Pronari, i lokalit, afër qendrës së Athinës, i ndërronte shpesh kamerieret. Zakonisht preferonte ruset, bullgaret dhe shqiptaret, të cilat i paguante sa për të thënë. Kur mbeteshin pa punë ato s’kishin ku të ankoheshin se ishin pa dokumente. Pronari, mesoburrë, ishte dhe qejfli-femrash. Si zor t’i shpëtonte ndonjëra nga punëtoret pa e shtënë në dorë. Elona erdhi në atë lokal gjashtë muaj pasi kish lindur fëmijën e dytë. Aty ishin punësuar edhe dy shqiptare të tjera. Nga të pesta Elona binte në sy menjëherë, me atë trup të gjatë si selvi e me atë fytyrë si të bardhe e të lëmuar si bora. Veç bukurisë trupore ajo zotëronte edhe dy gjuhë të huaja, që e bënin më të veçantën e atij lokali. Pronari autoritar rrinte në tavolinë, pranë arkës, duke zotëruar me shikim gjithë rregullsinë e punës. Me ardhjen e Elonës u shtua edhe më klientela, sidomos e intelektualëve, që komunikonin lirshëm me të në greqisht, anglisht e frëngjisht. Ishte hera e parë që pronari nuk ndjehej aq “kaposh”. Pas disa ditësh, ndryshe nga praktika e punës, ai i besoi edhe arkën Elonës. Një mbrëmje ai i lajmëroi punonjëset se të nesërmen do të shtrohej një koktej, ndaj do të shtyhej orari i punës. Në atë koktej kishin ardhur personalitete të politikës, kulturës e artit. Një gjah i mirë parash për pronarin. Kur mbaroi darka, ai u dha punonjësve nga pesë mijë dhrahmi shpërblim dhe lekët e taksisë, për t’u kthyer në shtëpi. -Ti Elona do të rrish edhe pak që të bëjmë gjendjen e arkës-i tha ai pa e shikuar në sy. Punonjëset e tjera u larguan. Elona ndenji, me mëdyshje, dhe nisi të bënte gjendjen e arkës. Kur ishte në të mbaruar nga prapa ndjeu frymëmarrjen e pronarit. Buzët e tij të trasha ajo i ndjeu mbi flokë. -Elona, a do ta kalojmë bashkë sonte?-zëri i tij i dridhur jepte sinjalet e një epshi që pritej të shpërthente. Ajo u ngrit, vrullshëm, në këmbë dhe u kthye nga ai: -Si the?-i foli kërcënueshëm. -Të flemë bashkë sonte. Të gjitha ato lekë janë të… Nuk arriti të mbaronte dot fjalën. Një shuplakë vetëtimthi i plasi mbi faqet e plluqta. -Elona, unë… Një shuk pështyme i mbuloi fytyrën. Kur ai mori një karto pecetë të fshihej, ajo përplasi fort derën dhe u gjend në rrugë. Atij nuk i besohej ç’kishte ngjarë. Kishte dhjetë vjet që punonte me punonjëse të huaja dhe asnjëherë nuk qe thyer i turpëruar. Athinë-2000.
Çmimi dhe përçmimi
Si dy torba që njeriu i mban gjithmonë me vete janë Çmimi dhe Përçmimi…Si dy torba që mbushjen nga të tjerët me çmim apo përçmim për të …Dy torba varura në qafën e secilit: Torba e çmimit varet nga qafa prapa shpine, ndërsa torba e përçmimit varet nga qafa para gjoksit …Dhe njerëzit e çmojnë dhe e përçmojnë njeriun … e ai ecën në udhët e jetës me dy torbat e varura në qafë … E torbat mbushen e rëndohen se njeriu kërruset e përthyhet deri sa shkon në varr me dy torbat e padukura në qafë …Po,pse kërruset e përthyet i ziu njeri?!… Se torba e përçmimit i rëndon e i rëndon sa i zë frymën ?.
