leoni

Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Zyrtarë të idhujve e idhujtarëve të kohës, apo politikanë të çmendur pas “idhujve pa krena” si Blendi Fevziu

Se kush është dhe kush qëndron prapa papagallit të gazetarisë shqiptare, Blendi Fevziu kjo dihet dhe nuk ka pse komentohet. Po ashtu dihet se ai u “ngrit” nëse dikush me gjithë mend mendon se është ngritur, në gazetari e në shoqëri, në radhë të parë duke fyer, përbuzur, duke sharë e duke deformuar deri në pafundësi regjimin komunist të Shqipërisë në krye me Enver Hoxhën. Dhe kush qëndron prapa kësaj maskarade po ashtu dihet, nuk ka nevojë të merremi me këtë.

Por anakronizmi nuk qëndron vetëm në këto që u thanë dhe shumë të tjera që vetëkuptohen.

Idiotësia qëndron në faktin se në festën e emisionit të Fevziut, të 20-vjetorit të fillimit të punës së tij si gazetar, tani  gazetar kontrovers, apatrid, sajues i gënjeshtrave, kanakar i oborrit të Berishës, njeri me ADN nga gjaku e raca me Esat Pashë Toptanin, (kështu të paktën thuhet) sajues i konspiracioneve dhe thashethemeve, në festën private, individuale,  të këtij njeriu u bënë bashkë ata që i lavdëron Fevziu dhe ata që i shan, ata që në ndeje e ahengje ia shajnë nënën dhe racën toptaniste dhe ata që e trajtojnë si oborrtar të kolaboracionizmit denbabaden.

Është për t’ u habitur me këtë marrëzi, dhe nuk ke si të mos e kujtosh Erazmin e Noterdamit për “lavdërimin e marrëzisë”, kur në festën e Blendi Fevziut,  sipas Ylli Rakipit, “ka thirrur dhe ka vendosur në rresht, mbarë botën shqiptare. Parlamenti i Kosovës ka anuluar për ditën e sotme, seancën për formimin e qeverisë së re, vetëm që krerët të ishin të pranishëm në festën e Fevziut. Në këtë festë është e pranishme e gjithë qeveria e Republikës së Shqipërisë, edhe kjo ende e pamandatuar, me në krye Edi Ramën. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vrapuar të jetë në krye të festës së Fevziut. Kryeministri i qeverisë në formim të Kosovës, Ramush Haradinaj, krerët shqiptarë të Maqedonisë. Ilir Meta, që sigurisht nuk mungon në asnjë festë apo ditëlindje. Kryetari, tashmë i shkrirë i opozitës, Lulzim Basha. Njerëzit më të famshëm dhe më të kamur të botës shqiptare, elitat politike dhe intelektuale të vendit. Dhe jo vetëm kaq”.

Gjatë maskaradës së ahengut në Tiranë, në Kosovë është varrosur doktor, profesor Muhamet Tërrnava, historiani më i madh shqiptar i Mesjetës, demaskuesi i deformimeve të shkencës serbe lidhur me përkatësinë e  Kosovës në Mesjetë, shkencëtari, të cilit  nuk iu kishte lejuar ta mbronte temën e magjistraturës as të doktoraturës në Prishtinë e në Beograd, por ishte detyruar ta mbronte në Zarë dhe në Zagreb të Kroacisë,  i burgosuri politik  i viteve ’80, shok ideali me Jusuf Gërvallën, profesori, të cilin gjatë ngujimit në Burgun e Prishtinës, UDB-ja e  kishin goditur  fizikisht, për ta lënë me pasoja, të cilat i barti në trup dhe në shpirt,  prej nëntorit të vitit 1981 e deri më 6 shtator të 2017 kur edhe u nda nga jeta. Asnjë telegram të vetëm ngushëllimi nuk pranoi familja e dr. Tërnavës nga kryetari i Kosovës, historiani, Hashim Thaçi, sepse ishte në ahengun e Feziut, por  nga Kadri Veseli, me sa kam unë informata as nga Albin Kurti, apo Behxhet Pacolli, nga Edi Rama e Ilir Meta jo se jo, sepse ata vështirë ta kenë dëgjuar ndonjëherë emrin e profesor doktor, Muhamet Tërnavës.

Ja cili është lavdërimi “erazmian” i marrëzisë shqiptare sot

 

Tubimi dhe pjesëmarrja e krerëve të lartë politikë të vendit në  maskaradën e  Blendi Fevziut, në Tiranë, shënon një nivel të lartë të degjenerimit të politikanëve shqiptarë, të cilët në fjalimet e tyre që i shkruajnë vetë, apo ua shkruajnë këshilltarët, shprehen kundër kultit të individit, kundër të vetmit kult, të atij të Enver Hoxhës, dhe  pretendojnë të na bindin se edhe në kohën e Enverit paskan qenë kundërshtarë të tij, por nga frika prej tij ia kishin punuar, gjoja  nën rrogoz.

