Poetja vlonjate, Irena Hoxha, vjen tashmë para lexuesit me librin e ri (të tretë) me poezi “Deti i jetës”. Ndoshta është nisur nga origjina, Vlora heroike, ndoshta nga vendbanimi tanishëm Athina ku dhe aty deti gjallon në çdo stinë, ndoshta ka qenë rastësi, por titulli i librit është mjaft shprehës, “Deti i jetës”. Në kuptimin figurative autorja siç e shpreh dhe në libër përcjell natyrshëm misteret, vuajtjet, dertet, gëzimet, hidhërimet, zhgënjimet, intrigat, dashurinë, mallin, heroizmin, ndarjet, egoizmin e shfrenuar, politikën e gabuar të vendit, pra sjell në vëmendje të lexuesit ç’ka kjo botë në tërësinë e saj dhe të gjitha këto i krahason me një det. Pra, det hallesh, det gëzimesh, det pabesish dhe mashtrimesh, det, det pasi deti për të është frymëzim, ngasje, qetësi, nxitje vargu. Deti është dhe një mister i madh, ashtu si dhe vetë jeta është një mister. Ky është dhe përcaktimi filozofik që i bën jetës dhe gjithë krijimtarisë së saj autorja. Me detin ajo është lidhur qysh fëmijë dhe po me detin po rrugëton dhe në fqinjin tonë jugor Greqinë ku është emigrante. Në këtë libër shumë planesh, autorja detajon dhe skicon me vargje shpirti për nënën, vendlindjen, mërgimin, familjen, fëmijët, miqësinë, varfërinë, politikën e mbrapshtë shqiptare, për problemet e ndryshme shoqërore, për hipokrizinë, pabesinë e njerëzve të veçantë, për detin, erën, natyrën, përbuzjen, figurat patriotike, historinë dhe për dashurinë.
Duke qenë se jeton në Greqi si emigrante ekonomike dhimbja dhe sakrifica ndihet në çdo varg. Pra me origjinalitet shpaloset poezia e mërgimit ku lexuesi, krahas informacionit, merr edhe njohuri filozofike popullore të traditës dhe aktualitetit, të cilat në boshtin e tyre paraqesin në mënyrë mbresëlënëse mprehtësinë dhe bukurinë e shprehjeve dhe bashkëbisedës së mençur të këtij fenomeni të lashtë sa dhe koha. Sipas autores në mërgim gjithçka është ndryshe, pasi si shprehet ajo në poezi, aty lulet nuk kanë erën, ngjyrën apo shijen si e atyre në atdhe. Poezitë mërgimtare nxjerrin në pah, lotin e mërgimtares, kujtime e përkushtime të ndryshme që shprehin mallin e saj për fëmijërinë, për shkollën, për prindërit dhe familjarët. Edhe pse në Athinë, autoren e merr malli për rrugët, detin, ajrin, shtëpitë, e vendlindjes. Më një varg të thjeshtë por shprehës ajo tregon se sa herë dëgjon fjalën Shqipëri, i mbushen sytë me lot e zemra plot me dhimbje, pasi ajo si shumë shqiptarë u larguan nga atdheu për arsye ekonomike e detyruar edhe pse vendi Vlora e saj është e pakrahasueshme me asnjë vend në botë. Sa herë është në gjendje shpirtërore jo të mirë ajo mendon atdheun dhe qetësia shpirtërore sikur i vjen si valë deti që ndjen dikush në atdheun e tij, dhe nuk ka të paguar. Emigrantët kudo që janë, i merr malli për vendin e tyre, se aty janë rritur, por siç thotë autorja, qeveria shqiptare duhet patjetër të fillojë të bëjë progres në të gjithë fushat në mënyrë serioze, që të mund t’i fitojë shtetasit e vet, që të kthehen dhe të investojnë në vendin e tyre.
Por ky kthim mund të arrihet vetëm duke ju siguruar disa gjëra minimale, si qetësia publike, luftën kundër korrupsionit, zvogëlimin e burokracisë si dhe sigurisht gjërat minimale të jetesës që mund të kërkojë një shtetas si, rrugë, drita, ujë, pra të krijohet një shtet i fortë, i cili jo vetëm duhet të marrë taksat nga qytetari, por duhet dhe t’i krijojë atij kushtet e duhura për jetë normale që fëmijët të rriten plot kujdes. Autorja disa herë i shikon me kujdes problemet e kohës si varfërinë, hipokrizinë, pabesinë e njerëzve të veçantë dhe disa herë në poezi përdor pasthirmat “Oh” dhe “Ah”. Duken pasthirrma pak të sforcuara nga ana artistike por ato tingëllojnë ndjeshëm si një rimë që përmbajnë në vetvete një muzikalitet përjetues, dhe natyrisht ku shprehen pakënaqësitë, mërzia dhe dhembja e saj. Fare natyrshëm në këtë cikël ndeshim edhe momente dëshpërimi që kanë ka të bëjë me rrëfime ngjarjesh të caktuara në emigracion. Autorja në kësi rastesh ndjen plagosje në zemër, por klithma e saj sikur mëshirohet me ndjesinë e hënës, duke shpërfaqur një materializim metaforik të përjetuar mirë. Ndaj padrejtësive, barbarisë urbane, arrogancës qeverisëse, varfërisë, vuajtjeve dhe halleve të njerëzisë, autorja është shumë kritika ndaj nuk ndalet dhe thërret me zë proteste: Mjaftë më!
Dhe pse poezi reaguese, autorja sërish me vargje tenton krijimin e një mozaiku me dëshira kuptimplote që na krijon një lloj mundësie për të pasur secili gjykimin, reagimin, hisen e vet të përqasjes nga secili lexues dhe qytetar i kësaj bote. Vargjet e poezisë për vendlindjen, festën e Flamurit, Skënderbeun, për njerëzit e afërm, miqësinë sofistikojnë një lloj materializimi të poezisë sociale me simbolikën patriotike, qoftë edhe vetëm si botëkuptim real, por që përcjellin një mesazh shprehës dhe korrekt. Poezia që ju kushtohet heronjve kombëtar kthehen në një brumë poetik i mirëmaterializuar që shprehet përmes mënyrës artistike nëpër vargjet e saj. Këto realizime poetike janë një arritje artistike që materializojnë qëllimin e idesë për të shkruar atë çka na mungon më së shumti sot. Nëpër shumë poezi të “Deti i jetës” dallon dëshira e kërkimit për një konkretizim më të saktë të ideve, ku në disa raste kemi një lloj altruizmi personal poetik që ideohet dhe bëhet për t’i kënaqur të tjerët, pasi poezia që publikohet mbetet shumë pak për vetveten. Vargje me përkushtim emocional janë ato që përçojnë edhe një mesazh përmbajtjesor kur shkruan për nënën që duket si një lloj balade e komunikimit të nënës me vajzën dhe fëmijët e tjerë. Por edhe më përjetuese është poezia “djali im”, ku vargjet e kësaj natyre e bëjnë edhe lexuesin të përjetoj çastin e saj emocional të largimit të djalit në emigracion, atje ku ka nisur rrugëtimi i tij (dhe më vonë i saj) drejt një jetë më ndryshe. E vargjet e kësaj poeteshe, kurdoherë kthehen në atdhe sepse atje në tokën e saj ndjen qetësinë, dashurinë.
Irena e lë lexuesin me shpresë se shkuarjet në mërgim dhe kthimet në atdhe do të materializohen me përjetime të tjera, ndërsa në rrafshin poetik, ajo e përkufizon ëndërr-magji këtë kthim. Por më shumë autorja ndalet në poezitë për dashurinë. Pra, po aq të freskëta vijnë vjershat lirike dhe romantike, ku në to vlojnë dashuria dhe fisnikëria e një shpirti, që kërkon lirinë më shumë se çdo gjë tjetër, që e dëshiron atë si ajrin, si ujin, si bukën, ajo është mbi gjithçka. Poezi të cilat ngërthejnë në vete një përkushtim të autores ku vargjet ndërtohen bukur, kanë art dhe qëndrueshmëri poetike. Mes këtyre poezive para nesh na del një botë e gjerë frymëzuese e poetes, e cila ka ditur të gjejë motive, ti vargëzoj ato dhe t’i forcojë me figura stilistike, duke arritur kështu deri te caku i dëshiruar i poetes, që libri të ketë vlerë e cilësi dhe poezitë e saj të jenë koherente nëpër kohë dhe të akumulohen nga lexuesi. Në këto vargje autorja nuk është statike, por e lirë. Brenda tekstit poetik vërejmë se autorja në këto ka sajuar ngjarje, duke iu dhënë kuptimshmëri dhe duke përçuar mesazh, gjë që këto të gjitha i vërejmë tek të gjitha poezitë prezent në libër.
Ajo për dashurinë flet me gjuhën e zemrës, plot ndjenjë, përkushtim dhe seriozitet gruaje të virtytshme. Pra në këtë libër bukuria artistike, tematika, përmbajtja, mesazhet e vyera, dhembja që ndjejmë në emigracion krenaria për atdheun, temat dhe mesazhet radhiten përpara lexuesit bukur, me stil të shkathët dhe ritëm, me figuracion… Pasi e lexon vëllimin “Deti i jetës” vërteton se ke përpara një libër tërheqës, një libër që është i frymëzuar nga ndjenja respekti për vlerat e mëdha njerëzore, për ato kombëtare, shoqërore, familjare, dhe këtë e bën me gjuhën e poezisë, me gjuhën e shpirtit dhe të zemrës së saj të bukur.
SI Ç’DO VIT, E SI Ç’DO MOT
Vjeshta mblodhi t’gjitha gjethet,
dhe mendimet gjithashtu,
rrugët zbrazur boshatisur,
nën ngricën e qiellit blu.
Vjeshtë e artë si një mantel,
fluturon në kaltërsi,
merr me vete gjithë mundimet
ato, që fshehur mbaje ti.
Vjeshtë e dashur dhe krenare,
ngjyrave ju dhe shkëlqim,
tek piktorët ndeze Muzën,
tek poetët, penë-agim!