Ahmet Qeriqi: Zonja Vdekje e botës së kapitalit, në romanin e Çarls Bukovskit

Ahmet Qeriqi: “Zonja Vdekje”, roman realist, bashkëkohor i shkrimtarit të njohur amerikan, Çarls Bukovski

Shkrimtari i njohur amerikan, Çarls Bukovski (1921-1994) është pasues i frymës Heminguejane në letërsinë bashkëkohore amerikane, i njohur për romanet e tij me tema të mprehta sociale, kundruar nga brenda shoqërisë kapitaliste, “në të cilën ‘s mund të bëje gjë, sepse të gjithë njerëzit mbesin të mashtruar. Nuk kishte asnjë fitues, por vetëm fitimtarë të dukshëm. Të gjithë po gjuanim një hiç të madh. Një ditë pas tjetrës. E vetmja nevojshmëri duket se ishte mbijetesa. Por as ajo nuk ishte e mjaftueshme. Me Zonjën Vdekje në pritje…”

Bukovski në të gjitha veprat e tij e veçmas në këtë roman ka nxjerrë në sipërfaqe anët më të errëta të realitetit të shoqërisë amerikane të kohës, duke segmentuar të gjitha poret e shoqërisë ku kapitali është Zot, Zonjë edhe Vdekje, sepse epidemia e parasë, përfitimet mbi kurriz të tjetrit, luksi i  jashtëm e mashtrues, reklama joshëse, bizariteti i ditës, përfituesit brenda natës dhe humbësit brenda çastit nuk kanë asgjë të sigurt, në rrugën e tyre për të mbijetuar, por të gjithë më në fund gëlltiten nga Zonja vdekje.

Në këtë segment heroi i romanit të Bukovskit, Nik Belan, detektiv pijanec, në Los Angjelos, përpiqet të gjejë punë gjithnjë në një ankth ekzistencial, i pasigurt për ditën e nesërme.

Në përpjekje për të mbijetuar ai paguhet nga bosët e kapitalit, me qëllim  për të hulumtuar dhe për të zbuluar të  shënjestruarit e tyre, viktimat e përditshme të konfliktit të interesave të dy botëve, të cilat përpiqen të mbijetojnë, duke shkelur e duke shfrytëzuar njëra tjetrën.

Duket se shkrimtari i madh amerikan Bukovski, në mbarështimin e temës dhe përmbajtjes së romanit  ka pasur para sysh atë maksimën e njohur latine, “lufta e të gjithëve kundër të gjithëve”, që ka si rezultat luftën e përhershme, të pandalshme për kapitalizim, zvetënim e çoroditje  të çdo segmenti të jetës, sidomos jetës së nëntokës, të kafeneve, prostitucionit, drogës, rrahjeve,  vrasjeve dhe konfliktit të pazgjidhshëm shoqëror, gjithnjë dhe çdoherë kaotik.

I trajtuar si roman detektiv për nga forma dhe përmbajtja e zhvillimit të ngjarjeve si dhe profesionit  të personazhit kryesor, ky roman, për mendimin tim është shumë më tepër se sa është përkufizuar, është një roman realist i nivelit të thellë të pasqyrimit të një bote dekadente, por shumë të fuqishme dhe të qëndrueshme në dekadencën e saj.

Bukovski, në këtë roman ka bërë anamnezën e shoqërisë kapitaliste, të asaj pjese të shoqërisë së nëntokës, ku nuk ka asnjë “personazh pozitiv”, asnjë pikë humanizmi e solidarësie, asnjë mirësi, asnjë çast lumturie të vërtetë. Një botë e kthyer mbrapshtë, ku secili pretendon të fitojë mbi kurrizin e tjetrit, sepse të gjithë duan të mbijetojnë për aq sa munden dhe dinë, por asnjëri nuk fiton përveç “Zonjës Vdekje”, e cila është fitimtarja e përjetshme e një botë në rrokullisje brenda rrokullimës së vet çuditërisht jo vetëm të qëndrueshme por gjithnjë të ricikluar.

Romani ka një format modern të ndërtimit, por forma e zhanri duket se kanë qenë gjëja e fundit e autorit, sepse ai botën e tij tejet të pasur të vrojtimit e ka fokusuar te njeriu dhe përpjekjet e tij për të mbetur gjallë, prore i rrezikuar nga të gjithë, por duke paraqitur në të njëjtën kohë edhe rrezik për të tjerët.  “Sepse, toka, pluhuri, vrasësit, ajri i helmuar, uji i helmuar, ushqimi i helmuar, urrejtja, mungesa e shpresës, janë proces i përditshmërisë kapitaliste.

Në tokë, sipas tij,  e vetmja gjë e bukur janë kafshët, por edhe ato po i eliminojnë, shumë shpesh do të zhduken të gjitha, përveç minjve dhe kuajve të garave. Kjo është tejet e trishtueshme… Dhe nga kjo gjendje shprehet pasiguria e përditshme sepse me armët atomike që kemi mund të zhdukemi pas dy dite apo pas një mijë vjet të tjera…”  Ky është kaosi, pasiguria  dhe bota në të cilën po jetojmë, ku mbizotëron vetëm Zonja vdekje e cila merr përditë dhe nuk kthen asnjëherë…

Romani i Çarls Bukovskit, “Zonja vdekje” për nga diskursi e përmbajtja, është pasqyrë reale e jetës së sotme në pjesën dërrmuese të vendeve ku sundon forma qeverisëse e  kapitalizmit liberal, të shfrytëzimin brutal të njeriut nga njeriu, bota e mujsharëve kapitalistë, të cilët gjithnjë fitojnë e përfitojnë, mbi kurriz të tjerëve, por edhe ata i pret Zonja vdekje, në rrugëtimin e tyre përfundimtar…

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …