leoni

Albert Z. Zholi

Albert Z. ZHOLI: ARAT PO I LËNË, PO MARRIN KURBETIN, CA MALLKOJNË TOKËN, CA MALLKOJNË SHTETIN…

Është një orkestër e vogël me katër vetë. Këndojnë dhe u bien veglave muzikore, duke i rënë cep më cep lagjeve të Athinës. Por më shpesh i gjen nën këmbët e Akropolit e në lagjen “Plaka”, ku i gjetëm edhe ne për herë të parë …Lagja “Plaka”. Mos vallë është fjalë shqipe? Pasi edhe kjo lagje është më e vjetra në Athinë, sa vetë Akropoli. Ishim nisur për punë por…Po binte mbrëmja!

Sa i dëgjuam sazet, menduam se ishte ndonjë kasetë me këngët e njohura përmetare. Së bashku me një shokun tim, i afruam këmbët andej nga vinte ëmbëlsia e atyre këngëve…Ishin 4 muzikantë dhe këngëtarë bashkë.

Ata të katërt ishin pranë murit të një ndërtese. Të katër esmerë, nga ata stërnipërit e muzikantëve, që solli Pirroja i madh nga Egjipti, që në Përmet e gjetkë u bënë djep- kënge në Shqipëri. Me muzikën lidhën jetën. Sikur ishin vëllezër ngjanin. Klarinetisti ishte pak më i shkurtër …U binin veglave dhe këndonin siç bëjnë grupet e herëshme përmetare, sidomos ai më famozi, grupi i Laver Bariut. Ia kishin marrë vençe një kënge të vjetër, sikur të ishin në grykën e Këlcyrës e jo në këmbët e Akropolit:

“Në qivur të shtrinë,

Të veshën si nuse.

Sa hije të kishin,

Të shkretat baluke!

Rreth këngës grumbulloheshin e grumbulloheshin shqiptarë e turistë të ardhur ‘pranë bukurisë greke…Grekë janë?-pyesnin turistët. No no Grecia, Albania- u tha dikush. Ata ngritën supet…Ne dëgjonim si pa marrë frymë e ata këndonin :

“…Te gorica plakë,

Po ta bëjnë varrë.

Pleqtë po rrëmojnë…

Beqarët po qajnë…

Edhe ne na mori kënga dhe thoshim nëpër buzë :

“Pleqtë po rrëmojnë/Beqarët po qajnë…

Disa turistë nordikë, kështu dukeshin nga trupat e gjatë e nga tiparet e theksuara të bardha, sic i themi ne shqiptarët “të shpëlarë”, hodhën disa monedha në kapakun e violinës dhe ngatërruan disa fjalë, që donin të thoshoshin, “tjetër..tjetër”. Nuk shqiteshin nordikët. Tingujt e kalrinetës të frenonin si me magji.

Aq donin ezmerët. Sa panë lekët dhe fjalët e nordikëve filluan:

“…Kishe dalë e rrije, afër trëndafilit,

Të digjej jeleku, nga zjarret e gjirit…”..Ah..zjarret…

Bravoo, bravoo!-folën dy nga “të shpëlarët”…

Neve sa nuk bëheshim me krahë nga gëzimi e krenaria. Në ato çaste mu kujtua një thënie e një filozofi: “ Popujt që kanë këngë të bukura, kanë të ardhme…” Po! Ne kemi këngë të bukura. E kujtova këtë thënie dhe psherëtiva. “Ku është e ardhmja e këtijë populli këngëbukur si i yni?!!…” dhe shoh me keqardhje bashkëatdhetarët e mi të ikur tufa-tufa, nëpër udhët e botës… Dhe këngëtarët derdhnin shpirtin e tyre në këngë për të kënaqur zotërinjtë portë më portë e lagje më lagje. Dhe ata si ta kishin lexuar dhimbjen time, ia morën një këngë tjetër: Një këngë të dhimbëshme kurbeti:

“…C’ka që s’mbin bari në qafë?

Nga lotët që derdhnin gratë!

Marrin rrugën e kurbetit

Dhe s’e dimë c’vjen prej detit?

Rruga jonë, dreq o rrugë,

Zgjatet për një copë bukë…”

-Zot i madh! Po ashtu po ikin shqiptarët për një copë bukë. Ikin pa kthim. Ikin si tingujt e këngës…

Një vogëlushe u lëshua nga dora e nënës dhe i dhuroi një trëndafil të kuq atij me klarinetë qe po e magjepste këtë këngë. Edhe unë jam shqiptare nga Tepelena, tha vajza. E përqafoi klarinetistin hodhi dhe disa dhrahmi tek kapaku i violinës dhe shkoi tek nëna. Ata shtangën. Nuk e prisnin që ajo vogëlushe të ishte shqiptare.  Klarinetisti e vuri karafilin diku, aty nga qante klarineta dhe filloi:..

“…Djemtë e burrat tanë, shpirt e zemër vrarë,

Arat po i lënë pa i hedhur farë.

Arat po i lenë po marrin kurbetin,

Ca mallkojnë tokën, ca mallkojnë shtetin…”

Mbetëm pa fjalë. Nuk na ikej. Njerëzit po shtoheshin. Klarineta kapte qiellin. Koha nuk na priste, ishim për punë. Po, a të ikej? A largoheshe dot nga ato këngë mbushur me dhimbje?! Muzikën nuk e bën vetëm instrumenti ose gishtat, e bën shpirti. Të detyron shpirti ti luash gishtat, duhet të jesh I lindur me ndjenja, … Dhe ja…Ikëm me dhimbjen e gëzimit, që na kish mbushur shpirtin dhe na derdhej si kënga pambarim e katër esmerëve. Lagja “Plaka” në Akropol atë natë këndoi shqip….

ATHINE, PRILL, 1998

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …