Çka tha Mehmet Hoxha në VASNOS më 10 prill 1945?
Në rrethanat që i përshkruam më parë, duhet për hirë të OBJEKTIVITETIT të kthehemi për disa muaj prapa. E vërteta, (posedohet dokumentacioni në origjinal-hb) më 9-12 nëntor 1944 në Beograd do të mbahet Mbledhja e Këshillit të Madh Antifashist të Çlirimit Popullor të Serbisë. Seanca e Parë solemne mbahet më 9 nëntor 1944. Ndërsa mbledhja e parë mbahet më 10 nëntor; mbledhja e dytë mbahet më 11 nënor, mbledhja e tretë mbahet më 12 nëntor 1944. Tërë dokumentacioni është hulumtuar dhe i përgjigjet njëqind për qind botimit me titull: “Zasedanje Velike Antifashistiçke Narodnoosllobodillaçke Skupshtine Srbije 9-12 novembar 1944, Beograd, stenografske beleshke; pa datë botimi). Në dokumentacionin e hulumtuar dhe në publikim, në asnjë vend NUK PËRMENDET KOSOVA. Aty ishte Josip Broz Tito me tërë ekipin e KQ PKJ. Aty ishin përfaqësuesit e të gjitha republikave dhe të Vojvodinës, por nuk ishte asnjë përfaqsësues i Kosovës, qoftë shqiptar, apo ndonjë kolonist sllav, të cilët për nevoja të ditës ishin bërë “komunista”.
Në Kuvendin Antifashist të Çlirimit Popullor të Serbisë, mbajtur në Beograd nga 7-9 prill 1945, pasi që e ANEKSOI VOJVODINËN dhe GJYSMËN E SANXHAKUT, të cilën Krahinë historike e kishin ndarë me Malin e Zi, Kryesuesi i Seancës do t`ia japë fjalën Dushan Mugoshës. Ky monstrum politik (D. Mugosha), pa asnjë autorizim prej ndonjë forumi të Kosovës, do ta mbajë një fjalim përshëndetës dhjetë minutësh në gjuhën serbishte. Aty, me fjalimin e tij kishte për qëllim që ta vejë në KURTHË politike Mehmet Hoxhën, i cili foli në Beograd në gjuhën shqipe, për herë të parë në histori. Ky gjest që Mehmeti të lejohet të flasëshqip e kishte koston e vet historike tradhtare, me prapavijë deri sa të kryhet puna e statusit Kosovës. Ja fjala e Mehmet Hoxhës në tërësi pa asnjë ndërhyrje:
“Shokë e shoqe, jam shum i lumtun që më asht dhanë rasti që të gjindem në kët Asamble tuej, në të cilën zgjidhën çeshtje shum të randësishme, dhe ti përfaqesoj popujt e Kosovës dhe të Metohisë. (Aplauz).Jam i sigurt se ju intereson të ndigjoni mbi gjendjen që mbretnon në Koosvë dhe Metohi dhe unë do tua shprehi në disa fjalë.
Popullsia shqiptare e Kosovës dhe e Metohisë nuk ka mujtë që të japi shumë në luftën e tashme dhe për arsye sepse, me gjithse përfaqson shumicën dërmuese në Kosovë dhe Metohi, ka qenë gjithherë e shtypun dhe e keqpërdorun nga ish regjimet e Jugosllavis. Reakcjoni, i cili ishte në shërbim të okupatorit, ka pasë për qëllim që në Koosvë dhe Metohi të krijojë kasaphane, ku populli shqiptar do të luftonte kunder serbëve dhe malazezëve në Kosovë e Metohi. Ai në këte deri diku ja ka dalë. Nji pjesë e popullit shqiptar ne Kosovë dhe Metohi ka qenë në rrugë të gabueshme siç kanë qenë edhe disa popuj të tjerë të Jugosllavisë, nuk ka mujtë që të çmojë randsinë e luftës nacional çlirimtare, por së bashku me fashistat ka krye disa krime kundër popujve të tjerë në Kosovë e Metohi. Por fakti se nji numër i të rijve –shqiptarë nga Kosova e Metohija –sëbashku me vllaznit serbë dhe malazezë-ka luftue kunder okupatorit dhe fakti se shumë familje serbe dhe malazeze kanë gjetë strehim në Kosovë e Metohi asht provë se shqiptarët janë disi në rrugë të drejtë dhe se janë për afrimin e popujve të Kosoves dhe të Metohis. Bijtë ma të mirë të popullit të Kosovës dhe të Metohis ia kanë dalë që ta shkatrrojnë atë jaz, të cilin e kishte krijue reakcioni në mes të popujve tone, dhe të nisëm në luftën e përbashkët kundër fashizmit. Sot gjendja në Kosovë e Metohi asht mjaft e mirë dhe neve do të përpiqemi që edhe ate shka ka mbetë nga fashizmi ta likuidojmë sa ma shpejtë. (apllauz i furishëm).
Deshira të cilen e shprehi shoku Mugosha: që Kosova dhe Metohija ti bashkohen Serbisë Federale, nuk e frikëson popullin shqiptar të Kosovës e Metohisë, por e forcon dhe i jep sigurim se do të ketë – po ato të drejta me popujt e tjerë të Koosvës dhe të Metohis. (Duartrokitje të furishme). Dëshira e popullit shqiptar nga Kosova dhe Metohija që ti bashkohet Serbis Federale nuk ka për qëllim që ti forcojë apetitet e ish klikes imperialiste të Serbis por ta forcojë Serbin si nji njisi përparimtare demokratike, ku janë të garntueme të drejtat e të gjithë popujve të saj, ku të gjithë do të trajtohen barabar. Ne popullsija shqiptare nga Kosova dhe Metohija, që kemi dhanë pak në fillim, tash duhet të mbajmë barrën ma të madhe në luftë kunder fashizmit. Edhe kete detyrë do ta përmbushim, do ta pembushin tue e derdhë gjakun dhe tue ba të gjitha sakrificat që ti shlirojmë viset ende të paçlirume të Jugosllavisë dhe keshtu te krijojmë Jugisllavinë Federative Demokratike sa ma të fortë me në Krye Marshallin Tito.
Neve shqiptaret nga Kosova dhe Metohija, gjindemi në Jugosllavin Federative Demokratike barabar me të gjithë popujt, vllaznisht dhe barabarisht, edhe prandaj nuk do të na dhimbet kurgja per arritjen e ketij qellimi.
Unë i deshiroj kesaj asambleje historike sukses ma të madh dhe i uroj punën. Rrnoftë Asambleja antifashiste e çlirimit kombetar të Serbis. (Apllauz i furishëm dhe i gjatë). Fjalimin e Mehmet Hoxhës do ta perkthejë Dushan Muagosha, i cili në serbishte botohet pas fjalimit shqip, si ankesë fjalës së Mehmet Hoxhës. (Shiko: Zasedanje Antifashistiçke Skupshtine Narodonog Osllobogjenja Srbije 7-9 prill 1945, Beograd, f. 12/3, Mbledhjen e drejtojnë: Kryetari Dr Sinisha Stankoviq dhe nënkryetari i parë Aleksander Rankoviq, që të dy nga Beogradi).
Me fjalimin e lartëcekur Dushan Mugosha përmes Mehmet Hoxhës pa asnjë autorizim ia dorëzon Sebisë Kosovën përmes fjalimit në ASNOS me dëshirë, ta shpallë trevë të saj integrale. Të shohim se çka ndodhë më tutje, me qëllim që titistët t`i forcojnë pozitat Më 15 maj 1945, do të mbahet në Beograd Kongresi i parë i PKJ për Serbi. Aty Dushan Mugosha do të diskutojë se në: “Kosovë nuk ka mundësi të aplikohet gjuha shqipe. Ky ishte një paralajmërim se çka do të pasojë mëtej me statusin e Kosovës.
Duke e futur organizatën e partisë Komuniste të Kosovës nën “syzerenintetin” e PK të Serbisë, me komoditet Dushan Mugosha, Gjoka Pajkoviqi dhe Spasoje Gjakoviqi do ta ftojnë Kuvendin e TRETË të Këshillit Popullor të Kosovës dhe Rrafshit Dukagjnit me 10 korrik 1945 në Prizren.(Kuvendi i parë i Këshillit është mbajtur në Bujan më 31 XII 1943, i Dyti në Kolosian më 18 VI 1944 dhe i Treti në Prizren më 10 VII 1945). Në këtë Kuvend do të “aprovohet” Rezoluta që ishte përpiluar në Beograd që “Kosova ti bashkohet Serbisë federale”. Pas aneksimit të Kosovës nga Serbia federale, do të pasojë de jure heqja e Diktaturës ushtarake në Kosovë. Në lidhje me këtë de fakto, diktatura ushtarake kurrë nuk është mënjanuar në Kosovë deri më 10 VI 1999. Në vijim po e siellim tekstin që botohet për herë të parë:
“ME RASTIN E HEQJËS PUSHTETIT USHTARAK NË KOSOVË”
‘Vendimi për heqjen e pushtetit Ushtarak, që ka qenë deri tash si nji instancë ma i naltë e pushtetit në Kosmet përfaqson nji njohje pozitive të punës s`onë deri tash dhe të gjendjës politike të sotshme në këtë krahinë, pika ma e madhe asht që tash përfaqson nji periudhë të punës shumë të gjallë politike arsimore ndër masat e gjana popullore, pozitës së masave të varfuna punonjëse të qytetit dhe të katundit.
Megjithë që para disa muajve, menjiherë mbas lirimit të kësaj krahine, banditat tradhtare të ballistëve, të çetnikëve, të udhequna prej Ferhat Dragës, Shaban Palluzhës, Adem Osmanit, Zhika Markoviqit dhe hyzmeqarëve të tjer fashista, me nji pjesë të katundarëvet të mashturem na mësyen dhe e vështirsuen seriozisht pozitën tonë në Kosmet, prap se parap të gjitha këto nuk i ndihmuen realizmit të planeve të tyne kriminale nuk e penguen fitoren tonë.
