Akademia e Drejtësisë, në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) do të lansojë Doracakun për Praktika Gjyqësore, të martën, më 24 shtator, në Akademinë e Drejtësisë, me fillim në ora 11:00. Doracaku paraqet një hulumtim të praktikës së Gjykatës së Apelit, për divizionin civil, deparartamentin për çështje administrative dhe departamentin për çështje ekonomike. Përkatësisht, gjyqtarët e Gjykatës së Apelit në koordinim me Akademinë e Drejtësisë kanë bërë identifikimin e shkeljeve më të shpeshta në praktikë, duke ofruar zgjidhje përmes praktikës së gjykatës se Apelit. Doracaku përmbanë edhe udhëzime adekuate për veprimet procedurale që duhet ndërmarrë, për të zvogëluar trendin e lëndëve që kthehen në rishqyrtim si dhe për të ndikuar në rritjen e efikasitetit në zgjidhjen e rasteve gjyqësore.
Nikoqir të ngjarjes do të jenë znj. Luljeta Hetemi, U.D Drejtoreshë Ekzekutive e Akademisë së Drejtësisë dhe këshilli redaktues i Doracakut. Në ngjarje do të marrin pjesë edhe Zëvendës Ambasadorja Norvegjeze, Nënkryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Kryetari i Gjykatës Supreme, dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të drejtësisë në Kosovë, si dhe përfaqësues të UNDP-së. Ky aktivitet është pjesë e projektit të UNDP-së, Përmirësimi i Qasjes në Drejtësi dhe Reformës së Sundimit të Ligjit në Kosovë, i financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme Norvegjeze përmes Ambasadës së Norvegjisë në Kosovë.