Sot në orën 13:00 në sallën e Shtëpisë së Kulturës, në Malishevë do të mbahet akademi përkujtimore për dëshmorin e Luftës Atdhetare të Kroacisë, Nuhi Sinan Krasniqi. Në këtë akademi do të dorëzohet edhe dekorata e Presidencës së Republikës së Kroacisë për dëshmorin, Nuhi Sinan Krasniqi. Ndërsa në orën 14:30 në varrezat e dëshmorëve të Brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova” në Kleçkë, do të organizohet ceremonia e rivarrimit të eshtrave të Nuhi Sinan Krasniqit, dëshmor shqiptar i Luftës Atdhetare të Kroacisë. Nuhi Sinan Krasniqi u lind në fshatin Tërpezë, më 2 maj të viti 1957. Shkollën fillore e kreu në fshatin Tërpezë të Malishevës. Në fillim të luftës në Kroaci në janar të vitit 1991 ai inkuadrohet në Brigadën e Katërt të ushtrisë së Kroacisë së bashku me disa luftëtarë nga Kosova. Më 6 gusht të 1992, bie heroikisht në mbrojtje të Zarës, në malin Vukosh, në Kroaci. Ishte varrosur më nderimet të larta ushtarake në varrezat e qytetit të Zarës.
Nuhi Sinan Krasniqi është shpallur hero i Luftës Atdhetare të Kroacisë. Në Luftën e popullit kroat kundër sundimit hegjemonist dhe fashist të Serbisë kanë marrë pjesë disa mijëra shqiptarë nga Kosova, në mesin e tyre edhe komandantë të shquar si: Rrahim Adem Agim Çeku, pastaj, Bekim Berisha, heroi i Kosovës dhe Kroacisë, Fehmi Lladrovci, Gëzim Hamza, Agim Çela dhe shumë të tjerë të cilët kanë luftuar në Kroaci, pastaj kanë rënë dëshmorë në luftë për çlirimin e Kosovës.