Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës bëhet anëtare e Unionit Ndërkombëtar Akademik (Union Académique International). Unioni Ndërkombëtar Akademik (Union Académique International), në Asamblenë e Përgjithshme të mbajtur në Tokio të Japonisë, sot pranoi në radhët e veta, me të drejta të plota, Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të kandiduar sipas rekomandimeve me shkrim të Académie des inscriptions et Belles Lettres të Francës, Akademisë së Shkencave të Austrisë dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, të mbështetur gjithashtu me shkrim nga Akademia e Polonisë, e Maqedonisë, etj.
Fletëdëshmia e anëtarësimit të ASHAK në UAI iu dorëzua anëtarit korrespondent të ASHAK, Muhamedin Kullashi, deleguar në këtë Asamble të Përgjithshme. Unioni Ndërkombëtar Akademik është organizatë botërore e akademive nacionale në fushën e dijeve humane dhe të shkencave sociale. I themeluar më 1919 në Paris, me një sekretariat të përgjithshëm të vendosur në Bruksel, sot Unioni tubon rreth vetes mbi 100 akademi nga 63 vende të të gjitha kontinenteve. Të kujtojmë se ASHAK-u është anëtare e rregullt me të drejta të plota dhe tejet aktive e ALLEA-s (All European Academies), Federatës së Akademive Nacionale të Europës, që nga viti 2004, anëtare e Interacademic Panel (IAP), e Unionit të Akademive të Europës Juglindore, e Interacademic Human Right Network, me seli në Nju Jork, etj.