Albert Z. Zholi; Flet ish-oficeri i lartë i Topografisë Mustafa Koçeri

Flet ish-oficeri i lartë i Topografisë Mustafa Koçeri:

-Sot Vërniku, fshati që jeton pa rrugë, pa drita, pa ujë, pa shkollë e shëndetësi.

– Sot ky fshat dikur i begatë është në errësirë me po atë rrugë e atyre viteve me përmirësime të pjesçshme dhe e paasfaltuar.

-Dikur kishte ujë në çdo shtëpi, sot ka vetëm dy çezma të përgjithshme, ndërsa gjithçka tjetër bëhet me ujin e puseve.

– Sot aty janë 5 apo gjashtë familje që miren me blegtori dhe që i përdorin shtëpitë e vjetra për ahur.

-Vitet e fundit janë kthyer mbi 20 familje dhe kanë rindërtuar shtëpitë, por vijnë vetëm në behar, sepse nuk ka drita. Pas vitit 1990 fshati thuajse u boshatis.

-Vërmiku i Kurveleshit, “djepi” që ka nxjerrë dhe ka rritur burra nderi, fshati simbol i Luftës Çlirimtare dhe atdhetarisë sot vuan heshtjen e qeverive.

-Në vitet 1975-1980 fshati njohu lulëzimin e madh me shkollë, me ujë, drita, vatër culture.

 Mustafa Koçeri një ish ushtarak i lartë ka nostalgji të madhe për fshatin e origjinës ‘Vërmik’. Ai gjithmonë ka shkruar shumë histori nga fshati i origjinës për vetë historinë e tij interesante. Sa herë flet për fshatin ai loton pasi nëse do kishte kushte do kthehej të jetonte aty. Fshati Vermik ndodhet në jug të qytetit të Vlorës, rreth 58 km larg qytetit të Vlorës dhe 63 km larg Gjirokastres. Bën pjesë në Kurveleshin e sipërm. Sot, Vërmiku, sipas tij është fshati që jeton pa rrugë, pa shkollë e shëndetësi. Dikur kishte ujë në çdo shtëpi, sot ka vetëm dy çezma të përgjithshme, ndërsa gjithçka tjetër bëhet me ujin e puseve.

Vërmiku “ikonë” e Kurveleshit. Kush përfshihet në Kurvelesh dhe cili është pozicioni i Vërmikut në Kurvelesh?

Krahina e Kurveleshit shtrihet në perëndim midis Lumit të Shushicës dhe atij të Borshit, në veri dhe verilindje ka kufi lumin e Vjosës dhe në jug Kardhiqin dhe ka një sipçrfaqe të përgjithshme prej afro 700 km2. Për vetë karakterin e terrenit ku shtrihet krahina dhe fshatrat që e përbëjnë atë, Kurveleshi ndahet në Kurveleshi i Sipërm dhe Kurveleshi i Poshtëm. Kurveleshi i Sipërm përbëhet historikisht nga 10 fshatra dhe konkretisht : Gusmari, Vërmiku, Nivica, Rexhini, Progonati, Lekdushi, Golemi, Kaparieli, Picari dhe Kolonja (në përbërje të kësaj të fundit hyn edhe Medari). Kurveleshi i Poshtëm përfshin 5 fshatra : Kuç, Bolenë, Kallarat, Fterrë dhe Çorraj.

