Aktakuza kundër Ukë Rugovës dhe 18 akuzuarve të tjerë, të cilët po ndiqen penalisht për skandalin me viza Shengen, sipas gjykatës, nuk janë të kompletuara. Trupi gjykues i ka kërkuar prokurorit të EULEX-it, Allen Cansick, që ta plotësojë atë, duke e konsideruar të mangët, duke filluar nga mos konkretizimi i veprave penale ndaj të akuzuarve. Në anën tjetër, disa prej të akuzuarve kanë kërkuar ndarjen e procedurës gjyqësore, mirëpo kjo është hedhur poshtë nga gjykata. Ukë Rugova, së bashku me grupin e tij janë akuzuar në muajin maj të këtij viti për krim të organizuar, si dhe kontrabandë me emigrantë.