Po brenda tij ç’ndodhi ?…
Brenda mushkërive të çdonjërit gjendet çmimi e përçmimi. Njëra mushkëri e mbushur me çmimin dhe tjetra mushkëri me përçmimin…Disa kanë më të zmadhuar mushkërinë e çmimit, dhe këta janë më të rrallët. Disa kanë më të zmadhuar mushkërinë tjetër, atë të përçmimit dhe këta janë me të kudo ndodhurit… Disa kanë ekuilibër mushkërish me çmimin e përçmimin në një frymëmarrje e frymëmarrje harmonike, dhe këta janë fare më të rrallët…
…Dhe njerëzit frymëzojnë me mushkëritë e tyre dhe cmojnë apo i përcmojnë njerëzit…
Dhe torbat e njeriut mbushen me cmimin e përcmimin e jetës…
Pse kërruset e përthyhet i ziu njeri??…
Albert Z. Zholi: Pak histori mbi rrugëtimin e Radiotelevizionit
Radio është një media e cila që prej një shekulli ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën e njerëzve. Sot në shumë shtëpi, qendra publike dhe qendra pune vërejmë lloje të ndryshme radiosh. Në vitet 1890, studiuesit bënë përpjekje të shumta për të zbuluar dhe përdorur valët radiofonike. I pari që hodhi idetë për radiovalët ishte Nikola Tesla. Në vitin, 1896, Tesla, me origjinë kroate, botoi një material ku përshkruante hollësisht në një skemë të gjithë elementët e një transmetuesi radio që më vonë u përdor nga Markon. Duke u bazuar në teorinë e Teslës, inxhinjeri i apasionuar Italian Markon (Marcon) me shumë vështirësi realizoi më në fund shpikjen që bëri bujë dhe që e bëri atë të pavdekshëm, pra radion.. Megjithëse në fillim valët e radios u përdorën për komunikim mes anijeve apo për komunikim në ushtri, në fillim të shek 20-të me ndërtimin e radiostacioneve dhe antenave, radio u bë një media publike për argëtim dhe për transferimin e informacioneve. Radio me shpejtësi hyri nëpër shtëpitë e njerëzve dhe u bë një mjet i rëndësishëm në jetën e tyre.Aktualisht gjendja e radios ka ndryshuar. Megjithëse kjo media ka bërë përparime të dukshme, ajo po përballet me konkurrentë të rinj dhe të fuqishëm.
Amerika e para në botë
Amerika. Superfuqia e botës. Aty ku janë mbledhur ajka e trurit botëror. Vendi i demokracisë së vërtetë ku shkenca përparon më shpejtë se koha. Në këtë vend të begatë u përdor për herë të parë radioja. Ishte data 15 qershor e vitit 1920. Një aparat radioje dhe një studio e thjeshtë. Lëvizet një çelës i një aparature… Dhe ja…Magjia e pritshme dha frytet e saj. Bota po përjetonte një shpikje të madhe. Nga lëvizja e këtij çelësi, nga aparati i radios, këngëtarja amerikane, Neli Melba, për herë të parë në historinë e njerëzimit, përhapte para mikrofonit të Radio Pitsburgut këngë që, përshkroi hapësira të pa matshme. Bota po përjetonte një ditë të veçantë. Shkenca dhe bota mbarë ndjenë fillimin e një ere të re. Të erës së bukur të radiofonisë.
28 Nëntor, 1938, dita e inagurimit të Radio Tiranës
Afërsisht 18 vjet më vonë, pas Amerikës, era e radios arriti dhe në Shqipëri. Ndoshta jo me aparaturat më të përparuara të kohës, por sidoqoftë për jetën e shqiptarëve ishte një eveniment. Ishte nisma e Zogut të parë që dhe në Shqipërinë e prapambetur të vinte magjia e radiofonisë, kur në mbarë Evropën radio kishte hyrë në pjesën dërrmuese të popullsisë. Data 28 Nëntor 1938 shënon fillimin e kësaj magjie në Shqipëri. Gazeta “Drita” e datës 29 nëntor 1938, në artikullin “Si është përbërë stacioni ynë i Radio Tiranës”, midis të tjerash, shkruan: “Naltmadhnia mbreti dhe mbretëresha inauguruan solemnisht Radiostacionin. Në qendrën e Radiostacionit që gjendet në Laprakë, ishin përqëndruar autoritetet më të larta civile e ushtarake të vendit”. Ndërsa një ditë më vonë, pra më datën 30 nëntor “Gazeta e Korçës” shkruante: “Me hapjen e këtij stacioni u plotësua me sukses një mungesë e dukshme. Shqipëria ishte i vetmi shtet i Evropës pa një stacion të tijën. Është e vërtetë se shërbimin e lajmeve në gjuhën shqipe e kryente me mirëdashje radiostacioni i Barit me shërbimin e tij të përditshëm e gjithashtu me emisione të rralla koncertesh, por këto nuk mjaftonin”.
Historia e televizionit
Magjia e televizionit mbetet po aq i ëmbël sa dhe ditën kur u zbulua. Dekada më parë askush se kish menduar që dhe brenda shtëpisë mund të shihje, filma, drama, ndeshje sportive, festivale, dokumentarë etj…Ishte zbulimi i televizionit që ëndrrat njerëzore të mernin tjetër kuptim. Televizioni i parë u zbulua nga J. L. Bajd, më 1928. Por transmetimet do të zhvilloheshin disa vjet më vonë.