Është zonë malore, e ndërtuar kryesisht nga shkëmbinj gëlqerorë të kretakut e pjesërisht nga flishi, me reliev të lartë e të ashpër në pjesën më të madhe të tij, që në Kurveleshin e Sipërm merr karakterin e një rrafshnalte shumë të copëtuar nga përrenjtë me shtretër të thellë e gryka të ngushta në trajtë kanionesh (deri 150 m të thella), rrëpirash e humnerash (si në Nivicë, Lekdush etj.). Janë të përhapura shumë dukuritë dhe format karstike si : gropa, puse, galeri, shpella si dhe mjaft fusha karstike (fusha e Progonatit, e Golemit etj.), ku janë përqendruar edhe qendrat kryesore të banimit dhe tokat bujqësore. Ujërat e shirave e të borës së shumtë, nëpërmjet hinkave, puseve e të çarave të tjera karstike, depërtojnë shpejt në thellësi të tokës. Kjo bën që, sidomos Kurveleshi i Sipërm, të ketë burime të kufizuara uji. Rrjedhojë i karstit është edhe varfëria e bimësisë, sidomos në Kurveleshin e Sipërm. Më e pasur është zona barishtore me kullota të shumta, ku gjenden shumë bimë mjekësore, mjaltesa e aromatike (çaji, salepi, trëndelina etj.), duke e bërë Kurveleshin një vend të përshtatshëm për zhvillimin e blegtorisë, sidomos asaj të imët (deles, dhisë etj.). Kurveleshi e kryesisht ai i Sipërm, në pikëpamje natyrore, është një kështjellë nga ku, për të dalë në qendër të tij, në Gusmar, mund të futesh vetëm nëpër disa drejtime e kryesisht grykash malore si : Gryka e Bënçës, Gryka e Vërmikut, Gryka e Borshit për në Kuç e Grykë të Shurit deri në Gusmar dhe Gryka e Kaparielit, që të nxjerr në Golem-Gusmar, apo edhe Qafa e Kreshtës. Ky pozicion gjeostrategjik e shkëput disi Kurveleshin, sidomos atë të Sipërm, nga krahinat e tjera dhe ka favorizuar qëndresën e armatosur të kurveleshasve, por edhe ruajtien e vlerave etnokulturore sa më autoktone. Në vitin 1606 një çetë nga Kurveleshi sulmoi sanxhakbeun e Delvinës, i cili kishte marrë përsipër të vilte taksat në sanxhakët e Vlorës, Delvinës, Elbasanit etj., dhe i rrëmbyen xhizjen e vjelë.  Vërmiku si pjesë përbërëse e Kurveleshit ka marrë pjesë në të gjitha ngjarjet e rëndësishme si në luftime e përpjekje për të mbrojtur e çliruar këtë krahinë, ashtu edhe në festa, përkujtime, ditë të mira e të vështira me fshatrat e Kurveleshit. Akti i heroizmit të Çetës së Bilbilenjëve edhe për Vërmikasit ka qenë një shembull, se si rezistohet dhe luftohet ndaj pushtuesve, por edhe si sakrifikohet vetja për të mbrojtur e shpëtuar banorët e fshatit apo edhe të krahinës. Vërmikasit kanë strehuar e përkrahu Çetën e Çerçis Topullit, i cili vetë ka ardhur në Vërmik. Ai ka qëndruar dy ditë dhe ka bërë propagandë kundër pushtuesit atoman. Vërmiku ka pasur çetën e vet dhe ka marrë pjesë në të gjitha luftimet që janë bërë, jo vetën në fshatrat e Kurveleshit, por edhe në Labëri. Në luftën e 1920-s, djemtë Vermikas i janë gjendur dhe u kanë qëndruar pranë duke luftuar në krahë të Selam Musait, në betejën ku ai dha jetën për të mbetur i gjallë në kujtimet tona. Janë të shumta aktivitetet e banorëve të Vërmikut në shërbim të atdheut. Pjesëtarët e Çetës së Vërmikut, më 27 nëntor 1942, së bashku me luftëtarët e çetave të fshatrave të Kurveleshit luftuan me heroizëm dhe arritën të shkatërrojnë planin dinak të fashistëve se gjoja po përpiqeshin të festonin në nënperfekturën në Gusmarit Ditën e Flamurit. Pikërisht, më 28 nëntor 1942, iu dha goditja e merituar pushtuesve italianë dhe kjo ditë u kthye në Ditë feste të vërtetë. Festa e njerëzve të lirë!

Një nga Vërmikasit më me emër mbetet Hamit Lumi dhe djemtë e Vërmikut që dhanë jetën për liri?

Aktiviteti atdhetar e patriotik i djalit vërmikas, rilidësit Hamit Lumi, na bën ne vërmikasit të krenohemi me të. Ai në kohën që punonte detar në një anije, e cila shkonte në Stamboll kishte arritur të takohej me rilindës të tjerë që u dhembte fati i mëmëdheut dhe të sillte fshehurazi libra dhe revista në gjuhën shqipe, të cilat së bashku me Jani Mingën dhe Hamza Isain u mësonin njerëzve që kishin dëshirë shkrim e këndim. Aktiviteti i tij është shumë i gjerë, por po përmendim disa aspekte të shkurtra të jetës së tij. Në vitin 1900 ai krijoi klubin “Lumi i Vlorës”. Edhe pse dënohet me 20 vjet burg ai nuk e ndërpret aktivitetin e tij dhe e nxjerrin përsëri në gjyq, ai vazhdon të qëndrojë i vendosur duke u shprehur: “Të jeni të sigurt se unë atij Hamitit (Sulltan Hamitit) do t’ia ha kokën” dhe e dënojnë më 101 vjet burg. Për këtë qëndrim të tij patriotët shqiptarë, sa kohë që ai qëndroi në burg i dërgonin me anë të Hasan Prishtinës një pension prej një lire floriri në muaj. Hamit Lumi luftoi gjithë jetën e tij për atdheun, megjithëse nuk arriti ta shohë të lirë e të çliruar.

-Kur e ka arritur kulmin e zhvillimit dhe të banorëve ky fshat mes malesh?

Sipas studiuesit Seri Tushi: “Vermikasit të ardhurat kryesore të jetesës i kanë pasur nga blegtoria, bletaria dhe pemtaria. Studiuesi Halo Abazi nga Tërbaçi ka shkruar: “Vermiku ka qenë një fshat zengjinesh (të pasurish) se kanë pasur shumë blegtori, shumë bletë dhe shumë pemç. Ai ndërmjet të tjerave thoshte: “Kopeja e Mezurajve me mbi 1000 krerë, zilet e Ali Zenelit të porositura në Janinë, stani Lala Gjonit, që priste dhe përcillte kalimtarët me prodhime blektorale siç ishin mishi, qumështi, djathi por në fund u vinë dhe ceturi (pjatë druri) me mjaltë, se tek stani kishte dhe 50 koshere bletësh. Sot Vermikasit jetojnë: Në Vlorë (60 familje), në Babicë të vogël ( 83 familje) fshat i krijuar nga Vermikas, në Risili (24 familje), në Tiranë (56 familje), në Fier (4 familje), në Elbasan (6 familje), në Durrës (3 familje), në Gjirokastër( 3 familje), në emigracion të vjetër dhe të ri( 34 familje). Sot Vermikasit janë 373 familje me afërsisht 1500 banorë, të cilët jetojnë në vendet që u përmendën më lart. Por kulmi i zhvillimit dhe bukurisë fshati e arriti në vitet 1975-1980. Në këto vite në fshat kishte vatër kulture, qendër shëndetësore, kishte dritë 24 orë, ujë të bollshëm, shkollë, çerdhe dhe mbi 809 shtëpi…

-Po sot?

Sot ky fshat dikur i begatë është në errësirë. Është po ajo rrugë e atyre viteve me përmirësime të pjeshme dhe e paasfaltuar. Sot aty janë 5 apo gjashtë familje që miren me blegtori dhe që i përdorin shtëpitë e vjetra për ahur. Vitet e fundit janë kthyer mbi 20 familje dhe kanë rindërtuar shtëpitë, por vijnë vetëm në behar, sepse nuk ka drita. Pas vitit 1990 fshati thuajse u boshatis. Ky fshat me ajër të pastër, mes malesh, ujë të ftohtë me bimë medicinale po vuan indiferencën e qeverive.

– Djemtë e Vërmikut kanë dhënë jetën për atdheun madje dhe jashtë teritorit të Shqipçrisë. Cilët ishin këta djem që me heroizmin e tyre mbetën të përjetësuar?

Gjaku i djemve të Vërmikut është derdhur edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, për mbrojtjen e Janinës nga Grekët, ku 8 djem Vërmikas dhanë jetën e tyre. Ashtu si për gjithë shqiptarët edhe për Vërmikasit shpallja e Pavarësisë dhe ngritja e Flamurit tonë kombëtar ishte një ëndërr që u bë realitet nga plaku i urtë Ismail Qemali. Megjithëse shumë larg qytetit, për burrat dhe djemtë Vërmikas Abdurrahman Çiraku, Yzeir Halla, Kalo Çiraku, Abedin Lloi, Hakim Mëzuri, Ramadan Xhezo, Qamil Tushi, Jakup Koçerri, Erif Bleta, Qerim Veshi nuk do të kishte lodhje për të marrë pjesë në ngritjen e Flamurit më 28 Nëntor 1912 duke dhënë kështu edhe ata kontributin e tyre në mbështetje të Ismail Qemalit bej Vlorës. Por kontributi i djemve të Vërmikut vazhdon edhe më tej. Ismail Qemali i cakton djalit Vërmikas që kishte mbaruar studimet për oficer në Turqi, Abdurrahman Çiraku, detyrën e komisarit të policisë për qytetin e Vlorës, detyrë, të cilën ai e kreu me përgjegjshmëri të lartë, dhe më pas kur Ismail Qemali u largua nga Shqipëria për në Francë, për vlerat e tij të larta dhe përgatitjen ushtarake e mori Abdurrahmani si shoqërues të tij për vlerat e tij si ushtarak besnik. Në luftën kundër pushtuesve italianë më 1920, Abdurrahman Çiraku u ngarkua nga Komiteti Ushtarak që drejtonte Luftën e Vlorës të komandonte artilerinë, duke bërë të mundur edhe rrëzimin e një avioni ushtarak italian. Por pjesëmarrja e banorëve të fshatit Vërmik në Luftën Nacional Çlirimtare do të ishte masive, ata të gjithë; burra gra, pleq e të rinj u bënë mbështetje e kësaj Lufte. Për këtë pjesëmarrje masive si në Operacionin e dimrit dhe atë të qershorit Vërmiku e pagoi shtrenjtë, duke iu djegur dy herë të gjitha shtëpitë. Pjesëmarrja në këtë luftë ia ngriti edhe më lart vlerat fshatit Vërmik, i cili ka pasur çetën e vet që më 1912-n e deri në çlirimin e vendit.

