Vizita e kryetarit të Shqipërisë, Bamir Topi, në Kosovë prej 25 – 27 janar, në mediat e shkruara e elektronike dhe në opinionin shqiptar të Kosovës u quajt vizitë historike. Dhe, u quajt, kështu, vizitë historike, për arsye se u bë në prag të ngjarjes më të madhe në historinë e Kosovës, të ngjarjes së ëndërruar nga të gjithë brezat e atdhetarëve gjatë një shekulli: në prag të shpalljes së pavarësisë. U harrua se vizitat zyrtare të politikanëve dhe shtetarëve nuk mund të quhen historike vetëm pse ndodhin në çaste me rëndësi historike. Vizitat zyrtare të politikanëve dhe të shtetarëve edhe më shumë sesa çasti me rëndësi historike i bëjnë historike idetë e tyre, gjykimet e tyre, largpamjet e tyre, vizionet e tyre, më në fund, karakteri i tyre i treguar në çastet historike.
Vizita zyrtare e kryetarit të Shqipërisë, Bamir Topi, në Kosovë, përpos se u bë në prag të ngjarjes së madhe, historike për popullin e Kosovës dhe për popullin shqiptar në përgjithësi, nuk kishte asgjë tjetër historike. As ide, as gjykime, as largpamje, as vlerësime, as vizione historike. Përkundrazi: ajo kishte shumëçka të vogël që nuk përkonte me ngjarjen e madhe, në prag të së cilës ngjau. Fjalimet që ai mbajti, së pari në institucionin më të lartë politik të Kosovës – në Kuvendin e Kosovës dhe, mandej, në institucionin më të lartë të arsimit, të shkencës dhe të edukimit moral e atdhetar të rinisë shqiptare – në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, ishin fjalime tipike burokratike, të cilave u mungonte ajo që pritej ta kishin: larghedhja në gjykime dhe shpirtgjerësia në vlerësime. Në vend se ta shikonte Kosovën nga lartësia mendore dhe morale e kryetarit të shtetit, që qytetarët e Kosovës e quajnë shteti Amë, ashtu siç e shikuan kur ishin në Kosovë paraardhësit e tij ish-kryetari Rexhep Meidani dhe ish-kryetari Alfred Moisiu, ai e shikoi nga niveli i një partie – i partisë së cilës i takon! Dhe, shikimi i tillë, i partishëm, madje, palejueshëm i partishëm, i bëri fjalimet e tij intelektualisht boshe, historikisht të papërgjegjshme, politikisht polarizuese!
Pse mund të thuhet kështu? Mund të thuhet kështu:
– e para, për arsye se kryetari Bamir Topi kishte harruar se Kosova ka bërë luftë, ka bërë një luftë që në historiografi nuk ka se si të quhet ndryshe përpos luftë çlirimtare dhe,
– e dyta, për arsye se ai ishte kryetari i parë i Shqipërisë, të cilit gjatë këtyre 95 vjetëve prej se Kosova i është shkoqur me dhunë Shqipërisë, i është bërë e mundshme të flasë para popullit të Kosovës në Kuvendin e Kosovës.
Për kryetarin e Shqipërisë, të shtetit Amë, lufta çlirimtare do të duhej të ishte Pikënisja, që përcakton gjykimet dhe vlerësimet e tij për organizata politike, për veprimtarë politikë, për procese politike, për ngjarje dhe të arritura sot në Kosovë. Por, kryetari i Shqipërisë, Bamir Topi, sikur kishte harruar se në Kosovë është bërë kjo luftë, se në uniformë të një ushtrie kombëtare, e quajtur Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në këtë luftë kanë rënë afër dymijë dëshmorë, se në këtë luftë shqiptarët kanë pasur mbi dhjetëmijë të vrarë, të masakruar – djem, vajza, fëmijë, pleq, se gati një milion shqiptarë janë dëbuar me dhunë nga Kosova, disa qindra nga të cilët kanë gjetur strehimin, bukën, mjekimin, kujdesin vëllazëror në Shqipërinë shtetërore.
