Gjithsej 400 pemë u mbollën njëkohësisht sot në Prishtinë dhe në disa qytete të tjera në rajon si pjesë e aksionit të sivjetmë “Pema e Miqësisë”, i cili u zbatua bashkërisht nga Fondi Evropian për Ballkanin (EFB) dhe partnerët e tij vendas.
“Qytetet në të gjithë Ballkanin Perëndimor ndajnë një problem të madh mjedisor, përkatësisht nivelet e rrezikshme të ndotjes së ajrit. Prandaj, qëllimi i kësaj iniciative është të dërgojë një mesazh të fortë e të përbashkët se bashkëpunimi dhe solidariteti rajonal mund të kontribuojnë edhe në zgjidhjen e kësaj çështje dhe krijimin e kushteve për ajër të pastër”, thuhet në deklaratën e EFB-së.
“Gjatë dimrit, qytetet e rajonit figurojnë rregullisht në listën e qyteteve më të ndotura në botë dhe është e rëndësishme që të ndërmerren hapa të përbashkët dhe konkretë për t’i dhënë fund këtij trendi. Mbjellja e pemëve është një nga më të thjeshtat dhe më e rëndësishmja”, tha Aleksandra Tomanić, Drejtore Ekzekutive e EFB-së.
Aksioni i përbashkët “Pemët e Miqësisë”, si dhe e gjithë kampanja “Ballkani i bashkuar për ajër të pastër”, realizohet me mbështetjen e organizatave të shumta: Për Sarajevën e pastër nga Sarajeva, Eko Forum nga Zenica, Instituti i Menaxhimit të Territorit Mjedisor nga Tirana, truAktiv nga Prishtina, Air Care nga Shkupi, OZON nga Podgorica, RERI dhe Shkolla e Hapur nga Beogradi dhe Pro.Tok21 nga Smedereva.
“Ne jemi shumë të kënaqur që jemi përsëri pjesë e aksionit rajonal “Pema e Miqësisë”, aktivitetet specifike të të cilit tërheqin vëmendjen e publikut për nevojën e përmirësimit të cilësisë së mjedisit në Ballkanin Perëndimor dhe inkurajojnë bashkëpunimin ndërsektorial dhe përfshirjen e qytetarëve në përpjekjet për të reduktuar efektet negative të ndryshimeve klimatike dhe ndotjes së ajrit. Këtë vit, aksioni “Pema e Miqësisë” në Mal të Zi ka një simbolikë të veçantë, pasi numri i pemëve të mbjella korrespondon me shënimin e 30 vjetorit që kur Mali i Zi u shpall shtet ekologjik. Kryeqyteti i Podgoricës do të marrë një rrugë të re pemësh, e cila do të kontribuojë në përpjekjet për gjelbërimin dhe shpresojmë që qytetarët ta shijojnë këtë ambient që do t’i sigurojë lagjes Dahna një pamje të re më të gjelbër dhe më ekologjike. Jemi të lumtur që efekti i njëjtë do të arrihet në qytete të tjera të rajonit dhe mendjen sot e kemi te kolegët tanë nga Sarajeva të cilët nuk janë në gjendje të zbatojnë aksionin për shkak të vërshimeve dhe shpresojmë që të krijohen kushte sa më shpejt që kryeqyteti i Bosnjë-Hercegovinës të pasurohet edhe me një rrugë të re pemësh” – tha Aleksandar Peroviq nga Lëvizja Ekologjike OZONE nga Mali i Zi.
“Zenica ka pritur 13 vite që industria të vendosë filtra. Ndërsa prisnim, vendosëm të instalonim filtra natyralë. Këto pemë nuk janë thjesht një dekorim, ato do të jenë një filtër natyral për ajrin e ndotur, një shtëpi për zogjtë dhe mbrojtja më e mirë nga nxehtësia e verës dhe përmbytjet. Prandaj kërkojmë nga bashkëqytetarët tanë që të kujdesen për këto fidanë me vlerë dhe t’i mbrojnë nga vandalët, sepse këto janë mushkëritë e qytetit tonë”- Samir Lemeš, Eko Forum Zenica.
Me këtë aksion, Fondi Evropian për Ballkanin dhe partnerët e tij njoftojnë afrimin e fillimit të kampanjës sensibilizuese të këtij viti “Ballkani i bashkuar për ajër të pastër” në fillim të dhjetorit. Kampanja do të vazhdojë të informojë qytetarët e rajonit për shkaqet dhe pasojat e ndotjes së ajrit dhe zgjidhjet e mundshme, si dhe luftën për një mjedis më të shëndetshëm përmes solidaritetit rajonal.