-Mund të na bçni tç njohur komandantët e Çetës së Vërmikut, ndër vite?

Emin Mëzuri, me çetën e përbërë nga 29 vetë, më 29 nëntor 1912 niset për mbrojtjen e Himarës, në luftime plagoset rëndë Muhamet Braka dhe pas disa ditësh vdes.

Naim Braka, më 4 qershor 1920 me çetën e përbërë prej 49 vetash merr pjesë në luftën e Vlorës në çlirimin e Kotës ku plagosen; Qamil Tushi, Memo Dhrami dhe Shefqet Mëzuri.

Ago Bleta, më 28 nëntor 1942 caktohet komandant i çetës territoriale dhe Elmaz Kondi caktohet komisar i saj. Shpërndarja dhe pjesëmarrja e vërmikasve në formacionet e LANÇ ishte e gjerë. Ata do t’i gjeje në çetën ‘Avni Rustemi’, ‘Çetën Plakë’ të Vlorës, Çetën e Pezës, në grupin e parë të rinisë të Mallakastrës, në Brigadën IV, VI, XII, XXII. Në këtë pjesëmarrje masive nga vërmikasit që morën pjesë në Luftë, 19 prej tyre dolën kuadro komandues. Midis tyre duhet përmendur personaliteti i mirënjohur Xhule Çiraku, i cili ashtu si gjatë Luftës edhe pas Çlirimit shërbeu në detyra të larta e të rëndësishme shtetërore, duke mbetur simbol i një drejtuesi dhe njeriu me virtyte, që admirohen e vlerësohen edhe sot. Në kontributin e vërmikasve, që morën pjesë në LANÇ do të përmendja edhe atë, të tre dëshmorëve nga një familje, të tre vëllezërve Etem, Toto dhe Asllan Çapaj. Meriton të kujtohen dhe nderohen gjithashtu pjesëmarrja e tre vëllezërve kontribues të shquar në Luftë si; Qemal, Seit dhe Jonuz Çiraku, ku njëri prej tyre, Seit Çiraku është plagosur në këto beteja. Në krye të të rënëve qëndron djali i këtij fshati Barjam Tushi, i cili natën e 18 tetorit 1942 së bashku me shokët e tij Hajredin Bylyshi, Mumin Selami dhe Hiqmet Buzi luftuan heroikisht kundër forcave të shumta italiane dhe ranë heroikisht, duke u shpallur Heronj të Popullit. Midis 15 dëshmorëve të fshatit, njëri prej tyre është vajza e re, Xhevahire Braka, e cila në moshën 18-vjeçare u vra nga forcat gjermane, duke luftuar në malet e Kurveleshit. Bilanci në përfundim të luftës për Vërmikun do të ishte i rëndë. Ky fshat martir i dha luftës 15 dëshmorë, 4 viktima, disa invalid si edhe të internuar jashtë atdheut. Gjithashtu këtij fshat iu dogjën dhe shkatërruan të gjitha shtëpitë e kasollet. Po kështu dëmtime të mëdha pati në blegtori, bletë dhe orenditë e pakta që kishin. Por uniteti dhe fryma e lartë e moralit të banorëve vërmikas si edhe mbështetja e pushtetit të asaj kohe bënë që gjendja të normalizohej, dhe jeta e njerëzve të fillonte gradualisht duke u përmirësuar. Për të udhëhequr banorët e fshatit në kryerjen e tërë punëve që kishin si gjatë Luftës dhe më pas, më 22 tetor 1943 u krijua celula e Partisë Komuniste, me sekretar Elmaz Kondin, u krijua Këshilli Nacional Çlirimtar më 25 shtator 1942 me kryetar Jazo Kashtën. Po kështu u krijua edhe organizata e gruas, e rinisë, e frontit demokratik, organizata këto që shërbenin për mobilizimin e njerëzve. Në vitet e para, pas çlirimit u bë një punë e madhe vetëmohuese për ndërtimin e shtëpive dhe kasolleve, për t’iu gjendur familjeve që nuk kishin as një dorë miell, për të luftuar analfabetizmin e shumë detyra të tjera. Deri në Maj 1946-s u ndërtuan për banorët 45 shtëpi, stalla dhe kasolle dhe kështu filloi të normalizohej jeta gradualisht. Si një fshat arsimdashës më 1 shtator 1946 u hap shkolla fillore në fshat dhe në të u regjistruan 51 nxënës, 27 ishin vajza dhe pas disa vitesh më 1 shtator 1968 u hap shkolla 8-vjeçare “Hamit Lumi”. Djemtë e vajzat vërmikase edhe në këto kushte, pasi nuk kishte shkollë të mesme, sakrifikuan dhe vazhduan në Brataj, Vlorë e në qytete të tjera ku kishin mundësi. Jo vetëm të rinjtë që banonin në Vërmik, por edhe në qytetin e Vlorës, Fierit, Tiranës, Durrësit, Gjirokastrës etj. Shumë djem e vajza vazhduan studimet e larta në degë e specialitete të ndryshme. Disa prej tyre i kryen studimet e specializimet edhe jashtë vendit si në Bashkim Sovjetik, Itali, Zvicër etj…

