Abaz Hoxha

Albert Z. Zholi: Flet Abaz Hoxha, sudiues dhe historian i kinematografisë:

Flet Abaz Hoxha, sudiues dhe historian i kinematografisë:

Bëra mik një inxhinier suedez, por hapa një dosje për vete në sigurimin e shtetit

“Coc Cola” atëhere konsiderohej nga propaganda si një pije borgjeze duke u futur në kategorinë e drogave.

– Kur hymë në Berat, Stefan Lund u mahnit me atë që po shikonte dhe nuk rreshti së fotografuari pamjen madhështore të Mangalemit, Kalanë e Beratit.

-Suedezin e çova tek shtëpia e Kol Salepit, një mësuesi me vlera ku u habit me glikonë dhe me rakinë e rrushit

-Kur e takova në Gjermani ai donte të më shoqëronte kudo por ne ndiqeshim dhe e anashkalova

Gjenerata e sotme nuk mund t’i konceptojë disa ndodhi të regjimit të kaluar. Hotel “Dajti” ishte një mollë e ndaluar për shqiptarët, mbasi nuk mund të hynin atje veçse të huajt dhe ata që i shoqëronin. Por edhe ata që i shoqëronin zyrtarisht më vonë ishin nën vëzhgimin e përhershëm të sigurimit të shtetit. Makinat me të cilat udhëtonin ishin të parkut të delegacionit dhe shoferat e tyre ishin po sigurimsa. Nuk lejoheshin kontaktet me të huajt dhe një aktore që i bëri vetëm një përshëndetje një diplomati Çek në Sarandë ju hoq emri nga titujt e filmit. Punonjësit e tregëtisë së jashtëmë ishin pothuajse të gjithë agjentë të sigurimit etj…

Ku dhe si mirreshin aparatet, mekanizmat, mjetet dhe sendet e tjera filmike në atë kohë? Kur përkon ardhja e mikut tuaj suedez Stefan Lund në Tiranë? 

Ne me ato aparatura, mekanizma, mjete dhe sende e kishim të vështirë punën. Problem ngelej paketimi i filmave origjinal për ruatje. Një masë tjetër sigurie ishte dhe importimi i një aparati të posaçëm, për paketimin e origjinaleve të filmave/ negativit të figurës dhe zërit/, të cilat ishin të vendosura në disa qese të posaçme, që të mos dëmtoheshin. Ky aparat i prodhuar në Suedi 3-4 vjet më parë (flasim për vitet ’60) kishte dhënë rezultate shumë të mira, kur u përdor për herë të parë në disa arkiva filmike dhe audiovizuale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në dy-tre shtete të tjera europiane. Ishte kjo një teknologji e re, që vendosej për herë të parë në arkivat audiovizuale. Gjithashtu, ishin zhvilluar edhe disa studime dhe reklamime, në kuadrin e simpoziumeve teknike në Kongreset e FIAF/ Federatës Ndërkombëtare të Arkivave të Filmave dhe po u reklamohej kjo pajisje nga Federata të gjitha arkivave. Për këtë qëllim, nëpërmjet ndërmarrjeve të tregtisë së jashtme të vetmet që e kishin të drejtën për marrëdhënie tregtare me jashtë, kërkova të vinte në Shqipëri zotin Stefan Lund. Ai ishte përfaqësues i firmës prodhuese, por edhe anëtar i Institutit Suedez të Filmit. Zoti Lund ishte një burrë trup madh, me moshë mesatare, me një paraqitje tipike skandinave.

Pas mbërritjes në Shqipëri, m’u lut që si kineast, po të ishte e mundur dëshironte të bënte një vizitë në ndonjë nga vendet më tipike, për t’u njohur me vendin tonë. Ishte një njeri shumë i komunikueshëm dhe i çiltër. Krijuam bashkarisht një konfidencë krejt të natyrshme, mbasi ai filloi të më fliste edhe për çështje tepër intime të familjes së tij. U miqësova menjëherë me Z.Lund që atëherë, ishte njëherezi të familjarizoheshe me një të huaj, pasi konsideroheshe si armik dhe agjent i imperializmit amerikan. Të huajve që vinin në atë kohë tek ne u bëhej një program vizitash nëpër objektet industriale, që ishin ngritur tek ne, për të reklamuar se vendi ynë po bënte një zhvillim të madh nën udhëheqjen e Partisë dhe të Enver Hoxhës.