Vendimi për HEQJEN e pushtetit Ushtrak përfaqson nji dokument të suksesevet tona, nji grusht të mirë të gjithë anmiqëvet tona. Ai duhet ta baj të mundun dhe ta shpejtësoj forcimin e fuqivet tona forcimin e vllaznimit tonë, zhvillimin e të gjitha punëve tona, në t` ardhshëmen ma të mirë popullit të Kosmetit”. (28. AVIIB. K. 168/11/9/1411).
Përfundim
Duke hulumtuar dokumentet e pas vitit 1944 populli shqiptar, sidomos pas aplikimit të Diktaturës ushtarke (8 shkurt 1945), “nacionalçlirimtarja” e përbashkët me sllavë, që e drejtuan komunistët, ishte një tradhti e radhës, prandaj populli do të shpërthejnë në histori në vargje:
E tregoi Fetah A. Bajrami më 1958-
Krali e Tita janë besatue!
“Terri syve po më ranohet,
Dhuna e sllavit ma nuk nuk durohet.
Djemtë e ri se lëshoni Kosovën,
Do ti mani mall trojet që i dogjën.
Qëndroni burra se nuk jemi të lirë,
Na ka lidhë Tita, sikur krali prap me sinxhirë.
Ka hy Sava (Dërleviqi) shpi për shpi,
Po vret pleq e po therë fëmi
Gratë shtatzana po i ngul në singi”. (….)
(Kënga është e pas 8 shkurtit 1945. E recitoi Fetah Bajrami më 1958, i cila ishte përpiluar deri sa partizanët shqiptarë ishin në eshallonet e Tivarit (Adriatikut) dhe Sremit, e sllavët po masakronin Shqipërinë Kontinentale).
Pushteti neofashist (Titist) menjëherë pas largimit të nazifashistëve, do të merr vendim për ndërtimin e 10,000 shtëpive për dahijët (kolonistët) e ri sllavë më 1 prill 1945 në Polit Byro të KQ PKJ. Megjithë vuajtjet shqiptare, ata që ishin të detyruar të bëjnë hangari do të shpërthejnë: “Hajt murroj, hajt murroj (i drejtohet kaut!), Se vjen koha e prap i rrëxoj!”(shtëpitë e kolonistëve sllavë!).
Kur flitet e shkruhet për antifashizmin në Kosovë, patjetër duhet patur parasysh se në fund të luftës në radhët e Ushtrisë Nacional Çlirimtare dhe Aradhave Partizane të Kosovës ishin 56,000 luftëtarë. Në fushat e luftës ranë për çlirim, i cili u kthye në riokupim 6,824 viktima lufte. Në këtë drejtim meriton të hulumtohet dhe të dokumentohet me një STUDIM se çka i ka sjellë popullit shqiptar ajo luftë antifashiste kundër nazifashistëve. Në lidhje me këtë duhet të dihet edhe se çfar dëmesh i kanë sjellë lirisë dhe mundësisë së armiqëve sllavë që ta AKUZOJNË popullin shqiptar për kolaboracion me okupatorin. Po e themi këtë sepse në kohën e fundit mjaft është topitur dhe ka përpjekje që tradhtarët të quhën patriotë, kur dihet se punuan për intresa të nazifashizmit. Bje fjala të gjithë NËPUNËSIT e rretheve të: Mitrovicës, Vushtrrisë, Llapit dhe Pazarit Ri e merrnin rrogën nga Beogradi 1941-1944. Ndërsa ka zëra që Lidhja e Dytë e Prizrenit që u mbajt nën përkujdesjen e Shmit Huberit, “ia bashkoi Çarkun e Mitrovicës Zonës së ish okupimit Italian” Ky pohim është një rrenë, e sajuar krejt me qëllim që të rehabilitohet Regjimenti “Kosova”. “Lidhja Popullore shqiptare” e disa organizata tjera. Dokumentet arkivore gjermane dhe shqiptare janë të pamëshirshme. E vërteta, Konferenca e KNÇ në Bujan ku ishte i pranishëm edhe misioni ANGLEZ nuk mund të krahasohet me Lidhjen e Dytë të Prizrenit (sado fjalë patriotike të ketë pasur aty) ku ishte prezent shefi i Gestapos Hausding dhe Shmit Huber, që të dy me urdhër të Herman Nojbaherit.
Së këndjemi, Antifashizmi në Kosovë duhet të objektivizohet me argumente, sepse në te janë përzier gishtërinjët edhe të ish kolonistëve sllavë, të kolaboracionistëve shqiptarë, të cilët sërish më 1945, shqiptarët u arratisën e kolonistët sllavë u kthyen në Kosovë si triuamfalistë duke e kthyer në koloni moderne, ku shqiptarët duhej të jepnin llogari, në vend që të kërkojnë llogari nga të gjithë ish shtypësit për mizoritë që i kishin bërë ndaj shqiptarëve, nga viti 1918-1944/6 e tutje deri më 10 VI 1999.
Në Prishtinë më 15 XI 2019