Dje, pas një maratone prej 5 ditësh në Pallatin gjigand të Kongreseve, u mbyll panairi i librit të 27-të, “Tirana 2024”. Sipas një ankete të zhvilluar nga gazeta “Telegraf” ( në takimet me lexuesit në Panair, në Tëiter, në Facebook, në Ëeb) Shtëpitë Botuese “Bota Shqiptare”, “ Morava”, “Argeta –LMG”, më të kërkuarat dhe më të vlerësuarat nga lexuesit.
Sipas botuesve dy ditët e para u duk sikur nuk do të kishte një interes të madh në krahasim me vitin e kaluar, për shumë arsye, port re ditët e fundit interesi u rrit. Vetëm ditën e katërt për shkak të ndeshjes së futbollit Shqipëri-Çeki ku u bllokua rruga pas orës 15-00 pati një rënie fluksi. por dëshira e madhe e lexuesve për t’u njohur me botimet e reja e mposhti dhe këtë moment. Të dashuruarit filluan të vijnë me këmbë për të marrë librat e dëshiruar. Ditën e diel që përkonte me ditën e pestë të Panairit, koha ishte mjaft e bukur. Tirana përjetoi një ditë pranverë. Në këtë ditë qysh në orët e para të hapjes së dyerve të Pallatit të Kongreseve vihej re një dyndje e madhe e lexuesve të grupmoshave të ndryshme. Të parët që vizitonin ishin mosha e tretë, pas orës 12 nxënësit e shkollave dhe pas orë 18-00 të gjitha grupmosha. Dyndja e njerëzve vazhdonte deri në orën 21:00, kur rojet e Pallatit të kongreseve lajmëronin për mbylljen e dyerve të Panairit. Sipas botuesve, kërkesat e lexuesve ishin nga më të ndryshmet, ku mbizotëronin kërkesat për romanet e huaja, librat historikë dhe librat për fëmijë. Sipas botuesve mendohet që të gjithë grupmoshat gjetën vetveten në stendat e botuesve pasi larmia ishte e madhe, edhe pse me më pak tituj se një vit më parë
Tendenca e botuesve:
Jo vetëm për qëllime biznesi, por edhe për qëllime vlerësimi të shijeve të lexuesve, tendenca e botuesve kryesorë të këtij Panairi ishte; të jemi sa më pranë shijeve të lexuesit, pranë dëshirave dhe preferencave të tyre. Ka pasur botime enkas për Panair për të vlerësuar këto shije dhe pse çmimet e disa librave nuk ishin të larta që të përmbushnin kërkesat e fitimit të mirëfilltë të botuesve. Në qoftë se vitet e mëparshme tendenca ishte për të kapur lexuesin e vjetër, lexuesin e moshës së tretë që ka më shumë kohë për të lexuar, tendenca e këtij Panairi ishte të kapte, apo të afronte pranë stendave lexuesin e ri dhe fëmijët, që janë e ardhmja e tregut të librit. Tendencat morën formësim vetë nga ardhja e kësaj kategorie lexuesish. Kjo dyndje drejt librit nga ana e rinisë tregon qartë, se tashmë rinia do t’i shkëputet botës së internetit dhe i është kthyer kapjes me dorë të librit. Panairi ka dhe një gjë specifike, pasi mundëson të gjithë dashamirësit që të marrin pjesë në promovimet e autorëve që kanë për zemër ose t’i takojnë ata dhe të marrin autograf në stendat ku kanë ekspozuar librat e tyre.
Ulja e çmimeve
Në më të shumtën e Shtëpive botuese, këtë vit u pa ulje e ndjeshme çmimesh. Madje pati shtëpi botuese, që ulën çmimet deri në 50%. Kjo ulje bëri të mundur që lexuesi e pa panairin si një mundësi më tepër lidhjeje për këtë arsye. Siç e theksuam dhe ditën e parë, këtë vit në shumë stenda shikoje ulje çmimesh, kjo solli që për të njëjtën sasi lekësh, që kishin planifikuar për librat këtë vit lexuesit, mundën të blejnë më shumë libra se një vit më parë. Pra kjo ulje e çmimeve ka bërë, që shtëpitë botuese të tërheqin më shumë vëmendjen e lexuesve, por edhe dëshirën për të blerë më shumë libra. Kjo nismë është bërë, për arsye se numri i blerësve rritet dhe dëshira e Shtëpive Botuese është të kënaqin të pasionuarit e librit. Kjo ulje ka marrë formë sidomos vitet e fundit, duke pasur parasysh kërkesat e blerësve në raport me pamundësinë e blerjes së të gjithave atyre librave që dëshirojnë. Ky lloj komunikimi me blerësin, ka bërë që të rritet shitja, por njëkohësisht të kënaqet dhe lexuesi. Në më të shumtën e rasteve ulja e çmimeve varionte nga 20-30% dhe kjo nga Shtëpitë Botuese më prestigjioze të tregut shqiptar.
Promovimet
Në këtë panair u promovuan rreth 49 libra. Kjo do të thotë që sallat e promovimit në më të shumtën e kohës kanë qenë të zëna për vetë faktin se kohëzgjatja e një promovimi ishte, nga një orë deri në një orë e gjysmë. Por si në çdo rast në promovimin e autorëve të rinj prezenca e televizioneve dhe e gazetarëve ishte thuajse e pa përfillshme. Televizionet si në çdo vit rendin pas politikanëve, gazetarëve me publikimet e reja, si dhe të autorëve të vjetër e të njohur. Rrallë mund të shihje prezencën e televizioneve tek autorët e rinj apo tek ata ende të panjohur mes mediave vizive dhe pse krijimet e tyre janë shumë cilësore. Mendoj, se kjo është dhe një mënyrë organizimi e dobët e organizatorëve dhe vetë Shtëpive botuese, pasi të rendur pas fitimit, reklamojnë autorët e njohur, ata që kanë një farë emri në krijimtarinë shqiptare duke lënë pas dore të rinjtë, apo ata pa njohje në rrethet gazetareske.
Çmimet për krijuesit
Panairi i Librit 2024 ka shpallur fituesit e çmimeve prestigjioze, duke nderuar autorët, përkthyesit dhe studiuesit që kanë arritur kulme të reja në letërsinë dhe shkencën shqiptare. Çmimet u ndanë në disa kategori, përfshirë përkthimin, studimet shkencore dhe veprat letrare të vitit. Enkel Demi u shpall autori më i mirë i vitit, për kontributin e tij të shquar në letërsinë shqiptare. Ndërsa Milena Selimi fitoi çmimin për përkthimin më të mirë të vitit për romanin “Kohëstrehim”. Në fushën e shkencave ekonomike, Anastas Angjeli u shpall fitues i çmimit për studimin më të mirë, për kërkimin e tij të rëndësishëm që kontribuon në zhvillimin e mendimit ekonomik shqiptar. Vjola Sula mori çmimin për veprën më të mirë studimore, çmim që iu dha nga Alda Bardhyli. Përkthimi i letërsisë në gjuhë të tjera gjithashtu u nderua me çmimin për përkthimin më të mirë në frëngjisht, i cili shkoi te Lindita Gjetani për veprën “Mirupafshim atje lart”. Panairi i Librit 2024 ka sjellë një vit të suksesshëm për letërsinë dhe shkencën shqiptare, duke njohur punën dhe kontributin e individëve që i kanë dhënë shtysë zhvillimit të kulturës dhe dijeve.