-Nuk mund ta çoje për vizitë në ndonjë uzinë apo fabrikë të re në Tiranë?

Më dukej një absurditet që unë ta shpija të vizitonte uzinat dhe fabrikat tona një suedez nga një vend tepër i zhvilluar. Prandaj, me niciativën time dhe në kundërshtim me orientimet desha ta njihja me vendin tonë. Porosita një makinë në Drejtorinë e Parkut të delegacioneve, që ishte i vetmi institucion që merrej me lëvizjen e të huajve, dhe vendosa ta shpija në qytetin antik të Beratit. Isha i sigurt që shoferët dhe shoqëruesit e delegacioneve ishin njerëz të Sigurimit të Shtetit, prandaj e bëra çdo gjë hapur, duke marrë me vete edhe një punonjës të Ndërmarrjes së Tregtisë së Jashtme (edhe ata raportonin për çdo shoqërim të të huajve dhe shumica e tyre ishin bashkëpunëtorë të Sigurimit). Kur hymë në Berat ai u mahnit me atë që po shikonte dhe nuk rreshti së fotografuari pamjen madhështore të Mangalemit, Kalanë e Beratit etj, dhe duke bërë edhe disa fotografi vetëm ose së bashku. Kur shkuam në Kala ai po bridhte sa në një anë në tjetrën dhe nuk dinte si ta shprehte gëzimin. Filloi të më falënderonte për nderin që i bëra.

Në Kalanë e Beratit, ndodhej një shtëpi karakteristike, që s’kishte shumë kohë që ishte restauruar si një vlerë muzeale, por që ishte pronë e baxhanakut tim Kol Salepit. Pa përfilluar kufizimet dhe ndalesat që na baheshin atëherë, dhe që ishte e ndaluar rreptësisht që të huajt t’i fusnim në shtëpitë tona, unë vendosa t’i tregoj një shtëpi karakteristike dhe ta njihja edhe me zakonet e vendit. Prandaj iu drejtova një banori kalanjot që po kalonte dhe i thashë që të shkonte në shtëpinë e Kol Salepit dhe t’i thoshte se do të shkoja atje me një të huaj. Shoqëruesi dhe shoferi më thanë se kjo gjë ishte e ndaluar, prandaj nuk duhej të shkonim. Unë iu përgjigja se për këtë e marr unë përgjegjësinë dhe së bashku me mua do të ishin edhe ata, prandaj t’i hiqnin dyshimet për veprimtari spiunazhi se bisedat do të bëheshin në prezencë të tyre. Ne kemi porosi t’i shpiem në objektet e reja industriale jo nëpër shtëpi. I thashë se suedezët nuk kanë nevojë për objektet tona, sepse i kanë shumë më moderne, por duan të njihen me Shqipërinë dhe shqiptarët dhe zakonet tona. Me gjithë kundërshtimet e tyre, shkuam tek baxhanaku im Kolë Salepi, një arsimtar i njohur dhe i nderuar nga qytetarët e Beratit. Eli, ime kunatë, u preokupua shumë se ishte një gjë e rrallë që në shtëpinë e tyre të vinte një i huaj. Menjëherë mori mullirin dhe po bluante në guzhinë kafenë. I thashë të vinte aty në dhomë ku ishim ne dhe ta bluante kafenë në prezencën e tyre, ai donte të njihej me zakonet tona.Veshi një përparëse dhe me mullirin duke bluar erdhi në dhomë e u ul përballë Stefanit, i cili po e shikonte me vëmendje duke bluar kafenë. Dhe Eli filloi zakonin e mirëseardhjes:

“…Mirë se erdhët zotëri. Si jeni zotria juaj, si e keni familjen, sa fëmijë keni, djem apo vajza e kështu me radhë. E ndërkohë vazhdonte të bluante kafenë, ndërsa Stefani e shikonte me dashuri dhe me shumë respekt i përgjigjej për sjelljen e saj mikpritëse.

