orën e caktuar, muajin e vitin, kur kanë pirë apo kur kanë ndenjur nëpër oda policët serbë. Është brengosës fakti se në mesin e bashkëpunëtorëve, ka edhe jmësues.
Tre apo katër prej tyre që janë marrë në hetime nga ushtarakët tanë i kanë pranuar veprat e tyre të damkosura, duke kërkuar falje, dhe duke e justifikuar tradhtinë për leverdi dhe përfitime materiale.
Në mesin e këtyre mjeranëve shquhet sidomos, një arsimtar i gjuhës ruse, i cili ka bashkëpunuar hapur me policinë serbe. Ai, në vazhdimësi është shoqëruar me policët dhe në prezencë të fshatarëve shpeshherë u ka thënë policëve, “shqiptarët shtrohen vetëm me dajak! Milici famëkeq Gjura, ka depërtuar shumë thellë në disa familje shqiptare të disa fshatrave të kësaj ane. Duke qenë se e flet shqipen dhe e njeh mirë mentalitetin shqiptar, ai ka arritur me dinakëri të futet nëpër disa shtëpi të drenicasve.
Në shënimet e grupit, janë evidentuar disa pika ku ai vazhdimisht merr informacione. Në shumë raste i ka provokuar ata në të cilët nuk është i sigurt. Ai iu ka imponuar personave të caktuar duke kërkuar nga ata që ta thërrasin në dreka e në darka. Dhe, mjerisht janë të shumtë ata që e kanë pranuar.
Njëherë ka kërkuar edhe nga arsimtari atdhetar, Ramadan Rizani që ta pranojë në odën e tij. Dani i zënë ngushtë me ofertën e papritur të policit, pa menduar gjatë i ka thënë: S’ kam kurrë farë pune me ty dhe për të mirë këmba jote nuk shkelë kurrë në shtëpinë time. Mësuesi Dan këtë ia ka thënë Gjurës dhe pasuesve të tij në prezencë të bashkëfshatarëve.
Disa ditë më pas, Milici Gjurë me disa të tjerë e ka ndaluar në qendër të fshatit, Danin dhe vëllanë e tij Hilmiun, të cilët i ka maltretuar fizikisht, në prani të bashkëfshatarëve. Dani dhe Hilmiu kanë qëndruar të patundur.
Gjura me bandën e tij e ka rrahur në prani të familjes edhe Heset Hamdiun, i cili gjatë kacafytjes me policët i ka ikur arrestimit. Në përleshje kundër policëve kanë marrë pjesë edhe bijat e Hesetit. Policët kanë rrahur dhe e kanë maltretuar sidomos Shefqet Hafir Efendiun dhe të birin e tij si dhe shumë fshatarë të tjerë të cilët nuk kanë pranuar kurrë farë bashkëpunimi, as kontakti me ta.
Rrëfimet për dhunën dhe përdhunimet që i ka shkaktuar bashkëfshatarëve të Krojmirit dhe të fshatrave përreth Gjura, duke bashkëpunuar sidomos me: (Tre rreshta të koduar )Shënimet duhet t i ruajmë me shumë kujdes, sepse ato 700 faqe informata janë dëshmi faktografike për historinë.
Ka më shumë se dy muaj që Gjurë Tanaskoviqi me bandën e tij nuk ka shkelë në Drenicë, por sipas dëshmive që disponojmë, bashkëpunëtorët e tyre depërtojnë tinëz në Lipjan dhe në Magurë dhe mbajnë kontakte me ta. Për kontakte të tilla nga fshati janë ndaluar tre veta, të cilët kanë pranuar bashkëpunimin e tyre me Gjurën dhe me bandën e tij shqiptarë-vrasëse.
Disa nga militantët tanë janë në ndjekje të Gjurës, po sipas të gjitha gjasave ai ka më shumë informacione për ne, se sa ne për të. ( Pesë rreshta të koduar )
-Gjura është në mesin tonë, thotë Jetë Hasani, përndryshe do ta kishim zënë, apo do ta kishim vrarë në pritë deri tani. Jeta po ashtu sjellë sa e sa fakte, duke lënë të kuptohet se akëcili prej ushtarëve edhe aktualisht mbanë lidhje me të. Deri tani kanë dështuar tri aksione, të përgatitura kundër Gjurës dhe masakruesve të tjerë. Fajtorët për këto dështime, Jeta i konsideron disa persona të caktuar, për të cilët dihet se edhe më parë kanë mbajtur jo vetëm kontakte rasti me policinë. Frika se të tillët mund të denoncojnë është prezente dhe i vë dyshime të liga luftës. ( Tre rreshta të koduar )
Lufta Çlirimtare po ndodh në momentin vendimtar. Po të ishim vonuar vetëm edhe një vit, mundësia e veprimit do t ishte kufizuar skajshëm, meqë bashkëpunimi i shqiptarëve të trullosur nga skamja dhe nga politika pacifiste, kumbaria dhe pobratimia me serbë, do të kishte marrë përmasa fatale.
Mendoj se duhet pasur kujdes edhe me arrestimin e bashkëpunëtorëve, sepse, sipas të gjitha gjasave, mjerisht ende ka shumë të tillës. Burgosja tyre mund t i frikësojë të tjerët, të cilët edhe kanë filluar që së bashku me familjet e veta të largohen nga zonat e luftës. Përgjithësisht ende nuk jemi të organizuar për t’u përballuar me të gjitha sfidat, por është me rëndësi të ruhet morali i ushtarëve dhe në radhët tona të pranojmë vetëm të dëshmuarit.