Dëshmori i atdheut, Ajet Halil Beqiri u lind më 10 korrik të vitit 1960 në fshatin Pemishte, të Skenderajt. Rrjedh nga një familje e shquar për burrëri, bujari, mençuri e trimëri.
Në vitet pas pavarësisë së Shqipërisë dhe mbetjes së Kosovës jashtë trungut amë, kulla e kësaj familje ishte shndërruar në simbol të qëndresës dhe ofrimit të strehës dhe bukës për trimat luftëtarë të kohës si: Shaqir Smaka e Azem Galica e shumë liridashës të tjerë të kohës.
Ajeti shkollën fillore e ka kryer në fshatin Leçinë ku ishte i dalluar dhe i veçuar në mësime, në shprehjen e mendimeve dhe ideve që ishin në drejtim të brumosjes dhe atdhedashurisë së jashtëzakonshme. Më këtë nivel të shfaqjes shpirtit liridashës e vazhdoi edhe në Gjimnazin e Skenderajt. Ai përmes lapsit dhe frymëzimit për lirinë e atdheut i shprehte ndjenjat e tij në revistën “Shkëndija”. Studimet i ka kryer në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, të cilin e ka mbaruar në afat rekord dhe sukses të lartë.
Demonstrata e vitit 1981 dhe shpërthimi i revoltës studentore të riun drenicas do ta gjente në vijën e parë të rinisë shqiptare, e cila kërkonte të drejta dhe liri. Por edhe gjatë viteve të dekadës së fundit shekullit XX-të Ajeti ishte në ballë të çdo proteste dhe organizimi qoftë në Runik, Burim, Rakosh, në Prishtinë, në Mitrovicë, në Skenderaj, në Drenas e ku do ku mund të ishte i pranishëm. Si njëri me mendje të ngritur si në të shkruar, menduar dhe të shprehur Ajet Beqiri pati ardhur në konkludimin se alternativa e vetme për çlirimin e kësaj toke dhe popullit të robëruar është lufta e armatosur, e cila më pas u kurorëzua më luftën e UÇK-së.
Kontaktet e para ushtrinë çlirimtare të Kosovës, profesor Ajet Beqiri i realizon në vitin 1997 në Vajnik me komandantin emblematik të luftës, gjeneralin Abedin Rexha “Sandokani”, pastaj në Rezallë në kontakt me Ilaz Dergutin, në Leçinë me Sadri Konjuhin, në Llaushë më Jetullah Gecin, në Kopiliq më Avni Ibrahimin, në Izbicë më Zaim Bajramin më të cilin më vonë bashkë e fitojnë përjetësinë, në Pemishtë më Mustafë Qorrin dhe Isuf Sadikajn.
Dëshmori i kombit Ajet Beqiri më daljen publike të UÇK-së në skenë ishte venë i tëri në funksion të luftës dhe misionit të saj çlirimtar. Ai i kishte shfrytëzuar të gjitha rrugët dhe pikën e tij e ka furnizuar më dhjetë pushkë gjysmë automatike, dy automatikë, dy mitralozë si dhe një kundër-tanke për asgjësimin e mjeteve të blinduara të armikut.
Të gjithë këtë e kishte arritur më përkrahjen e komandantit Abedin Rexha dhe bashkëluftëtarit nga Zona Operative e Dukagjinit, Ismet Bicaj.
Ajeti ka marrë pjesë në stërvitjet ushtarake të organizuara në Likofc dhe në fshatin Shpat. Ka qenë komandant i Togut të Parë, të Kompanisë së Parë të Batalionit të Tretë të Brigadës 112 “Arben Haliti”. Bashkëluftëtarët e tij më të ngushtë më të cilët ka qenë i bashkuar më ta unik sikur gjaku i Skënderbeut ndër beteja kanë qenë. Abedin Rexha, Zaim Bajrami, Ilaz Derguti, Mustafë Qorri, Sami Lushtaku, Jetullah Geci, Avni Ibrahimi, Sadri Konjuhi, Musa Dervishaj, Shaban Dragaj, Agron Spahiu e shumë të tjerë. Ai ka marrë pjesë pothuajse në çdo betejë në Zonën Operative të Drenicës, duke filluar nga beteja e parë në Vajnik, në betejën tek Koda e Flamuri,t në Çitak, Leçinë, Belicë, Lagjia e Re në Runik, në bllokimin e auto-rrugës regjionale Mitrovicë – Pejë. Duke i parë meritat dhe punën e suksesshme që bënte Ajeti, krerët e luftës sonë çlirimtare e caktojnë, Komandant për moral në Batalionin III të Brigadës 112, “Arben Haliti”.
I tillë ishte profesori i gjuhës dhe letërsisë shqipe, që penë e pushkë i bëri një dhe u betua në uniformën e UÇK-së, në besë e flamurin kuq e zi se derisa ta shihte Kosovën e lirë nuk do të ndalej. “Vetëm rrezet e diellit të Kosovës së lirë do të më bëjnë që ta zhvesh këtë uniformë”- thoshte profesori trim e luftëtar Ajet Beqiri. “Sa çuditej me disa që ende shihnin ëndrra me sy hapur dhe besonin në fjalët e kota. Tashmë, para atdhetarit sypatrembur e optimist, u shtruan detyra të reja. Krahas nxënësve dhe shkollës, që nuk i harronte kurrë, kishte edhe ushtarët, kishte frontet, kishte popullatën. Ata që kanë punuar me të tregojnë se ai gjithmonë ishte me dy palë rroba: në front rrobat e UÇK-së, në shkollë rrobat civile. ”Nuk mund të dalë para nxënësve të mi me uniformë luftarake, sepse ne duhet të përpiqemi të rrisim dhe të edukojmë brezin e ri që të jetojë në liri dhe paqe, e këtë mund ta arrijmë duke u përpjekur t’ua kthejmë normalitetin e prishur nga pushtuesi”- shprehej ai me plot të drejtë.
Ai ishte njeri me autoritet dhe me ndikim të veçantë. Në çantën e tij bashkëjetonin libri e arma, dija dhe trimëria. Dhe, ai nuk ndalej kurrë, nga shkolla në front, nga fronti në shkollë” citon në një kumtesë për dëshmorin, profesor Bedri Tahiri.
Me 28 mars 1999 me rrezet e para të diellit erdhën edhe granatat e artilerisë serbe mbi civilët e tubuar nё Izbicё. Sakaq u duk edhe këmbësoria e shfrenuar barbare, e cila zuri të vriste, të plaçkiste e të masakronte: gra, fëmijë, pleq e të sëmurë. Mbi njëqind burra ecnin para tytave të gjakosura serbe. Plisat e tyre nuk u hoqën nga kokat e nuk e shkelen me këmbë, siç kërkonin serbët. Dhe, rafalët shurdhuan qetësinë e zymtë të ditës kobtare. Trupat e tyre u shtrinë përtokë. Në vrushkujt e gjakut të tyre mbëltohej liria. Për masakrën, mbase më të madhen në Kosovë, për masakrën e Izbicës, kishte dëgjuar edhe Ajeti, i cili kishte qëlluar në Vojnik. Në mbrëmjen e asaj nate, Ajet Beqiri, bashkë me Zaim Bajramin vendosën të shkonin në vendin e krimit. Rreth orës 22. 00, kur po e shalonin kodrën mbi shtëpinë e Zaimit, ca krisma tinëzare grisën terrin e natës. Hëna sy-përlotur u fsheh pas resh që mos të shihte se ç’po ngjiste. Prita kobtare ishte fatale. Edhe krismat e lirisë u kundërpërgjigjen fuqishëm. . . Ata i mori përjetësia! Atë natë ranë dëshmorë, Enver Bajra dhe Ajet Beqiri. Trupi i dëshmorit Ajet Beqiri sot prehet në Varrezat e Dëshmorëve në Marinë.
Muret e odës së tij janë mbushur me medalje, dekorata e mirënjohje. Më 6 dhjetor 1999 është graduar me urdhrin GJERGJ KASTRIOTI dhe është shpallur DËSHMOR I KOMBIT dhe HERO I KOMBIT. Me nismën e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Skenderaj, që nga viti 2003, për nder të të rënëve për liri dhe për nder të dëshmorit Ajet Beqiri mbahet manifestimi e konkursi letrar për shkollat fillore të Skenderajt e tё regjionit “Avancimet kulturore, profesor Ajet Beqiri”. Për të janë thurur këngë, janë hartuar vargje, janë shkruar libra. (L. D. )
