Gjatë takimi i Komisionit për Punë të Jashtme me përfaqësuesit e KDI-së u bisedua lidhur me jetësimin e projektit të Instituti Demokratik të Kosovës për mbështetjen e grupeve parlamentare, të komisioneve parlamentare dhe të deputetëve në ushtrimin e mbikëqyrjes më efektive të procesit të dialogut Kosovë-Serbi. Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme kanë pritur sot në takim përfaqësuesit e Institutit Demokratik të Kosovës ( KDI), për të biseduar lidhur me jetësimin e projektit të këtij instituti për rritjen e transparencës së dialogut Kosovë-Serbi. Projekti në fjalë buron nga memorandumi i nënshkruar kohë më parë ndërmjet këtij instituti dhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës lidhur me fuqizimin e mbikëqyrjes së Kuvendit ndaj Qeverisë, si dhe rritjen e transparencës së qytetarëve në kuadër të dialogut Kosovë- Serbi.
Kryetari i Komisionit, Elmi Reçica, i cili e ka drejtuar takimin, projektin e KDI-së e ka vlerësuar shumë të rëndësishëm për transparencën e dialogut me Serbinë , si dhe për vendimmarrjen dhe llogaridhënien institucionale në kuadër të këtij procesi.Përfaqësuesit e Instituti Demokratik të Kosovës, Jeta Krasniqi, menaxhere e Projektit dhe Artan Murati, anëtar i KDI-së, kanë shkoqitur elemente të projektit të tyre, i cili mbështetet nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë, për mbështetje në ekspertizë të grupeve parlamentare, të komisioneve parlamentare dhe të deputetëve në ushtrimin e mbikëqyrjes më efektive të procesit të dialogut dhe transparencë të dialogut me Serbinë. Ata e kanë vlerësuar delikat dhe të vështirë procesin e dialogut, duke u shprehur se qytetarët fare pak kanë qenë të informuar për procesin e dialogut dhe për përmbajtjen e marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Ata janë shprehur se fillimisht do të përqendrohen në sqarimin e rëndësisë që kanë për qytetarët e Kosovës marrëveshjet e arritura , një pjesë e të cilave jo vetëm që nuk janë sqaruar për qytetarët, por madje kanë shkaktuar huti dhe politizim të panevojshëm. Përfaqësuesit e KDI-së kanë sqaruar se në funksion të transparencës së procesit të dialogut do të organizojnë tryeza pune me deputetë dhe ekspertë, vizita në terren, si dhe anketime të qytetarëve, për të parë konceptimet e tyre për këtë proces. Madje kanë pohuar se do të angazhojnë edhe ekspertizë të jashtme për çështje të caktuara profesionale për marrëveshjet e arritura dhe për mbarëvajtjen e dialogut.
Deputetët e pranishëm në takim: Zafir Berisha, Puhie Demaku,, Blerta Deliu- Kodra, Qerim Bajrami, Luljeta Veseli-Gutaj dhe Ismet Beqiri, i kanë dhënë përkrahje projektit të KDI-së, duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm për informim, si dhe ngritjen e debatit, transparencës dhe llogaridhënies rreth çështjeve dhe temave të dialogut Kosovë- Serbi. Ata projektin e kanë quajtur kompatibil me punën e Këshillit për qeverisje të mirë, që mbështetet nga Departamenti për Punë të Jashtme i konfederatës helvetike, anëtarë të të cilit këshill janë edhe disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Disa nga anëtarët e komisionit, të pranishëm në takim, ndërkaq, kanë shfaqur skepticizmin e tyre për transparencën e Qeverisë dhe të grupit kosovar të dialogut në Bruksel, i cili, siç është theksuar në takim, vazhdon të mbahet “ nën tre dryna”.
Në pikën të ndryshme, anëtarët e Komisionit edhe një herë kanë shtruar çështjen e funksionalizimit të grupeve të miqësisë me parlamentet e vendeve mike, duke i vlerësuar shumë të rëndësishme për fuqizimin diplomacisë parlamentare të vendit tonë.. Ata, ndërkaq , janë pajtuar që Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, të thirret në Komision për të raportuar lidhur me gjendjen në MPJ, pas konflikteve të bëra publike në këtë ministri dhe duke marrë shkas nga një letër të stafit të saj, drejtuar Komisionit, e që ka të bëjë me emërimet pa kriter të zyrtarëve të lartë dhe punësimet pa konkurs të stafit civil.