Në Viti, është përmbyllur Festivali i këngëve dhe valleve “Flakadani i Karadakut 2025”, që u mbajt për tri ditë me radhë në kuadër të Manifestimit tradicional kulturor e sportiv. Me këtë rast edhe janë ndarë çmimet për më të dalluarit ku vendin e parë e zuri Ansambli i Këngës dhe Valleve “Mati” nga Burreli i Shqipërisë.
Gjatë tri ditëve të Festivalit, Vitia ka grumbulluar solistë, valltar dhe grupe të ndryshme nga gjithë hapësirat shqiptare në edicionin e 24-të me radhë të festivalit të këngëve dhe valleve, që u mbajt në kuadër të manifestimit kulturor gjithëkombëtar “Flakadani i Karadakut”. Me këtë rast, në skenë kanë prezantuar me qindra solistë e valltarë nga vise të ndryshme mbarë shqiptare. Në natën e tretë dhe finale të festivalit përformuan Qendra Kulturore “Anamorava”- Viti, AKV “Deçani”-Deçan, AKV “ Kastriotët”- Ferizaj, SHKA “Shotë Galica”-Drenas dhe “AKV “Mati”- Shqipëri. Vendin e parë e zuri Ansambli “Mati” nga Burreli i Shqipërisë, të dytin AKV “ Kastriotët”- Ferizaj kurse vendin e tretë SHKA ” Shotë Galica”- Drenas. Gjatë Manifestimit tradicional kulturor e sportiv të këtyre ditëve janë zhvilluar shumë aktivitete të ndryshme kulturore e sportive. Festivali i Ansambleve që u zhvillua sonte, ka shënuar edhe përmbylljen e këtij Manifestimi që personifikon figurën e dëshmorit të kombit Nijazi Azemi – komandant Mjekrra.