(Shefqet Dibrani, Pjesa e parë: “MALËSORJA, romani monumental i Kosovës” dhe Pjesa e Dytë: “KARAKTERI dhe ARKETIPI në romanin ‘Malësorja’ të Nazmi Rrahmanit”, Botoi Sh.B. “Faik Konica” Prishtinë, 2021.)
“Kur leximi ju lartëson shpirtin dhe ju ngjall ndjenja fisnike e burrërore, mos kërkoni arsye të tjera për të çmuar atë vepër, ajo është e mirë dhe e ka shkruar një mjeshtër “ – (Zh. La Bryjer[1])
Romani “MALËSORJA” me autor Nazmi Rrahmanin, është ndër romanet e para të botuara në Kosovë, i cili përgjatë gjithë këtyre viteve, u vlerësua dhe është i pranishëm pothuajse tek secila familje shqiptare, gjithandej.
Lexuesit e këtij romani, që për kohën bëri ‘revolucion’ janë të moshave dhe profesioneve të ndryshme, ndërkaq, për kohën kur u shkrua dhe u botua, ishte libri më i lexuar i cili pati ndikim të jashtëzakonshëm, duke ndryshuar konceptin mbi jetën dhe botëkuptimet mbi të drejtat e femrës, jo vetëm në regjionin prej nga vjen autori (Llapi), por në tërë Kosovën.
Malësorja, personazhi kryesor i këtij romani, nuk ishte më thjeshtë një personazh libri, Malësorja ishte emri me të cilin u pagëzuan shumë vajza në fshatra e qytete të Kosovës. Malësorja e romanit të Nazmi Rrahmanit u bë personifikimi i jetës dhe fatit të hidhur të femrës shqiptare të asaj kohe, i vuajtjeve dhe fatkeqësive të cilat e rëndonin si litari rreth qafës.
Se romani “MALËSORJA” mund të shkruhet vetëm një herë dhe atë nga një mjeshtër i fjalës, e dëshmojnë studime e punime të shumta nga studiues të letërsisë, të cilët vlerësojnë lartë punën e autorit Nazmi Rrahmani, romanin “MALËSORJA” dhe gjithë krijimtarinë e tij letrare (edhe pse jo shumë voluminoze) por me vlera që do të lënë gjurmë në zhvillimet letrare e kulturore ndër ne.
Në vazhdën e studimeve për veprimtarinë letrare të Nazmi Rrahmanit, vitin që lamë pas, literaturës shqipe i shtohet një studim voluminoz dy vëllimesh nga Shefqet Dibrani, poet, publicist dhe kritik letrar, studimi për romanin “Malësorja” me titull: “MALËSORJA, romani monumental i Kosovës” dhe pjesa e dytë: “KARAKTERI dhe ARKETIPI në romanin ‘Malësorja’ të Nazmi Rrahmanit”.
Derisa në pjesën e parë Shefqet Dibrani, i qaset në mënyrë analitike romanit “Malësorja”, në pjesën e dytë, thellohet në konceptin e psikoanalizës së këtij romani në rrafshe të ndryshme interpretimi.
Në parathënien “Jeta e një romani” vlerësimi ’romani monumental i Kosovës’, ka jo vetëm simbolikën e veçantë, por edhe vlerësimin e merituar që autori i bën romansierit Nazmi Rrahmani dhe romanit “Malësorja” në 56 vjetorin e botimit dhe 80 vjetorin e lindjes së autorit, “Malësorja” është Romani monumental për Kosovën dhe Letërsinë e saj. Fillet e tij datojnë qysh nga data 4 korrik 1962, atëherë kur autori ishte njëzetenjë vjeç. Në një pusullë të cilën kemi pasur fatin ta kemi në shqyrtim, vetë autori ka shkruar “Kam fillue me e shkrue më 04.VII.1962, në Prishtinë dhe kam vazhdue me ndërpremje të gjata për arsye të mungesës së kohës”[2], dhe se, “[…] Nazmi Rrahmani, autor i shumë romaneve të tjera, por edhe i romanit “Malësorja” , është prozatori më i njohur në Kosovë. Ai sfidoi diktaturën komuniste duke iu përkushtuar prozës së karakterit social, siç është edhe romani ”Malësorja”, një nga veprat më të lexuara, më të komentuara dhe padyshim më të adhuruarat.”[3]
Pjesa e parë e studimit “MALËSORJA, romani monumental i Kosovës” ndahet në katër kapituj ku trajtohen aspekte teroiko-letrare të këtij romani, duke përdorur literaturë shterruese për njërin ndër romanet më të dashura për lexuesin.
