leoni

Ahmet Qerqi: Serbët po përgatitën për një ofensivë të përgjithshme (E hënë 20 korrik, 1998)

Ahmet Qerqi: Serbët po përgatitën për një ofensivë të përgjithshme (E hënë 20 korrik, 1998)

Lajmet që po përhapen nga terreni, bëjnë të ditur se në të gjitha vijat e frontit janë intensifikuar luftimet. Përleshje të ashpra po zhvillohen në Dukagjin, në Smolicën tanimë legjendare, në Junik, në disa fshatra të Anadrinit, e sidomos në Rahovec. Luftëtarët tanë edhe pse kryesisht të pajisur me armatim të lehtë të këmbësorisë, po shkruajnë faqe të ndritshme të heroizmit dhe të qëndresë kundër bandave okupatore serbe. Luftime të ashpra po zhvillohen sidomos në Drenicë  në Shalë të Bajgorës dhe kudo në zonat  të cilat po i mban nën kontroll UÇK-ja.

Luftimet më të ashpra tani për tani po zhvillohen në Rahovec. Lajmet që po vijnë nga atje bëjnë të ditur se barbarët serbë kanë vrarë në mënyrë çnjerëzore qindra civilë, në mesin e tyre e kanë masakruar edhe Kryeshehun e Teqesë dhe qindra shqiptarë.

Të shtëna dhe detronime të pandërprera po dëgjohen edhe në drejtim të  Rezallës, të Aqarevës e të Likocit.

Pavarësisht nga luftimet, ne nuk i kemi ndërprerë për asnjë çast punët në shkollë. Ditëve të fundit e kemi intensifikuar aksionin për bartjen e miellit nga Ribari i Madh dhe nga fshatra të tjera të Rrafshit, që është dedikuar për zonat e luftës. Ndihmesë në grumbullimin e miellit po japin të gjithë,  veçmas Ismet Asllani, pronari i Mullirit Prapashtica e të tjerë. Për çdo ditë me dhjetëra traktorë depërtojnë nëpër Blinajë dhe nën breshërinë e granatave të armikut, arrijnë të sjellin miellin. Të gjithë ata që janë angazhuar për mbartjen e miellit  me traktorë nëpër Blinajë janë tejet të rrezikuar nga armët e armikut.

Kërkesat për miell dhe artikuj elementarë ushqimorë janë shtuar sidomos tani kur popullata e Rahovecit është zhvendosur në drejtim të Malishevës, e cila edhe ashtu është tejet e ngarkuar me mijëra të shpërngulur nga të gjitha zonat e luftimeve. Dhjetë tonë miell në ditë duhet t i drejtojmë për në Malishevë, dhjetëra tonë të tjerë në  zonat e Dukagjinit dhe të Drenicës Qendrore.

Ka disa ditë që vijnë edhe kamionë nga Deçani dhe rrethina e Pejës. Disa prej tyre si duket janë kontrabandistë, ndërsa disa të tjerë kanë marrë lidhje me Emergjencën dhe presin të marrin miell për Zonën ushtarake të Dukagjinit. Komandanti, Shukri Buja ka lënë një urdhëresë në të cilën shkruan se miell mund të marrin vetëm ata që në  lejet e udhëtimit e kanë nënshkrimin e Ramush Haradinajt ose të Lahi Brahimajt.

Disa nga ata që presin kanë leje me mbishkrim të Republikës së Kosovës. Situata është konfuze. Duket sikur në kreun ushtarak të Dukagjinit ka përplasje apo veprojnë dy formacione paralele ushtarake. Shoferi me mbiemrin Tahirsylaj, me rroba të policisë ushtarake të UÇK-së thotë se miellin mund ta paguajë edhe me të holla, mirëpo ky miell është i dedikuar të shpërndahet për frontet e luftës dhe vetëm me nënshkrimin e Ramush Haradinajt. Sido që të jetë ushtarët e Dukagjinit asnjëherë nuk janë kthyer pa miell. Ata kanë bashkëpunuar edhe me disa kontrabandistë tanë të cilët shesin e stërshesin para syve tanë dhe s` kemi çfarë t` iu bëjmë. Me rëndësi është fakti se miellin po arrijmë ta tërheqim, deri tani pa pasoja dhe në sasinë e paraparë.

Po kështu, në përfundim e sipër është edhe grumbullimi i grurit, i cili mund të na shërbejë për ditë më të vështirë të dimrit… Pesë rreshta të koduar)

Jetë Hasani, Fadil Hetemi dhe grupi i tyre sërish ka depërtuar në Godanc. Jeta kërkon që fshatrat rreth Blinajës sa më parë t`i bashkohen luftës. Në këtë drejtim ka ndërmarrë disa aksione kundër kolaboracionistëve në Godanc, në Ribar etj.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …