Rinia Demokratike e Kosovës ka zhvilluar sot një aksion para Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ku ka kërkuar dorëheqjen e ministres Donika Schwarz, pas deklaratave skandaloze të saj për luftën çlirimtare të UÇK-së.
Aktivistët e Rinisë Demokratike kanë vendosur një kuti me mbishkrimin: “Këtu deponohen dosjet e gjenocidit serb në Kosovë”, ku kanë vendosur dosje të krimeve të bëra nga Serbia ndaj qytetarëve të pafajshëm të Kosovës, si dhe i kanë lënë një libër për gjenocidin serb në Kosovë me mesazhin “Për ju që keni harruar se kë përfaqësoni”.
“Sot ne prapë u detyruam që të ngritemi dhe të mbrojmë vlerën tonë më sublime kombëtare – Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe po e mbrojmë nga dikush që nuk e kemi menduar se duhet ta mbrojmë, nga ministrja e jashtme e repubikës sonë, për të cilën sakrifikuan shumë dëshmorë dhe heronj dhe ende po sakrifikohen heronjtë tanë të gjallë në gjykime të padrejta.”, ka thënë kryetari i Rinisë Demokratike, Donjet Bislimi.
Ai ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës që të vazhdojnë me deponimin e dosjeve në kutinë e vendosur nga RDK, që t’ia rikujtojnë ministres Schwarz se kush ka qenë agresori dhe kush ka qenë viktima.
“Ajo përfaqëson dhe duhet të përfaqësoj Republikën e Kosovës dhe jo Republikën e Serbisë.”, ka përfunduar Bislimi.
Ndërsa, deputetja e PDK-së Eliza Hoxha ka theksuar se ministrja Schwarz duhet ta kuptojë që nuk përfaqëson më opinionet e as dëshirat e saj për subjektet politike dhe për UÇK-në.
“Ajo përfaqëson shtetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe duhet ta kuptojë diplomacinë kosovare bazuar në historinë e shtetit të Kosovës. Ajo ka për detyrim që ta ushqejë narrativën e shtetit të Kosovës që shtetësia e Kosovës të marrë kuptimin e vërtetë të saj dhe jo të mbajtë agjendën e Serbisë. Nëse ajo flet për viktimat e Kosovës duhet ta kuptojë që edhe akterët e gjallë që e kanë bërë luftën çlirimtare të Kosovës janë po aq të rëndësishëm sa ata që kanë dhënë jetën e tyre për lirinë e Kosovës”, ka thënë Hoxha.
Pas përfundimit të këtij aksioni, Policia e Kosovës ka arrestuar dy aktivistë të rinisë së PDK-së. Partia Demokratike e Kosovës kërkon lirimin e menjëhershëm të tyre.