Një jetë e begatë letrare ‘pa zhurmë’
Në kreun e parë “MALËSORJA, romani monumental i Kosovës” të ndarë në katër kapituj, narrativa kohë dhe hapësirë shpërfaqet në mënyrë analitike në disa këndvështrime të cilat i trajton autori; duke u nisur nga subjekti, struktura, vlerat humane, ndërtimi i karaktereve, heshtja si karakter dhe triumfi i Hajrijes, besëtytnia dhe religjioni, universalja si vlerë e këtij romani, procedeu i veprës, zona gjeografike ku zhvillohen ngjarjet e romanit, veçoritë tematike në romanin “Malësorja” bashkë me “Bibliografia e botimit të romanit “Malësorja”, e orientojnë lexuesin për njohje sa më të plotë të veprës letrare dhe jetësore të Nazmi Rrahmanit.
Sipas autorit, “Në jetën e zakonshme, Nazmi Rrahmani, nuk ishte i zhurmshëm, as i bujshëm, por ishte punëtor i zellshëm, redaktor i shkëlqyer dhe së fundmi edhe botues, duke arritur (si askush tjetër në këtë 80 vjetor të jetës së tij), të përmbushë misionin e intelektualit, shkrimtarit, pedagogut dhe Njeriut, që adhurohet shumë. Romani ‘Malësorja’ i Nazmi Rrahmanit, mbetet i pakalueshëm në këto 55 vjet krijimtarie publike. Si asnjë autor tjetër, shkrimtari e ka vulosur me emër e mbiemër afinitetin e tij krijues edhe nëpër mijëra libra të tjerë, tek qindra autorë, veprat e të cilëve iu kanë nënshtruar redaktimit profesional dhe konsultimeve të tija pedagogjike. Nazmi Rrahmani, padyshim mbetet shkrimtari i cili me vlerën e tij ka ndikuar në rezistencën e heshtur dhe në ngritjen intelektuale tek gjeneratat e shumta”[4].
Në këtë studim janë trajtuar elemente të shuma nga autori, që e veçojnë romanin ‘Malësorja’, si fjala vjen elementi kohë: nata, terri, muzgu, mëngjesi, agimi, stinët e vitit, apo figura të rëndësishme, si ajo e mësuesit, figura e Hajrijes, Nezirit, etj. Me të drejtë autori konstaton se, ‘Hajria, u bë karakteri dhe arketipi i gruas shqiptare, jo vetëm në prozën e Nazmi Rrahmanit, por si realitet i përjetuar në Kosovë e gjetiu”[5], ndërkaq, falja dhe pajtimi sipas autorit Dibrani, ‘janë mesazhi kryesor i romanit “Malësorja” të Nazmi Rrahmanit![6]
Në pjesën përmbyllëse (të pjesës së parë të studimit) gjegjësit Kreu i katërt, i është dhënë hapësirë mendimit profesional e miqësor të kritikut e studiuesit të zellshëm prof. dr. Sabri Hamitit, që autori e cilëson ‘uverturë e veçantë’, si dhe shënimi i prof. dr. Zejnullah Rrahmanit dhe poezia përkushtuese për autorin dhe veprën e tij, nga autori i këtij studimi Shefqet Dibrani.
Derisa në pjesën e dytë të këtij studimi, “KARAKTERI dhe ARKETIPI në romanin ‘Malësorja’ të Nazmi Rrahmani” në dhjetë kapituj sa ka kjo pjesë e studimit, autori synon që ‘të bëjë një interpretim ndryshe të veprës letrare dhe njëkohësisht për të nxitur idetë depërtuese në psikologjinë e personazhit dhe të veprës e cila po shkruhet, me rastin e 80 vjetorit të lindjes së autorit dhe 56 vjetorin e botimit të romanit Malësorja, roman ky që ka hyrë si “arketipi më pozitiv i shkollës dhe arsimit shqip në Kosovë”[7].
Duke iu referuar pamjes dhe hijes, e cila mund të ndahet si “Bukuri e hijes – Karakteri”, dhe në “Bukuri e pamjes – Arketipi”, për mes të të cilave nxirren vlerësime për një vepër të realizuar mirë. Janë këto arsye pse themi se romani Malësorja, si vepër artistike është bukuri më vete, kurse rrëfimi magjeps të përvetëson, sidomos suksesi i Hajries e cila, jo vetëm për atë kohë, por edhe sot, ishte paradigmë për gruan dhe shoqërinë”[8].
Mjeshtëria e krijimit të figurave stilistike
Në pjesën e dytë të këtij studimi, autori i kushton rëndësi karakterit human i cili e përshkon romanin në rrafshin shumëdimensional, ndërkaq vlerëson mjeshtërinë e autorit për krijimin e figurave letrare e stilistike.
