Drejtoria për Shërbime Publike në komunën e Shtimes, ka angazhuar kompaninë “ Pastërtia” për pastrimin e mbeturinave dhe eliminimin e deponive të egra në lagjen Kryqi i Belincit, në afërsi të pishave.
Janë eliminuar gjithsej 4 deponi të egra dhe mbeturinat e grumbulluara përskaj rrugës transite. Kompania “ Pastërtia” ka angazhuar, në këtë aksion pastrimi, gjithë mekanizmin që posedon dhe një pjesë të stafit të saj me ç’rast edhe ka kthyer në gjendjen e mëparshme lokacionet ku ishin krijuar deponi të egra.
Ky aksion është realizuar në kuadër të garës “Për mjedis të pastër”, që është një nga kriteret për përfitimin e donacioneve nga organizata gjermane GIZ.
Sipas drejtoreshës së Drejtorisë për Shërbime Publike, znj. Ardiana Rama, qytetarëve, tani e tutje, u është bërë e ditur se nuk është e lejuar të krijojnë deponi të egra të mbeturinave pasi që janë paraparë edhe masa ndëshkuese për këtë.
Përkujdesjen për këtë, konform Udhëzimit në fuqi, do ta bëjë inspektorati komunal, i ndihmuar edhe nga policia.
Sipas saj, qytetarët janë të obliguar që të përfshihen në sistemin e pagesës për largimin e mbeturinave nga kompania “Pastërtia”, e cila do të kujdeset për marrjen e mbeturinave në vendbanimet e tyre, pasi qytetarët të fillojnë pagesën.