Ndërkohë u duk në dhomë Ariana, vajza e tyre, që sapo kishte lindur një vajzë që i kishte vënë emrin Stefani. Një koinçidencë e bukur kur e dëgjoi se vajza kishte emrin e tij. Ariana me një tabaka në dorë pruri një gotë raki, një gotë ujë dhe një tas me liko fiku të egër siç e bëjnë berataset me një erë karafili dhe një thelb bajameje në mes. Si likoja ashtu edhe uji ishin të ftohta, ndonëse frigorifer ata ende nuk kishin dhe likonë e mbanin në pusin e shtëpisë. Po e shikonte me vëmendje dhe kur e futi në gojë mbeti i habitur, duke e shprehur kënaqësinë për likonë e rrallë që i servirën. Pas kësaj, Ariana i solli një tas tjetër me liko ftoi dhe një ftua të madh, që kishte një ngjyrë dyllë të verdhë dhe me aromë të këndshme. Po i shikonte me zili, por pa folur ende e zonja e shtëpisë i tha që atë nuk duhej ta hante aty, por kur të shkonte në Stokholm ta hante me bashkëshorten e tij. Pas pak Ariana i solli edhe një shegë flakë të kuqe, për të cilën po e shikonte me shumë vëmendje se nuk e njifte çfarë ishte. I shpjegova se është një frut që brenda ka shumë kokërra të shijshme dhe duke e porositur përsëri që edhe atë duhej ta hante kur të shkonte në vendlidjen e tij. Po kënaqej jashtë mase për mikpritjen e një njeriu që nuk e kishin njohur kurrë më parë. Edhe gota e rakisë puro prej rrushi që i zoti i shtëpisë e kishte zierë vetë i pëlqeu jashtë mase dhe po i merrte erë gotës. Nuk dinte si t’i falënderonte të zotët e shtëpisë. Kur u ngritëm për të ikur, Koli i solli edhe një shishe raki që ta merrte me vete në vendlindje. Më vështroi mua, duke dashur të më thotë se sa kostonte, por Koli i tha se shishja e rakisë ishte një dhuratë, që ta pinte me miq e shokë, që të kujtonte vizitën në Kalanë e Beratit dhe në Shqipëri. Nuk dinte se si t’i falënderonte. Nxori aparatin dhe bëri disa fotografi me të zotët e shtëpisë dhe me Stefaninë e vogël në krahë.

-A vazhdoi lidhja më tej pas këtij momenti?

Sa u kthye në Stokholm bëri një letër falënderimi në emër të familjes për mikpritësit me të cilët u bënë miq dhe vazhduan korrespondencën disa kohë nëpërmjet meje fillimisht e më vonë me ndryshimin e sistemit edhe direkt me ta. Një vit më vonë, ai erdhi përsëri në Tiranë së bashku me një shokun e tij teknik, për të instaluar aparatin e ruajtjes së negativave të filmave. Këtë radhë unë vendosa ta shpija në Kalanë e Krujës. I thashë se do të shikonte një gjë shumë interesante, se atje ishte ngritur edhe një muze dinjitoz për heroin tonë kombëtar, Skënderbeun. Por ai m’u lut që të shkonim përsëri në Berat se i kam folur shokut t’im për të dhe ai është shumë kurioz ta njohë nga afër.

Kështu që shkuam përsëri në Kalanë e Beratit dhe tek familja e baxhanakut tim. Mbetën të dy të mahnitur nga mikpritja dhe bukuria e veçantë e qytetit muze dhe shtëpia karakteristike ku unë i shpura. I zoti i shtëpisë këtë radhë na propozoi të hanim drekë bashkë.Atyre u pëlqeu propozimi i Kolit, por unë nuk doja ta trashja më tej muhabetin dhe i premtova se do të kemi ndonjë rast tjetër, prandaj pasi u ndamë me shumë përzemërsi si miq të vjetër me familjen Salepi shkuam të hanim drekë në hotelin e turizmit në Berat. Pasi lau duart u ul në tavolinë, vuri duart në faqe dhe ishte futur thellë në mendime. E pyeta pse mendohej, ndërsa ai m’u përgjigj gati duke lotuar:

“…Nuk di si t’ua  shpërblej këtë nder të madh që më keni bërë duke më futur në një familje shqiptare dhe për bujarinë e asaj familje, që nuk e kisha njohur kurrë më parë….”

Kur u kthyem në Tiranë po atë ditë i propozova që darkën do ta hanim në shtëpinë time. Ishte një guxim i tepëruar nga ana ime, sepse atëherë nuk lejoheshin as konfidencat me të huajt dhe jo më, që t’u shtroje edhe drekëra familjare. Për më tepër shtëpia ime ishte në hyrje të “bllokut” dhe binte në sy çdo hyrje-dalje.