Sot këta politikanë, pa pikë turpi, ndjese e njerëzie  marrin pjesë në ngritjen e një kulti të një gazetari kontrovers, të një degjeneriku hipokrit, që argëton publikun sikur palaçot e mesjetës, por në anën tjetër kontaminon opinionin me gënjeshtra, mashtrime që shkaktojnë ndasi, etiketa e  linçime të familjeve të caktuara.

Megalomania e këtij mitomani të rrjedhur, që jeton me fiksionin e tij dokishotesk në përpjekje për ta varrosur të kaluarën, për çka edhe e kanë financuar dhe e financojnë bijtë e kolaboracionistëve fashistë, ata të UDB-së  të djeshme e të sotme jugosllave të tipit të Bato Haxhiut, i cili pretendon ta emitojë Feziun me Klanin e tij dhe improvizon klishe banale, të Shkëlzen Mehmet Maliqit, dhe të tillë si Çili, Çani, Luba, Buzha e plotë maskarenj,  nuk ka si të mos na kujtohen vargjet e Ali Asllanit me të cilat po e përmbyll këtë shënim për “Ahengun e madh”, që e mbajti Blendi Fevziu, në Tiranë, jo në ditëlindjen apo ditën kur e hëngri, kokën Esad Pasha, as në ditëlindjen e nënës apo vdekjes së babait të tij,  as në të zezë-ditën që e nxori nëna në jetë, por në ditën kur për herë të parë, para njëzet vitesh filloi punën si gazetar, apo opinionist.  Ja në çfarë ngjarje me rëndësi “historike” marrin pjesë: Hashim Thaçi, Ilir Meta, Edi Rama, Lulzim Basha dhe çilët e çanët e shumtë.

 

Ali Asllani: Koha është e maskarenjve,  por Atdheu i Shqiptarëve

 

Pra, o burra, hani, pini

hani, pini ore e çast

për çakallin nata errët

është rast e deli rast.

 

Hani, pini dhe rrëmbeni

mbushni xhep e mbushni arka

të pa brekë ju gjeti dreka

milionerë ju zuri darka.

 

Hani, pini e rrëmbeni

mbushni arka, mbushni xhepe

gjersa populli bujar

tu përgjigjet- peqe lepe.

 

Populli rron për zotërinë tuaj

puna e tija, djersa e ballit

është kafshatë për gojën tuaj

Rroftë goja e çakallit.

 

Shyqyr Zotit, s’ ka më mirë

lumturi dhe bukuri

dhe kur vjen ju qan hallin

varni buzë edhe turinj.

 

Hani, pini dhe rrëmbeni

është koha e çakejve

hani, pini, rrëmbeni

është bota e maskarenjve.

 

Hani, pini, vidhni

mblidhni gjithë aksione e monopole

nënshkrimi i zotërisë suaj

nëpër banka vlen milione.

 

“Gran Kordoni” i zotërisë suaj

që në gjoks ta kanë vendosur

është pështyma e gjakosur

e Atdheut të vremosur

 

 

Rroftë miku yt i rrallë

që përditë  loz e qesh

të gradoi katër shkallë

pse i the dy fjalë në vesh.

 

Koha dridhet e përdridhet

do vij dita që do zgjidhet

dhe nga trasta pema e kalbur

doemos që jashtë do të hidhet.

 

Koha dridhet e përdridhet

prej gradimit katër shkallë

nuk do të mbetet gjë në dorë

veçse vulë e zezë në ballë.

 

Mirëpo ju që s’ keni patur

as nevojë, as gjë të keqe

më përpara nga të gjithë

ju i thatë të ligut peqe.

 

Që të zinit një kolltuk

aq u ulët u përkulët

sa në pragun e armikut

vajtët si kopil u ngulët.

 

As ju hahet, as ju pihet

vetëm titullin e doni,

teksa fshati i varfër digjet

krye kurva nis e krihet.

 

Sidomos, ju dredharak

ju me zemra aq të nxira

ju dinak, ju shushunja

ju gjahtarë në errësira.

 

Ç’ na pa syri, ç’  na pa syri

hunda juaj ku nuk hyri

te i miri, te i ligu

te spiuni më i ndyri.

 

Dallavera nëpër zyra,

dallavera në Pazar

dallavera me të huaj,

dallavera me shqiptarë.

 

Vetëm, vetëm dallavera

dhe në dëm të këtij vendi

që ju rriti, që ju ngriti

që ju ngopi, që ju dëndi.

 

Dhe kujtoni tash e tutje

me të tilla dallavera

kukuvajka do përtypë

zog e zoga si përpara.

 

Po jo, grushti do të bjerë

përmbi krye të zuzarëve

koha është e maskarenjve

por Atdheu i Shqiptarëve.

Kontrolloni gjithashtu

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në këtë përvjetor të 8-të, të Televizionit Dielli, reflektojmë me krenari mbi një rrugëtim të …