leoni

Ahmet Qeriqi: Zgjedhjet e reja, të parakohshme me emra liderësh të përhershëm

 


Dorëheqja e kryetarit të “ngrirë” të LDK-së, Fatmir Sejdiu nga posti i kryetarit të Kosovës, doemos që solli një krizë institucionale në vend, pavarësisht se po bëhen përpjekje për të tejkaluar krizën, duke mos pranuar faktin se dorëheqja solli edhe rrokullimën e parë drejt një shkapërderdhje të re të forcave, drejt zgjedhjeve të reja në kuptim teknik të fjalës dhe drejt një gare edhe të disa forcave të tjera,  të cilat synojnë të rrëmbejnë ndonjë pozitë apo ndonjë post, në Kosovën ende të protektuar, të pranuar dhe të papranuar nga bota. Akti i dorëheqjes së Fatmir Sejdiut nxori në sipërfaqe jo vetëm keqqeverisjen, shkeljen e Kushtetutës nga njeriu i parë i thirrur për ta mbrojtur dhe për ta respektuar atë, nxori në sipërfaqe jo vetëm paqëndrueshmërinë e koalicionit të panatyrshëm PDK-LDK, por edhe një varg të palarash të tjera, të cilat edhe ashtu nuk do të lahen për shumë kohë, sepse zgjedhjet në Kosovë nuk mbahen për të fituar Kosova, por për të fituar partitë, të cilat i kanë mbajtur dhe po i mbajnë peng proceset e vërteta, historike, të integrimit brendashqiptar, meqë vetëm duke vepruar në segmente të tilla anti integruese, ata kanë edhe miratimin dhe  bekimin e faktorit ndërkombëtar.>>>


 


Në kohën kur kreu i vendit po përgatitet për të shpallur ditën kur do të mbahen zgjedhjet, mujsharët e politikës dhe të gjithë ata që e duan pushtetin më shumë se Kosovën dhe familjet e tyre, tashmë janë kapluar nga ethet për garë dhe drejt asaj që e quajnë, fitore.


PDK-ja aktualisht është partia, e cila në zgjedhjet e fundit parlamentare, por edhe në zgjedhjet vendore  ka fituar shumicën e elektoratit të Kosovës. Ajo tashmë është më monolite përbrenda, me faktin se ka krijuar një garniturë zyrtarësh me përvojë, të cilët me qëllim të konsolidimit të fortë të strukturës aktuale partiake, nuk kanë pranuar të mbajnë zgjedhje e brendshme, për arsye që vetëkuptohen. Pikërisht duke e sforcuar partinë nga brenda, PDK-ja ka arritur të fuqizohet duke pranuar në radhët e veta ish partiakë dhe njerëz që janë pasuruar në  kohën e ish regjimeve, të përkëdhelur dhe të besuar të ndërkombëtarëve, të lakueshmit dhe të përshtatshmit e të gjitha regjimeve. Duke vepruar në këtë drejtim kreu i kësaj partie ka futur brenda  radhëve shumë nga  ish kundërshtarët ideologjikë dhe politikë, të cilëve iu ka dhënë favore, i ka përvetësuar dhe ua ka mbyllur gojën. Sesa janë të besueshëm miqtë e tillë në politikë, kjo është provuar sa e sa herë, sepse nuk thuhet kot se në politikë ka vetëm kundërshtarë të vërtetë, por  jo edhe miq të vërtetë.


Megjithatë, PDK-ja, e cila aktualisht e ka shumicën e elektoratit mund të fitojë më shumë vota sesa partitë e tjera, edhe pse nga radhët e saj ka pasur disa largime individësh të pakënaqur, të cilët kanë  mbetur në margjina, ashtu sikur ndodh rëndom me individë të tillë nëpër çdo parti politike.


 


LDK-ja, sipas të gjitha gjasave  do të jetë humbësja më e madhe në zgjedhjet e ardhshme, për shkak të përçarjeve të thella të brendshme dhe për shkak të shkapërderdhjes së elektoratit.  Pretendentët kryeneçë, të etur për pushtet, tashmë kanë paralajmëruar konkurrencë të fortë brendapërbrenda dhe në këtë proces LDK-ja, duket se  mund ta reprizojë Kuvendin e shkizmës së nëntorit të vitit 2006. Me Bujar Bukoshin, Eqrem Kryeziun, Lutfi Hazirin dhe Isa Mustafën LDK-ja nuk mund të konsolidohet, por vetëm mund të pjesëzohet, ashtu sikur është copëtuar dhe ka pjellë  sa e sa herë deri tani. Po kështu, mbi këtë parti rëndon edhe faji i kryetarit të LDK-së, Fatmir Sejdiu, i cili ka shkelur Kushtetutën dhe tashmë e ka shkrirë aktivitetin në parti. Kundër konkurrencës së tij në parti janë dëgjuar zëra të kuadrove të lartë të LDK-së, ndërsa ditë më parë kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa është cituar të ketë deklaruar se prania gjatë vizitës në Mitrovicë, së bashku  me kryetarin e LDK-së, Fatmir Sejdiu nuk nënkupton edhe mbështetjen për kryetarin aktual të partisë.


 


Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tani kur kryetari, Ramush Haradinaj ndodhet në Hagë, po ashtu nuk ka fare gjasa ta shtojë elektoratin në zgjedhjet e përgjithshme, që pritet të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm, sepse, duke  qenë parti e kultit  të individit, ajo nuk mundet dot pa kreun, meqë në AAK nuk ka një lider tjetër, që do ta zëvendësonte kryetarin, Ramush Haradinaj. Edhe pse krejtësisht i pafajshëm, Haradinaj do të mbahet në burg derisa të kalojë procesi zgjedhor, për shkaqe që vetëkuptohen, meqë mujsharët e politikës ndërkombëtare (EULEX- UNMIK, KFOR) edhe kësaj radhe do të kenë tepër kujdes, që edhe në zgjedhjet e reja të fitojnë të lakueshmit dhe të dëgjueshmit, edhe pse, thënë të vërtetën, Ramushi është treguar mjaft i dëgjueshëm karshi të huajve, por nganjëherë ka rrëshqitur dhe ka bërë nga një deklaratë, e cila ka irrituar UNMIK-un, EULEX-in e sidomos Beogradin zyrtar.


 


Gjasat për rritjen e elektoratit nga radhët e AKR-së dhe LDD-së janë kurrëfare, për shkak se këto dy parti kanë humbur jo vetëm nga disa deputetë, por edhe anëtarësinë nga qytetet e krahinat e deputetëve, sikur është rasti i shpërbërjes së LDD-së në Ferizaj e gjetkë. Pacolli e Daci janë tejkonsumuar me retorikat e tyre boshe dhe veprimet e tyre shpeshherë të papërgjegjshme.


Ora e Surroit tashmë është ndryshkur dhe nuk i lëvizin dot akrepat.


PSD-ja e Agim Çekut  është larg mundësisë për të kapërcyer pragun e paraparë zgjedhor, meqë orientimi politik,  socialist dhe socialdemokrat, njerëzve tanë në Kosovë u përkujton kohën e pushtuesve jugosllavë, edhe pse Agim Çeku ishte në mesin e liri- bërësve të Kosovës, edhe pse në mesin e kësaj partie ka edhe kuadro me kredibilitet dhe veprimtari të shquar kombëtare.


 


E veçanta e këtyre zgjedhjeve gjithsesi se do të jetë pjesëmarrja në garë e Lëvizjes  apo partisë Vetëvendosje, e cila tashmë ka filluar fushatën e konsolidimit, kryesisht nëpër qytete. Lideri, Albin Kurti ka bërë të ditur se do të marrë pjesë në zgjedhje me një program pak më specifik, por  duke qenë se në Kosovë qeverisjen e vërtetë e ushtrojnë mujsharët e huaj, gjasat për ta kaluar pragun zgjedhor  nga kjo parti do të jenë të vështira. Fakti se Lëvizja u shndërrua në një subjekt politik, që do të garojë në zgjedhje, ka zbehur tejmase qëllimin dhe besueshmërinë e vërtetë të saj, meqë vetë Kurti ka kritikuar sa e sa herë  tërë spektrin aktual politik, madje edhe duke e akuzuar për bindje të verbër, poltronizëm ndaj të huajve, anashkalim të konceptit të vetëvendosjes dhe realizimit të aspiratave  kombëtare. Investimi i gjatë kohor në atë drejtim tashmë mund të kthehet si bumerang, pavarësisht se Kurti po tregohet si politikan i regjur në koniukturat e politikës aktuale.


Edhe Lëvizja për Bashkim nuk ka arritur ta shtojë elektoratin për faktin se ideja e bashkimit të kombit është dëmtuar rëndë nga tri qendrat kryesore të politikës shqiptare, në Tiranë, Prishtinë dhe në Shkup. Me këtë Lëvizje nuk janë bashkuar as partitë e vogla, kryesisht të vetë-deklaruara si të djathta, të cilat verbalisht angazhohen për bashkimin e kombit, por nuk bashkohen dot as me njëri tjetrin rreth kësaj ideje.


Fryma e re e OJQ-ve të KIPREDit, me siguri se do të ngel në akrepat e ORË-s  tashmë të ndryshkur të Veton  Surroit, apo në fatalitetin e socialistëve të Kosovës, që e shkatërruan  LPK-në dhe e varrosen idenë për një parti socialiste të mirëfilltë.


Zgjedhjet e reja të parakohshme nuk do të sjellin asgjë të re për Kosovën, as për qindra mijëra të papunët, as për veteranët e luftës së UÇK-së, as për  mirëqenien e popullit, edhe pse premtimet  në këto segmente do të shumëfishohen. Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen për ta zgjedhur vetëm një kryetar të vendit, i cili mbase nuk do ta shkel kushtetutën, por do të bëjë shkelje të tjera, ashtu sikur kanë bërë të gjithë ata që janë zgjedhur deri tani. Zgjedhjet do të mbahen  për t’ i rizgjedhur, në mos të gjithë, atëherë shumicën dërrmuese të deputetëve, që marrin paga e mëditje mijëra euro në muaj dhe nuk përfaqësojnë interesin e zgjedhësve, por përfaqësojnë interesat e tyre personale, pastaj edhe të partive nga të cilat vijnë. Edhe në këto zgjedhje nuk do të marrin pjesë shumica e qytetarëve të Kosovës, të cilët tashmë janë bindur përfundimisht se me zgjedhje të reja nuk fiton populli, nuk fiton Kosova, por krerët e partive, fitojnë ata që janë pasuruar  dhe përditë po pasurohen dhe ata, të cilët  në emër të votave që do të marrin, sërish do të na qeverisin dhe do t’ i shumëfishojnë favoret  e përfitimet e tyre.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …