Rrëfimi tronditës i kësaj novelëze që keni në dorë, është një përjetim real nga jeta. Ai pasqyron dramën dhe fatin e zymtë të shumë shqiptarëve që sot punojnë e jetojnë në mërgim, larg Atdheut. Nga këta është edhe personazhi i novelës, Egla, vajza e pafat që e shtyn jetën në Itali, e vetmuar, me një fëmijë të vogël, ndarë e braktisur nga i shoqi italian. Shprehja “e shtyn jetën” është më e përshtatshmja në këtë rast, sepse ajo lloj jete në mërgim, nuk jetohet, por vetëm shtyhet, me dhimbje, me stërmundime e poshtërime, të rëndon mbi shpinë si Guri i Sizifit.
Shumë interesant dhe origjinal është në rrëfimin e tij edhe vetë autori, i cili, edhe ai është emigrant në Greqi. Takimi, kontakti mes tij dhe Eglës, është i rastësishëm, nëpërmjet FB, por që aty, nis fija e gjatë e këtij rrëfimi, shpaloset hap pas hapi drama e Eglës së dërrmuar e të vemtuar, por edhe karakteri i virtytshëm, njerëzor i Eneas për t’iu gjendur asaj pranë njerëzisht. Në fakt, edhe Enea është jo më pak i vrarë nga jeta, nga kurbeti. Edhe ai vetë është një mërgimtar i vetmuar, si Egla, e shtyn jetën me qenin e vet, me të cilin del, shëtit, bisedon, qan hallet, fle dhe zgjohet. Pikërisht kjo gjëndje, këto rrethana të përbashkëta, e bëjnë Enean solidar me Eglën e mbetur në udhëkyq të jetës. Enea mëson se Egla është edhe e sëmurë, dhe me rrezik për jetën. Ajo i flet shpesh atij në FB, dhe qan për fatin e saj, por sidomos për vajzën e vogël, që mund të mbetet një ditë edhe pa nënë! Ndërkohë Enea i rri pranë, ndan dhimbjen dhe lotin bashkë me të, e veç kësaj, ushtron edhe pasionin e tij të tregimtarit, duke hedhur mbresat e thella nga jeta e Eglës.
Lloj-lloj idesh i shkojnë ndër mend: si t’ia bëjë që ta ndihmojë këtë vajzë fatkeqe të dalë nga pesimizmi dhe gjëndja e pashpresë? Po sikur, vajzën e vogël të saj, ta marrë ai e ta adoptojë si fëmijën e vet? Po sikur… Por nuk ka kohë të mjaftueshme për t’u menduar, për të hamendësuar. Egla nuk priti dot më shumë. Ajo pa pritur vdiq! Atëherë, Enea bën shërbimin e fundit ndaj saj: udhëton për në Shqipëri, në fshatin e Eglës, dhe i bën homazhe te varri! Ndenji gjatë e bisedoi me Eglën mbi varr, derdhi lot dhe mezi e bëri rrugën e mundimshme të kthimit në shtëpi. Të nesërmen, filloi sërish të njëjtin rit: ushqeu qenin, e nxori shëtitje, u interesua për ndonjë punë, dhe në fund u ngrys para kompjuterit. Por tani Egla nuk jetonte më. Vetmi! Të vjen ndërmend ajo shprehja e vjetër shqiptare, për shumë nga kurbetçinjtë e dikurshëm, të harruar: “I hëngri kurbeti…”!