Në fjalimin e kryetarit të Shqipërisë, Bamir Topi, në Kuvendin e Kosovës, as nuk u përmend fjala luftë çlirimtare, as nuk u përmend ajo që e bëri këtë luftë: Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Dhe, sipas të gjitha gjasave nuk u përmend lufta çlirimtare, sepse kryetarit Bamir Topit nuk ia qitte goja tri fjalët: Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Pse nuk ia qitte goja fjalën UÇK e di, natyrisht, kryetari Bamir Topi, e di kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, por e dinë edhe ata që kanë mësuar për qëndrimin e dikurshëm të Partisë Demokratike të Shqipërisë ndaj luftës çlirimtare në Kosovë, ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që këtë luftë e ka bërë dhe ndaj Konferencës së Rambujesë në të cilën merrte pjesë edhe delegacioni i UÇK-së. Në qoftë se i mungoi vetëdija historike për të njohur nga tribuna e Kuvendit të Kosovës meritën historike të UÇK-së për çlirimin e Kosovës, për mbajtjen e Konferencës së Rambujesë, për vendosjen e NATO-s dhe të UNMIK-ut në Kosovë dhe, më në fund, për ngjarjen e madhe në prag të së cilës gjendet Kosova sot: për shpalljen a afërme të pavarësisë së saj, kryetarit Bamir Topi nuk i mungoi gatishmëria që të shquajë njeriun e me të edhe partinë politike që prej çastit të formimit të UÇK-së u ngrit kundër saj, që bëri shumë përpjekje të komprometonte UÇK-në para faktorëve ndërkombëtarë, njeriun që gjatë bombardimeve u takua me kryetarin e Serbisë – kriminelin e luftës, Millutinoviç, në Prishtinë dhe me kryetarin e Jugosllavisë së mbetur – kriminelin e luftës, Millosheviç, në Beograd, që në Beograd para mediave elektronike e kërkoi ndërprerjen e bombardimeve si kusht për paqe në Kosovë e kjo domethënë për amshimin e pushtimit serb të Kosovës dhe që, më në fund, kur u kthye prej Beogradit në Prishtinë i filloi përpjekjet për krijimin e qeverisë kuislinge, që përfunduan me pasoja tragjike për dikë që refuzoi të hynte në këtë qeveri tradhtare!
Dhe, këto janë të dhëna para të cilave as historianë, as politikanë nuk mund të qëndrojnë symbyllur e gojëkyçur kur flasin për vitin 1999 dhe për pavarësinë e pritur të Kosovës. Sado për nga vokacioni i parë – shkencëtar e kjo domethënë njeri që do të duhej t‘u bindej fakteve, kryetari i Shqipërisë, Bamir Topi, mohoi, kështu, faktet që tashmë dihen dhe themeluesin e UÇK-së dhe nismëtarin e luftës çlirimtare, Adem Jasharin, pa ngurrim e zëvendësoi nga mohuesi i tij dhe i gjithë luftës çlirimtare në Kosovë! Dikush do të thotë se kryetari Bamir Topi, megjithatë, e vizitoi shtëpinë e Jasharajve dhe bëri nderime në varrin e Adem Jasharit. Kjo, ndërkaq, në asnjë mënyrë nuk e arsyeton fjalimin e tij në të cilin u hesht emri i Adem Jasharit, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta çlirimtare në Kosovë! Tjetër është vizita protokollare e tjetër është fjalimi “historik” në Kuvendin e Kosovës. Po, nuk ishte fjalimi i kryetarit Bamir Topi në Kuvendin e Kosovës paraqitja e vetme e tij e papranueshme në Prishtinë. Paraqitja e tij e dytë e papranueshme ishte ajo në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Kosovës.
Megjithëse rektori i Universitetit të Prishtinës, Enver Hasani, e përkujtoi se titulli ‘Dr honoris causa” i është “ndarë Presidentit Topi si falënderim për mbështetjen e parezervë të shtetit Shqiptar ndaj luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në gjirin e së cilës ishin edhe studentët e këtij universiteti”, kryetari Bamir Topi e quajti të lejueshme që edhe këtu të flasë si partisan partiak në vend që të fliste si kryetar i Shqipërisë. Këtu ai, në fillim, përmendi emrat e disa studentëve pjesëmarrës në demonstratat historike të vitit 1981, shumica e të cilëve sot janë në politikë dhe i heshti plotësisht, si të mos kishin qenë kurrë, studentët e shumtë të këtij universiteti që dhanë jetën në luftën çlirimtare si pjesëtarë të UÇK-së. Kjo amnezi morale e kryetarit Bamir Topi, padyshim, nuk ishte e rastësishme. Mosmarrëveshja e kryetarit Bamir Topi me luftën çlirimtare dhe me UÇKnë, që e bëri këtë luftë, nuk mori fund me kaq. Në vazhdim të fjalës së tij, ai e quajti të nevojshme të merret pakëz, por paharrueshëm, me pedagogët e këtij universiteti.
Dhe, si u mor me ta?