Pikërisht, në Evropë fillimet e programeve të TV i gjejmë në Lojërat Olimpike të vitit 1936 të zhvilluara në Berlin të transmetuara në salla kinematografike. Ishte koha kur nazizmi po përfshinte çdo qelizë të shtetit gjerman. Në Londër në nëntor të vitit 1948 nga një studio nisi transmetimi i programeve të rregullta prej dy orësh në ditë. Pas Luftës së Dytë Botërore TV hyri në të gjitha vendet evropiane, Shqipëria ishte i vetmi vend i Evropës që ende nuk kishte të paktën një qendër sado të vogël televizive.
Viti 1960. Për median shqiptare tashmë fillon një epoke e të re. Janë hapat e para të televizionit eksperimental. Edhe në ballkan, janë po këto vite që kish filluar televizioni. Duhet të theksojmë se, ideja për krijimin e një qendre televizive pranë Radio Tiranës kishte lindur disa vjet më parë. Këtë e dëshmon një letër e drejtorit të Komitetit të Radiodifuzionit Shqiptar, Petro Kito, drejtuar Presidentit të Komitetit të Radios Çeke, Frantishek Novacek që ndodhet në fondin e RTSH të Arkivit të Shtetit. Për fat të keq kjo letër nuk ka datë, por, siç del nga përmbajtja, është shkruar para 29 nëntorit të vitit 1959.
29 prill 1960, Shqipëria me televizion. Hapi ishte hedhur.
Më datë 18.4.1960 sekretariati i Komitetit Qëndror në mbledhjen e kësaj date, pasi shqyrtoi propozimin e Drejtorisë së së Agitpropit, mori vendimin për ngritjen e Qendrës Eksperimentale të Televizionit me aparaturat e dhuruara nga B.Sovjetik, RD Gjermane dhe R.Çekosllovake.
Më 29 prill të vitit 1960 në orën 18.00, fatin e madh për të bërë prezantimin historik të këtijë televizioni e pati Stoli Beli. Ajo në këtë ditë historike të medias vizive shqiptare anonccoi programin e parë në televizionin eksperimental shqiptar. Emocionet e saj ishin krejt të natyrshme, por jo vetëm për të, por edhe për ata pak teleshikues të pak televizorëve që ishin një thesar i vërtetë për ata që i kishin në shtëpi. Kamera e parë, prodhim gjermano-lindor, e vjetër, e vetmja në Qendrën Eksperimentale të Televizionit, e dhuruar nga Televizioni i RD Gjermane, shërbente për të gjitha llojet e transmetimeve (biseda, më pas lajme, emisione për fëmijë, koncerte), të cilat bëheshin drejtëpërdrejtë në studio. Qendra eksperimentale e Televizionit ishte e vendosur në një vilë njëkatëshe pranë godinës shtesë të Radio Tiranës në rrugën “Kont Uranit”. Transmetuesi i sinjalit ishte ngritur në tarracën e godinës shtesë të Radio Tiranës. Ai kishte një fuqi prej 20 vat dhe siguronte transmetimin e figurës vetëm në Tiranë. Programi i qendrës Eksperimentale transmetohej çdo të premte, të shtunë e të diel dhe zgjaste 2-2.30 orë (18-20-20.30). Ai përfshinte, siç thamë, kryesisht filma artistikë, dokumentarë, biseda, pjesë muzikore të shoqëruara me piano, (Faqe nga “Historia e Televizionit”, Y. Pepo, “Shkenca dhe jeta” nr. 2,1987).
Albert Zholi: Psherëtima dhe e qeshura e Fanit
“ Do Zoti e bëhet Shqipëria se ngelëm me trastë krahut …” Kështu më thoshte Fani sa herë që e takoja. Pastaj niste nga bisedat për politikën e politikanët, ku kishte mbushur një torbë me barcaleta nga ato që tregonion shqiptarët në cdo sahat të ditës … Por në atë bisedë na hodhi dhjetë vjet të shkuar:
1. DY VJET PA GJUMË…
-Eh ,-psherëtiu Fani duke fërkuar mjekrën.
– C’pate ? – i them.
-C’të kem, deri dje trembeshim ne nga të huajt, tani tremben ata nga ne.
-S’të kuptoj .
-C’të kuptosh, ju gazetarët doni t’i themi fjalët si doni ju .
