Një libër ku kalamendet dashuria në të gjitha përmasat ndjesore të një shoqërie që me të vërtet është zhvilluar dhe ecën përpara. Autorja ka një penë të fisme, të thjeshtë dhe një nuhatje të vërtetë prej tregimtareje. Ajo e gjen detajin dhe e vendos atë në vendin e duhur, duke u futur në rrëfim thjeshtë dhe me finesë siç dinë të bëjnë tregimtarët e aftë. Ka një brerore fuqie dhe drite që ngadhënjen dashurinë njerëzore.
Të bën përshtypje tematika. Është kaq reale sa duket sikur po bisedon me jetën rreth e rrotull. Autorja e zhbiron botën njerëzore dhe e shpalos atë me gjithë ngjyrat e mendjes dhe shpirtit. Gjen aty ndjenjë njerëzore, vende dhe natyrë të mrekullueshme njerëzore dhe abstrakte. Ajo pasqyron botën shqiptare në përmasa reale, herë-herë të thukëta deri në kockë, pa kaluar aspak në fantashkencë. Të bën përshtypje në krijimtarinë e saj vendi ku ajo zhvillon ngjarjet. Herë tek e kaluara shqiptare (ku autorja shpreh dhimbjen e saj të madhe njerëzore që është vuajtja si e persekutuar) e herë tek dhimbjet e mëdha të dashurisë së palejuar.
Të gjitha këto ajo i vesh me ambiente shumë të veçanta që, herë janë dhoma e saj intime, herë zyra ku punon, herë pylli me gështenja, herë deti e herë një “Skodë” e vjetër që i çon te gjyshërit e persekutuar. Autorja përcjell një melodramë shumë të hollë dhe reale për shoqërinë shqiptare. Ka një vëmendje shumë të veçantë tek dashuritë jashtëmartesore duke na shprehur një melodramë shqiptareske.
Në një vend ku besëtytnitë dhe tradita janë ligj suprem, një pjesë e madhe e martesave në Shqipëri janë bërë me mblesëri dhe shumë femra jetojnë gjëmën e mungesës së dashurisë në martesë. Dhe në fakt, kjo nuk është gjë tjetër, veç një plagë e madhe e shoqërisë njerëzore shqiptare. Të jetosh gjëmën shpirtërore të mungesës së dashurisë është vaji i grave shqiptare. Këtë melodramë, ajo e ka prekur në shumë nga rrëfimet e saja, duke na treguar se dashuria është e mahnitshme dhe kur vjen nuk mund ta pengojë as martesa dhe as fati.
Autorja ka një nuhatje shumë të thellë të ndjesisë që provohet nga jeta. Pasqyron në tregimet e saja kthesat me të cilat përballet jeta njerëzore. Jo gjithnjë është e lehtë të mbijetosh, por autorja gjithmonë jep shpresën si lajtmotiv në tregimet e saja. Personazhet e saj vuajnë trauma të zakonshme të jetës por gjithnjë me një hapyy end sikur të japin besim dhe shpresë që njeriu ia del të mbijetojë edhe kur kalon drama të fuqishme në jetën e tij. Autorja do të thotë që dashuria dhe forca ndaj fëmijës, ndaj sëmundjes, ndaj persekutimit të regjimit duhet të jetë e madhe dhe të triumfojë njeriu, mikpritja dhe dashuria e tij. Sepse njeriu dhe dashuria janë mbi gjithçka.
Autorja ka një penë të fisme, përshkruan bukur dhe hollë personazhet dhe ka një formulë shumë të bukur rrëfimi karakteristik. Ajo jep ngjyrat e ambientit duke ia veshur personazhit dhe duket sikur po të tregon një histori jete që e ka peshkuar atje tej, në historinë time, në historinë tënde, në historinë shqiptare. Të bën përshtypje fakti që, ajo çuditet me adoleshentin shqiptar që nuk flet shqip, të çon tek këpuca e vetme që kish një vajzë e persekutuar dhe sakrifica për të mos prekur lumturinë e kujtimit të saj, të fut në dramën e një gruaje shqiptare që lind një fëmijë në dhe të huaj, të çon te mikpritja shqiptare që triumfon mbi spiunllëkun e kohës, duke të dhuruar me të vërtet një prozë me karakteristika shqiptare.
Mimoza Leskaj ka një penë elegante dhe një rrëfim që duket sa i lehtë aq dhe kompleksiv. Autorja të bën të mendosh dhe të zhytesh thellë në traumat e personazhit. Ngre pikëpyetje që me të vërtet të bëjnë të zhytesh thellë në dilemat e jetës dhe ka një dramacitet në tregimet e saja që me të vërtet të rrëqeth. Ajo bën pjesë në brezin premtues të shkrimtarëve shqiptarë post modernistë që kanë lulëzuar në periudhën e sotme. Dhe ka të gjitha gjasat e talentit për tu rreshtuar ndër prozatoret premtuese shqiptare të kohës së sotme.
Shumë shkrimtare të talentuara ka në Shqipëri të cilat me shumë forcë dhe guxim kanë nisur të lëvrojnë prozën shqipe. Dhe Leskaj është një prej tyre, që me shumë gjasa do të fitojë zemrën e lexuesit dhe kritikës shqiptare. I uroj një udhëtim të gjatë në rrugën e letërsisë (sidomos në gjininë shumë të vështirë të tregimit) dhe pastë sa më shumë jetëgjatësi dhe pse jo të futet në letërsinë shqipe në jetë të jetëve.