Nga radhët e shumë pedagogëve të këtij universiteti ai u lejua të veçojë shtatë-tetë që, sipas mendimit të tij partiak, ishin apo, më saktë, sipas dëshirës së tij partiake, do të duhej të ishin njerëzit më të merituar për punën dhe historinë e Universitetit të Prishtinës, dikur i quajtur Universiteti I Kosovës. I dinte vetë këta emra apo ia kishin futur në fjalim bashkëpunëtorët e Presidencës a suflerët e Prishtinës nuk është e rëndësishme. E rëndësishme është se tre prej këtyre nuk kishin qenë kurrë pedagogë në këtë universitet, kurse njëri nga këta të tre, ndërkaq, edhe nuk mund të bëhej pedagog sepse kishte të mbaruar vetëm shkollën e mesme! Pse, atëherë, kryetari i Shqipërisë i veçoi si pedagogë më të merituar të Universitetit të Prishtinës vetëm këta shtatëtetë vetje? Pse kryetari i Shqipërisë, Bamir Topi, si pedagogë të lavdishëm të Universitetit të Kosovës i shpalli edhe ata që kurrë nuk kanë punuar në këtë universitet ndërsa harroi, shpërfilli, gjithë ata pedagogë, vërtet, të merituar – mjekë me doktorata, kimistë, fizikanë, matematikanë, ekonomistë, pedagogë, psikologë, anglistë, latinistë, historianë, historianë të letërsisë, gjuhëtarë, e të tjerë, që ia kushtuan gjithë jetën këtij universiteti? E bëri këtë vlerësim të gabuar, të paqëndrueshëm dhe të palejueshëm, kryetari Bamir Topi vetëm e vetëm pse gati të gjithë ata që përmendi ishin anëtarë të një partie në Kosovë, pse deshi të shquajë anëtarët e kësaj partie politike të Kosovës pothuaj të binjakëzuar me Partinë Demokratike të Shqipërisë? E bëri këtë vlerësim të gabuar e të palejuar kryetari Bamir Topi, sepse deshi të rishkruajë historinë e Universitetit të Prishtinës ashtu siç ka kërkuar kryetari i Partisë së tij, Sali Berisha, që të rishkruhet historia e Shqipërisë shtetërore dhe e shqiptarëve në përgjithësi?
Pse jo?
Mbasi në Kuvendin e Kosovës e “rishkroi” historinë më të re të Kosovës ashtu siç po kërkon Kryeministri i Shqipërisë shtetërore që të rishkruhet historia ushtarako-politike e Shqipërisë shtetërore, në Universitetin e Kosovës kryetari Bamir Topi e “rishkroi” historinë e këtij universiteti! Ndërkaq, se do t‘i zbatojë kërkesat e kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, kryetari Bamir Topi e tregoi trefish prej se u bë kryetar i Shqipërisë.
Së pari, e tregoi kur me nënshkrimin e tij e shkarkoi kryeprokurorin Theodori Sollakun të cilin, paraardhësi i tij, ish-kryetari i Shqipërisë, Alfred Moisiu, nuk gjeti arsye as kushtetutare, as politike, as morale që ta bënte këtë!
Së dyti, e tregoi kur me nënshkrimin e tij e cenoi rëndë autonominë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, duke shpërfillur dhe, madje, duke fyer anëtarët e saj dhe e shkarkoi kryetarin e posazgjedhur ligjërisht, akademik Rexhep Meidanin! Së treti, e tregoi pak para se të vinte në Kosovë, kur me nënshkrimin e tij e bëri të plotfuqishëm ligjin me të cilin librat, revistat dhe botimet e tjera shqip të importuara nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e diaspora dhe librat, revistat e botimet e tjera në gjuhë të huaja të importuara nga bota i ngarkoi me tatim prej 20 për qind – e bëri të plotfuqishëm ligjin paramodern, pra, që veçon (izolon) Shqipërinë shtetërore nga Kosova, viset e tjera kombëtare dhe nga bota në pikëpamje shkencore, letrare e kulturore, duke cenuar ashtu përpjekjet për funksionimin e lirshëm të hapësirës kulturore kombëtare dhe për evropianizimin e krijimtarisë shpirtërore shqiptare!
