Akademi Përkujtimore për Masakrën e Izbicës

Në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, nën patronatin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është mbajtur Akademi Përkujtimore, për nder të 20-vjetorit të Masakrës së Izbicës. Kryetarit të Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ndër të tjera tha: “Të nderuar familjarë të dëshmorëve invalidëve dhe ju veteranë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i nderuar President i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i nderuar Kryeministër, Ramush Haradinaj, të nderuar përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, Zonja dhe zotërinj. Pikërisht dy dekada më parë forcat serbe kishin nisur të nuhasin se përfundimi i tyre po afrohej dhe se humbja e tyre kishte nisur të numërojë ditët. Dhe si shenjë hakmarrjeje për humbjen që nuk po përballohej dot, regjimi serb filloi të zbaton planin më çnjerëzor që kishte njohur njerëzimi. Ata, të cilët dalloheshin nga egërsia e paparë, nuk dinin gjë tjetër përveç të vrisnin njerëz të moshuar të pambrojtur plotësisht, dhe vetëm në mëshirën e Zotit. Ata nuk dinin asgjë përveç t’i vrisnin nënat tona. Ata bënë akoma më keq së kaq. Na vranë fëmijët. Por dështuan të na vrasin ëndrrën tonë, atë të lirisë, të cilën ne po e gëzojmë, por jo edhe ata 150 njerëz plotësisht të pafajshëm, apo të fajshëm pse ishin shqiptar. Qëllimi i okupatorit ishte ç’rrënjosja e popullit Shqiptar. Masakra e Izbicës dhe ato skena rrëqethëse janë një nga goditjet më të mëdha që armiku u mundua t’ia bëjë popullit tonë, është dëshmia më e mirë se si ushtrohej gjenocidi serb mbi popullatën e pafajshme civile. Është masakra në të cilën përnjëherë e pësuan një numër i madh i njerëzve duke përfshirë të gjitha moshat, duke mos kursyer as fëmijë, gra dhe pleq. Okupatori këtë e bëri me qëllim që të nxisë shpërnguljen dhe të bëjë spastrimin etnik, duke masakruar e rrëmbyer më të dashurit tanë, duke dashur që ta mbysë vullnetin tonë për liri dhe pavarësi. Të dashur qytetarë, Drenica dhe krejt Kosova, u vunë në anën e lirisë, në anën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pa pyetur për çmim. Familje të tëra, anë e kënd Kosovës, i rezistuan kësaj dhune e terrori, duke u sakrifikuar me vetëdije, se kurrë më nuk do t’i nënshtroheshin okupatorit njëqindvjeçar. Lufta e filluar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk u ndal deri në fitoren përfundimtare, pra deri në çlirimin e plotë të Kosovës. Gjaku i dëshmorëve të kombit dhe lufta e drejtë çlirimtare, masakrimi i popullatës civile nga forcat ushtarake dhe paramilitare serbe, trokitën në ndërgjegjen e botës, gjë që solli deri te intervenimi i NATO-s, së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ëndrra e të gjithë dëshmorëve tonë, mundi dhe gjaku i të gjithë heronjve, luftëtarëve, veprimtarëve dhe martirëve të lirisë, si dhe aspiratat dhe dëshirat e shumë brezave të popullit tonë, u bënë realitet me çlirimin e Kosovës, me lirinë dhe pavarësinë që ne sot e gëzojmë. Pas gjithë këtyre viteve, shumë pikëpyetje tona nuk morën përgjigje. Askush nga kriminelët dhe urdhëruesit e masakrës, nuk janë dënuar për krimet ndaj popullatës së pafajshme civile. Edhe pse kaluan 20 vite, prapë familjarët jetojnë me mallin e të pagjeturve. Të nderuar të pranishëm, Pas gjithë këtyre sakrificave dhe vuajtjeve të popullit tonë, tani kemi nevojë më shumë se kurrë për unitet. E kemi dëshmuar edhe më parë se mund të jemi të bashkuar e të pa ndarë, për përjetësimin e mirëfilltë të epokës së lirisë, për të punuar drejt dhe pastër që Kosovën dhe ta bëjmë ashtu si e deshën ata. Për të punuar që një ditë edhe ne t’i arrijmë kombet demokratike. Lavdi e përjetshme për heronjtë, dëshmorët dhe martirët e kombit!”

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …