Akademi Përkujtimore për nder të dëshmorëve Beqir Meha, Mustafë Qorraj, Ilir Lushtaku dhe Avdullah Kodra

Në Qendrën e Kulturës ‘’Hasan Prishtina’’ u mbajt akademia përkujtimore për nder të 20 vjetorit të rënies së dëshmorëve Beqir Meha, Mustafë Qorraj, Ilir Lushtaku dhe Avdullah Kodra. Të pranishëm në këtë ngjarje, përveç udhëheqjes komunale, ishin edhe përfaqësues i Familjes Jashari, Bacë Rifat Jashari, kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, deputetë të parlamentit të Kosovës, bashkëluftëtarë të komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues te shoqatave të dala nga lufta dhe qytetarë të shumtë. Në fjalimin e tij para të pranishmëve, kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari theksoi dëshmorët Beqir Meha, Mustafë Qorraj, Ilir Lushtaku dhe Avdullah Kodra u rreshtuan në vargun e atyre që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e atdheut, për çlirimin dhe përparimin e popullit. “Kjo është sakrifica më sublime, që ne të jetojmë të lirë, të dinjitetshëm dhe të barabartë. Sot po përkujtojmë 20-vjetorin e rënies së këtyre luftëtarëve, luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Vepra dhe përkushtimi i trimave të lirisë, nëpër dekada e shekuj, në kundërvënie e në luftë, kundër okupimit dhe kundër projekteve për shpërnguljen nga trojet tona, bënë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të organizohej me të vetmin qëllim që populli ynë të jetojë i lirë”, ka theksuar kreu i Skenderajt. Kryetari Jashari theksoi gjithashtu se kaluan dy dekada, do të kalojnë edhe shekuj por dëshmorët do të mbetem gjithmonë në mendjet tona, sepse dëshmorët janë nderi dhe krenari e jona, sepse liria fitohet me gjak, fitohet me dëshmorë. “Në përkujtimin e këtyre datave të rëndësishme, kujtojmë sakrificën shekullore të popullit shqiptar për liri dhe pavarësi, kështu duke kujtuar e nderuar dëshmorët dhe të gjithë ata që kontribuuan në lirinë dhe pavarësinë e vendit, frymëzohemi që të punojmë për detyrat e angazhimet që na presin, që Kosovën dhe popullin tonë ta bëjmë ashtu si e deshën ata, të begatshme, për të punuar dhe për t’u shkolluar. Sakrifica e këtyre dëshmorëve dhe e gjithë dëshmorëve, heronjve dhe veprimtarëve tjerë, na thërret që vendin tonë ta çojmë përpara, që ta ndërtojmë, që të zhvillojmë arsimin, shëndetësinë, dhe ekonominë. Duke nderuar Dëshmorët, nderojmë atdheun, nderojmë të ardhmen tonë. Lavdi dëshmorëve Beqir Meha, Mustaf Qorraj, Ilir Lushtaku dhe Abdullah Kodra! Lavdi të gjithë të rënëve për liri!”, përfundoi kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari. Ndërkaq, kryeparlamentari Veseli tha se sot i përkujtojmë këta 4 heronj për të treguar se Drenica, Skenderaj ka ende çka t’i jap lirisë dhe duhet të jap më shumë, vizionin tonë për të ardhmen, vizionin tonë strategjik e cila është Kosova shtet i pavarur dhe sovran, Kosova shtet perëndimor, Kosova shtet i zhvilluar ekonomikisht. “Kjo është edhe një arsye më shumë pse të gjithë qytetarët e në mënyrë më të veçantë ata të cilët bartin petkun e udhëheqjes në Drenicë dje në Skenderaj duhet të jenë edhe më të bashkuar dhe më të fuqishëm që ta dërgojnë përpara amanetin e këtyre heronjve të rënë për liri, për vetë faktin se jemi në gjysmë të rrugës, për vetë faktin se duhet të bëjmë edhe më shumë dhe e kemi obligim të bëjmë edhe më shumë për lirinë e Kosovës dhe për gjeneratat të cilave do t’iu lëmë trashëgim shtetin tonë të pavarur dhe sovran”, tha Veseli. Në emër të Shoqatave të dala nga lufta, foli Hysni Gucati, i cili tha se heroizmi i 4 dëshmorëve që po përkujtojnë janë shembulli më i mirë se si duhet dashur atdheu. Ai tha se heroizmi i tyre është mesazh që i obligon ta vazhdojnë më tutje dhe të ndjekin rrugën e dëshmorëve. Ndërkaq, historiani Sabit Syla, foli në aspektin historik të ngjarjes dhe rënies së dëshmorëve të kombit. Në emër të familjeve të 4 dëshmorëve, të pranishmit i përshëndeti djali i dëshmorit Mustafë Qorraj, Shpëtim Qorraj.

Kontrolloni gjithashtu

39 pemëtar ferizajas përfitues të spërkatsëve profesionale

Mbështetja për bujqit dhe fermerët ferizajas po vazhdon. Në kuadër të skemës mbështetëse për bujqit …