Në mbrëmje erdhën të dy me shokun e tij dhe kishin blerë disa trëndafila që ja dhuruan bashkëshortes sime. Darka ishte e bollshme me ngrënie e pirje dhe kaluam disa çaste shumë të këndshme deri në orën dymbëdhjetë. Ikën shumë të mallëngjyer dhe të nesërmen kur do të largoheshin për në Rinas, më tha se donte të takonte edhe njëherë bashkëshorten time, për ta përgëzuar për çastet e këndshme që kishim kaluar mbrëmjen e kaluar. E lajmërova gruan të dilte të na priste në rrugë dhe ajo erdhi me një tufë me lule, të cilat ja u dhuroi për bashkëshortet e tyre. Në çastet e nisjes bëmë edhe disa fotografi së bashku. Ditën e largimit i shpura për një vizitë në kalanë e Krujës dhe Muzeun e Skënderbeut. Para se të largoheshim kërkuan të pinin ndonjë pije freskuese. Shkuam në hotelin e turizmit dhe atje nuk kishte vecse uje dhe as që bëhesh fjalë për ndonjë Coca Cola që atëhere konsiderohesh nga propaganda si një pije borgjeze duke u futur në kategorinë e drogave.E ndjeva veten shumë keq. Por edhe nga ata kaloi në heshtje.

Të gjitha veprimet e tua a ishin të regjistruara nga Sigurimi i shtetit?

Patjetër po. Disa ditë më vonë më thanë se më kërkonte dikush. Kur u fut në zyrë pashë një fytyrë që diku e kisha parë nëpër mjediset e kinostudios, por kisha menduar se ai kishte aty ndonjë farefis ose shok të cilin vinte për ta takuar. Por doli se ai ishte punonjësi operativ i Degës së brendshme, që vinte në kinostudio për të grumbulluar informacione për t’u bërë gjëmën atyre që ata i quanin si armiq.

Nuk u prezantua por filloi menjëherë bisedën duke më pyetur:

“…Keni shoqëruar të huaj, ju shoku Abaz?

Një ndjenjë revolte më shpërtheu përbrenda, megjithatë e mbajta veten dhe iu përgjigja:

“…Po, kam shoqëruar shumë të huaj, gjermanë, italianë etj.

“…Jo, jo- më tha, kohët e fundit.

Nuk e mbajta dot veten dhe iu përgjigja i revoltuar:

“…Pse nuk dilni direkt në temë, por i bini rrotull. E keni fjalën për suedezët që i shpura në Kalanë e Beratit dhe tek Kolë Salepi.? Po i kam shpënë dy herë dhe biles i kam marrë edhe për darkë në shtëpinë time.

“….I zoti i shtëpisë dinte gjuhë të huaja?

“…Po i thashë dinte nëpër gishta disa gjuhë të huaja dhe komunikonte rrjedhshëm (që nuk ishte e vërtetë). Por ata që ju kanë njoftuar kanë qenë prezent dhe si mund të merreshin me spiunazh në prezencën e tyre. Pse ju kujtoni se unë jam naiv dhe nuk e kuptoj që shoferat që na jepen për shoqërimin e të huajve janë njerëzit tuaj? Më shikoi me inat se i dukej e çuditshme si mund t’i përgjigjesha në mënyrë të atillë një sigurimsi, kur të tjerët dridheshin para tyre.

“…A mund të na bëni një raport për shoqërimin e tyre ?

“…Raportin ja u kam bërë atyre që më kanë ngarkuar për t’i shoqëruar në lidhje me punën që kemi bërë për instalimin e aparatit për mbrojtjen e filmave.

“..Na jepni edhe ne një kopje më tha.

“..Unë nuk kam patur ndonjë porosi nga ju, por po e deshët shkoni në Ministrinë e Arsimit dhe merrni një kopje. U ngrit i revoltuar dhe iku pa përshëndetur.

Por sjelljen time nuk do linte pa ma shpërblyer. Këtë njeri meskin që të linte përshtypjen e një miu ugaresh do ta shikoja disa muaj më vonë, kur shkova në Kinostudio përkrah Xhelil Gjonit, i cili kishte ardhur atje për përjashtimin tim nga partia. Por… Çuditërisht do ta shikoja edhe më vonë, kur ndërroi sistemi që vazhdonte të punonte si punonjës operativ po në Degën e Brendshme të Tiranës, duke u bërë gjëmën të tjerëve. Me Z.Lund fitova një mik për Shqipërinë, por hapa një dosje për veten time. Dhe Z.Lund nuk e harroi asnjëherë mikpritjen shqiptare, kudo që shkonte nëpër Kongreset e FIAF për reklamimin e makinës së tyre. Ai u fliste të gjithëve për përjetimin e bukur që kishte pasur në Shqipëri, duke vizituar një familje shqiptare me të cilën lidhi një korrespondencë të gjatë.

Në muajin maj 1987 unë shkova në Gjermani për kërkime arkivore për filma të xhiruar në Shqipëri në gjysmën e parë të shekullit të kaluar nga shoqëri kinematografike europiane. Mbas disa ditësh shkova edhe në Berlinin Perëndimor për të marrë pjesë në punimet e Kongresit të Federatës Ndërkombëtare të Arkivave të Filmave, ku u zhvillua edhe një seminar teknik. Atje e takova përsëri zotin Lund dhe ai më kushtoi një vëmendje të veçantë, më njohu me shumë shokë dhe miq të tij. Ai u fliste të gjithëve për ditët e mrekullueshme që kishte kaluar nga dy vizitat e tij në Shqipëri.

 Një ditë më tha:

“..Ju zoti Hoxha më keni bërë një nder të madh kur isha në Tiranë. Në pamundësi që këtë nder t’ja u shpërblej në vendin tim, Suedi, këtu jam plotësisht në dispozicionin tuaj. Kam marrë edhe makinën dhe vetëm më thoni se ku doni të shkoni. Mendoj që vizitën e parë ta bëjmë në Chek Punkt Zoll, në kufirin midis Berlinit Perëndimor dhe atij Lindor. Atje është një lokal simpatik ku servirin pasta shumë të mira me çokollatë. Në mbrëmje do të vij t’ju marr në hotel dhe do të shkojmë të darkojmë në një restorant të veçantë. U vumë në pozitë të vështirë se unë dhe shoku që më shoqëronte nuk kishim mundësi financiare për dreka e darka. Ne jetonim me djathin dhe disa kuti sardele që kishim marrë me vete nga Tirana. Sigurisht që ai nuk do të na linte të paguanim se e dinte nivelin tonë ekonomik, por na duhej që t’ja shpërblemim në njëfarë mënyre nderin që do të na bënte. Ishte edhe çështje sedre shqiptare. I thashë se po shkojmë për të ngrënë pastat, por në restorant nuk kemi mundësi se jemi të zënë me punë, por ai nguli këmbë. Atëherë, unë i fola hapur. Nxorra portofolin dhe i tregova se kisha vetëm 100 marka gjermane me të cilat duhej të mbaheshim gjallë edhe për dy – tre ditë që do të qëndronim atje.

“..Zotni, ju nuk keni pse të shqetësoheni, shpenzimet janë të miat, ju më keni bërë gjithë ato ndere në Shqipëri. Megjithatë ne nuk pranuam, por ai nuk na u nda gjatë gjithë kohës së qëndrimit tonë në Berlin dhe bëmë shëtitje disa orëshe me një motoskaf nëpër lumin e Berlinit, ku bëmë edhe disa fotografi. Ai mbeti një mik i përhershëm i Shqipërisë dhe gjithmonë na kujtonte duke na bërë edhe ftesë për të vizituar Stokholmin, por ne nuk kishim mundësi të shkonim atje.

Shumë vite më vonë viti, 2005 kur unë bëra një vizitë studimore në Kopenhagen na mori për darkë ambasadori ynë atje Qemal Minxhozi. Të nesërmen bashkëshortja e tij kishte folur në telefon me ambasadën tonë në Stokholm dhe i kishte njoftuar se unë kisha shkuar atje për studime. Më mori në telefon ambasadori ynë në Stokholm dhe na ftoi të shkonim edhe atje, duke më theksuar se një mik i yni suedez, Stefan Lund, kishte shkuar disa herë në ambasadë u kishte shprehur respektin e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe kishte kërkuar disa herë të lidhej me mua.

Por nuk pata mundësi, për arsye financiare të shkoja në Suedi dhe nuk kam mundur ta takoj më zotin Lund, këtë njeri që u bë një ambasador që reklamonte Shqipërinë kudo që shkoi nëpër botë. Kështu unë bëra disa miq për Shqipërinë dhe hapa një dosje për veten time në sigurimin e shtetit.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI: Intervistë me poetin Fejzi Murati, “ Nderi i qytetit ” të Kuçovës, ish-mësues letërsie

Intervistë me poetin Fejzi Murati, “ Nderi i qytetit ” të Kuçovës, ish-mësues letërsie: – …