Dhe, kështu, prej se u bë kryetar i Shqipërisë, Bamir Topi, me nënshkrimet e tij mbi ligjet dhe vendimet e qeverisë së Sali Berishës i çoi botës mesazhe me të cilat u tregua se Shqipëria shtetërore nuk e ka kaluar fazën e parë të demokratizimit; se një institucion i saj – qeveria, I kontrollon edhe institucionet që në demokraci janë të pavarura – Kuvendin, Kryetarin, Gjyqësorin; se në Shqipëri institucionet vazhdojnë të jenë institucione mikste, me veçori të pakta të demokracisë e me veçori të shumta të autoritarizmit! Nuk janë mungesa e pavarësisë së tij vepruese si kryetar i shtetit e treguar në shembujt e sipërthënë dhe partishmëria e tij si kryetar i shtetit e treguar papranueshëm në Kuvendin e Kosovës e në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, të vetmet të dhëna që e bëjnë të paarsyeshëm nderimin e Bamir Topit me titullin Dr. Honoris Causa. Megjithëse në arsyetimin për dhënien e këtij çmimi thuhet se ai i jepet kryetarit Bamir Topi për kontributin e tij personal “për zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës”, mendja objektive nuk e pranon këtë arsyetim: kryetari i Shqipërisë, Bamir Topi, nuk shquhet me merita për “zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës”. Ai është zgjedhur kryetar i Shqipërisë para afër gjashtë muajsh dhe për gjashtë muaj nuk ka mundur të bëjë shumë “për zgjidhjen e statusit të Kosovës”. Gjatë këtyre gjashtë muajve ai ka përsëritur ato që janë shqiptuar prej diplomatëve, politikanëve e shtetarëve amerikanë dhe evropianë, që s‘do t‘i shqiptonte kurrë po të mos i shqiptonin ata. Më në fund, tani është e lehtë të bëhet “shumë” për zgjidhjen e statusit të Kosovës, domethënë për pavarësinë e Kosovës.
Tani për zgjidhjen e statusit të Kosovës, për pavarësinë e Kosovës, janë deklaruar përfundimisht shtetet prej të cilave varet ky status: SHBA-të dhe shtetet e mëdha të Bashkimit Evropian. Punët për t‘u bërë e mundshme që SHBAtë dhe Bashkimi Evropian, më në fund, të deklarohen për pavarësinë e Kosovës janë bërë përpara, para luftës, duke filluar nga viti 1981, e sidomos, gjatë luftës – në kohën kur zëri i Bamir Topit për Kosovën nuk është dëgjuar fare, në kohën kur kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, i caktonte Kosovës si status përfundimtar autonominë në kuadrin e Jugosllavisë së mbetur, kur ai e quante Kosovën djep që u takon përgjysmë binjakëve të rritur në të shqiptarë e serbë, kur ai furnizonte Malin e Zi e Serbinë me naftë me të cilën punonin tanket, autoblindat dhe helikopterët e ushtrisë e të policisë serbe me të cilët vriteshin të rinjtë shqiptarë, pjesëtarët e UÇK-së dhe masakrohej popullsia shqiptare, kur ai çohej kundër Konferencës së Rambujes! Siç dihet, për punën e bërë në kohën e duhur për zgjidhjen e statusit të Kosovës, në Shqipëri janë të merituar të tjerë e jo Bamir Topi dhe kryetari i Partisë së tij, Sali Berisha: janë të merituar, në radhë të parë, ish-kryetari i Shqipërisë në kohën e luftës në Kosovë, Rexhep Meidani, ish deputeti dhe kryetari i Këshillit për politikë të jashtme në Kuvendin e Shqipërisë, Sabri Godo, ish-kryeministri I Shqipërisë, Pandeli Majko dhe ish-kryetari i Shqipërisë, Alfred Moisiu. E të tjerë.
Në qoftë se Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, është i vendosur të rishkruajë historinë e re shqiptare ashtu siç po shohim se po bën në Shqipërinë shtetërore dhe ashtu siç deshi ta rishkruajë kryetari Bamir Topi në Kuvendin e Kosovës dhe në Amfiteatrin e Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, senati dhe rektori i Universitetit të Prishtinës nuk do të duhej ta bënin këtë. Jo. Kurrsesi. Universitetet janë institucione të arsimit, të shkencës e të etikës dhe prej tyre duhet të rrjedhin vendime, gjykime e vlerësime të drejta, objektive e të ndershme, që mbesin në histori e jo vlerësime të çastshme konjukturale. Po, mund të jetë se nderimi i kryetarit dhe i nënkryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha e Bamir Topi, tani Kryeministër dhe kryetar i Shqipërisë, nuk lidhet fare me zgjidhjen e statusit të Kosovës! Ajo që dëgjuam në Kuvendin e Kosovës dhe në Amfiteatrin e Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës është një histori e falsifikuar dhe një politikë e partishme, polarizuese, që në vend se shëndoshjes morale, u shërbejnë atyre që po shohim e po dëgjojmë përditë në jetën tonë politike, shkencore dhe kulturore: gënjeshtrave, korrupsionit mendor dhe rënies shpirtërore të shoqërisë shqiptare.
Kontrolloni gjithashtu
Kryeministri, Albin Kurti mendon se mërgimtarët e kanë ngatërruar regjistrimin e popullsisë me regjistrimin për votim
Kryeministri, Albin Kurti i ka bërë thirrje mërgatës që të regjistrohen për të votuar në …