Ja, më 1987-tën, në verë, kisha lënë një takim me një mikun tim në turizmin e qytetit të Sarandës. Pa pritur, para këmbëve të mia, ndalon një autobuz me turistë. Nga të folurit ishin grekë. Turistë me pikatore në atë kohë…Ata morën plackat e u ngjitën shkallëve. Në fund mbeti një burrë plak mbi të 65-tat. Para këmbëve kishte një goxha valixhe sa një veturë…Bëri dy herë ta ngrinte, por… valixhja nuk lëvizi, ndërsa ai gati u shtrembërua, sa të rrëzohej, e pashë që për të, aty edhe dhjetë vjet do të rrinte plaku, dhe valixhja me rrota…. Pa i thënë gjë, ngrita valixhen dhe ngjita shkallët. Ia lashë para derës së ashensorit. Kur do të ikja, sigurisht pa e hapur gojën, si të isha memec, plaku më zgjati dorën miqësisht. “Efhariristo”, më tha plaku e në dorë më lëshoi një monedhë letre…E pashë, ishte një mijë dhrami. U sula tek ashensori, por dera u mbyll . “Bobo c’më gjeti !” thashë me vete dhe pashë rreth e rrotull mos ma kish ngjitur ndonjëri damkën. Dora pa më pyetur mua e kish fshehur në xhep mijëshen. Ashtu i djerësitur mora udhën e shtëpisë. Udhës mallkoja plakun dhe veten. S’dija c’të bëja me dhramitë. Ti hidhja ? Më dukej vetja vec frikacak dhe i cmendur…Pastaj c’bëra ? I fsheha në një kuti nga ato të bojës së këpucëve dhe i vura poshtë kutisë së ujit në kafazin e pëllumbave…Mbi dy vjet aty mbetën dhe unë me frikë se mos ndonjë natë na vinin ata të sigurimit dhe për një mijë dhrami më e pakta ishte 1000 ditë burg…Kështu derisa “ socializmi” shqiptar na dha lamtumirën…
2. JO, EDHE UJIN E DETIT E MORËM HUA…
E ktheu gotën e birrës me një frymë, e përmbysi edhe një herë shishen me dy gotat dhe vazhdoi:
Para një muaji zura punë në një zdrukthtari . Aty punonte edhe një shqipo tjetër …Sa mori vesh që dhe unë isha shqiptar, ai më pa me inat …Epo kjo pikë e zezë, thashë me vete. Unë u gëzova që gjeta një shqiptar që të punojmë e të qajmë hallet ky?… Ky më mban kokën mënjanë…
Të nesërmen e përshëndeta: Mirmëngjes Spiro! Se Spiro e flisnin.
“ Kalimera”, ma ktheu Spirua, sikur i kish ngrënë gomari bukën…
Mbas disa ditësh Spiroja nuk erdhi në punë se ishte i sëmurë … Kur u ulëm për të ngrënë drekë, pronari më thotë:
-Shtëpinë e ke kompletuar ? I ke marrë televizor, frigorifer, lavatrice?…
-I kam marrë iu përgjigja.
-Po si bënit në Shqipëri pa këto mjete kaq të domosdoshme ?
-Unë i kisha edhe në Shqipëri.
-Si?
-Pse habiteni, shumica i kishin në shtëpitë e tyre …
– Po Spiros unë ia dhashë të gjitha paisjet, më tregonte se në Shqipëri nuk kishin as krevate për të fjetur, pa le nga këto gjëra … Po domate, speca, portokalle, mjaltë kishit?
Unë qesha. E si të mos qeshje me ato që dëgjoje ?… Spirua i kish thënë se nuk kishim as brekë dhe pronari i besonte ose kish qejf ta besonte …
-Pse qesh ? Do të thuash se i kishit dhe këto ?- foli pronari për domatet e specat …
-I kishim, por jo gjatë gjithë vitit …
-Atëherë pse erdhët këtu, kur I kishit të gjitha?, foli si I zemëruar pronari.
-Që të bëjmë punët tuaja,- ia ktheva dhe unë me atë ton…
-Po plazh kishit?
Ia dhashë një të qeshur sa më dolën lotë nga sytë … “ E po sikur vijmë nga shpellat ?”, mendova. Por fajin nuk e kish greku , por Spiro” Kalimera”
-Jo edhe ujin e detit, tani që u hapën kufijtë e morëm nga ju… i thashë me të qeshur grekut. Ku ta dinte ai se unë në det zhytesha nga dritarja e shtëpisë…
“… Ka hidhërim edhe në gotën e dashurisë më të lumtur… ( F. Niçe)
(Athine 1997)