“Si rrallëkush, ai ngriti një monument letrar për figurën e fshatarit, veçanërisht e lartësoi në piedestal figurën e femrës, të cilës i dha epitetin Malësore! Sigurisht gjetje fatlume për letërsinë, traditën dhe shkencat humane, të cilat sot mburren me figurën më të spikatur letrare, me epitetin më pozitiv që shqiptari e nderon femrën, prandaj shoqëria jonë nuk ka pse të vuajë e komplesohet me rolin e fshatarit e fshatares në shoqëri, në shkolla dhe së këndejmi edhe në letërsi. Shoqëria shqiptare, shkolla dhe letërsia e saj, tashmë kanë Figurën Letrare, edhe si Arketip Letrar i realizuar mirë, por edhe si Shprehje Figurative. Romani MALËSORJA plotëson kriteret për t’u themeluar një Çmim Letrar e Human që do të personifikohej me Figurën e Malësores ngadhënjimtare, pasi psikologjia e romanit personifikon fytyrën e gruas së dhunuar e të diskriminuar, gruas me skamje të skajshme por që ka ngadhënjyer, gruas së vejë, të asaj femre që sakrifikoi gjithçka për bimësinë e saj, d.m.th. për të vërteten e pafajësisë së saj. […] “Romani Malësorja, është arketip më i realizuar në letërsinë shqipe, së këndejmi epiteti Malësore, jo vetëm në aspektin figurativ, por edhe në shkencat humane dhe ato të traditës e ka kuptimin e femrës shqiptare me të gjitha vetitë pozitive që i posedon individi, prandaj epiteti Malësore, automatikisht ka krijuar arketipin më karakteristik në letërsinë shqipe, jo vetëm brenda romanit Malësorja, por si tërësi etnokulturore e letrare në tërë hapësirën shqiptare”.[9]
Trajtimi i figurave letrare është një veçori tjetër e këtij studimi, si dhe karakteret e personazheve, sidomos karakterin e personazhit kryesor Hajries.
Shefqet Dibrani vlerëson se romani “Malësorja” është ditari më autentik i realitetit të asaj kohe nëpër të cilën ka kaluar shoqëria jonë, kultura dhe arsimi…”[10]
Një kapitull i veçantë i këtij studimi (kapitulli VI i pjesës së dytë të studimit) përmbledhë kronologjinë e botimit të romanit “Malësorja” duke e ilustruar edhe me të gjitha fotokpertinat e botimit ndër vite.
Po ashtu, në këtë studim janë trajtuar elemente të shumta, të cilat e veçojnë këtë roman, i cili ruan vlerën dhe origjinalitetin e tij edhe pas shumë vitesh kur u botua për herë të parë.
Përkundër trajtimit të disa prej veçorive të romanit të cilat janë të vlefshme për studiuesit e veprës së Nazmi Rrahmanit, shfrytëzimi i burimeve të shumta refererale të përdoruara nga autori Dibrani dëshmon për hartimin e këtij studimi. Megjithatë, gjatë leximit të të dy vëllimeve kam hasur edhe në mangësi të studimi: përdorimi gabim i trajtave foljore, përdorimin gabim i përemrit vetor, si dhe përsëritjet e shumta të cilat janë të panevojshme dhe që ngjallin monotoni tek lexuesi.
Ndërkaq, ky studim dhe studime të shumta për krijimtarinë letrare të Nazmi Rrahmanit, dëshmojnë thënien e Zh. La Bryerit, i cili shprehet kështu: ”Kur leximi ju lartëson shpirtin dhe ju ngjall ndjenja fisnike e burrërore, mos kërkoni arsye të tjera për të çmuar atë vepër, ajo është e mirë dhe e ka shkruar njëmjeshtër.“
Rrugëtimi i suksesshëm letrar i romanit “Malësorja” dëshmon për vlerën e tij dhe se është shkruar me përkushtim nga një mjeshtër i fjalës së shkruar – shkrimtari ynë meritor Nazmi Rrahmani.
Prishtinë, tetor 2022.
[1] E huazuar nga internet. [2]Shefqet Dibrani, “MALËSORJA, romani monumental i Kosovës” botoi, sh. b. “Faik Konica” Prishtinë, 2021, fq.12. [3]Po aty, fq. 25. [4]Po aty, fq. 26. [5]Po aty, fq. 191. [6]Po aty, fq. 274. [7] Shefqet Dibrani, “KARAKTERI dhe ARKETIPI në romanin ‘Malësorja’ të Nazmi Rrahmanit”, Prishtinë, 2021; fq. 15. [8] Po aty, fq. 19. [9] Po aty, fq. 23. [10]Po aty, fq. 94.