-Xhule Çiraku , Dervish Lloi, Besho Mëzuri, Servet Tushi, Elmaz Kondi etj, kuadrot e parë të pas Çlirimit…Por nuk janë vetëm këta. Një fshat i vogël me shumë e shumë personalitete…

Pas këtij brezi, rreth viteve 60, ishte një brez tjetër vërmikas që i përfunduan studimet e larta si Limon Alimuçi, Avdul Mëzuri, Kafaz Xhuveli, Luan Veshi, Bajram Bala etj…

Gradualisht me kalimin e viteve numri i djemve dhe vajzave vërmikase në Universitete sa vinte e rritej. Nëse do t’i shohim sipas specialiteteve dhe degëve ku vërmikasit kanë dhënë e japin kontributin e tyre janë si më poshtë:

Në fushën e shëndetësisë Memo Boci, Kafaz Xhuveli, Bajram Bala, Lavdie Leka, Vero Gjoka, Ana dhe Armand Koçerri.

Në fushën e filozofisë: Burhan Çiraku, Gëzim Tushi, Satedin Mëzuri.

Në fushën e Inxhinierisë: Petref Zheku, Hamit Bleta, Memush Habili, Avdul Mëzuri, Muedin Zhegu, Alfred Bala.

Në fushën e ekonomisë: Elmaz Bleta, Sako Bala, Astrit Sela, Aranit Zhegu, Bino Koçerri.

Në fushën e arsimit: Hamit Lumi, Abdurrahman Çiraku, Naim Braka, Pronjo Robi, Shaqir Xhuveli, Sinan Mëzuri, Ali Bala, Serri Tushi, Refat Bleta, Bekush Bleta, Ventigjar Koçerri, Bejkush Lloi, Arseni Alimuçi, Hamdi Tushi, Fiqirete Anija etj…

Në organet e Ministrisë së Brendshme: Xhule Çiraku, Qemal Çiraku, Zhemo Tushi, Agim Çiraku, Lelo Halla, Fatjon Mëzuri, Dervish Lloi, Reshat Lloi, Shkëlqim e Përparim Alimuçi, Ilindri Mëzuri, Felek Bleta etj…

Në fushën e mbrojtjes së vendit: Limos Alimuçi, Besho Zagovi, Sulo Lloi, Ramadan Ania, Mustafa Koçerri, Xhevdet Bleta, Kastriot Sela, Afrim Alimuçi, Kostandin Lloi, Edison Bleta, Kreshnik Bleta etj…

Në fushën e biznesit: Agim Çiraku, Eduart Mëzuri, Krenar Bleta, Perlat Halla, Lato dhe Kreshnik Mëzuraj, vëllezërit Tushi, Bleta, Lloi etj…

Por ka edhe shumë të tjerë të cilët nuk munda t’i përmend

në një shkrim, ndaj u kërkoj falje! Mospërmendja e emrave nuk e zbeh aspak kontributin dhe punën e tyre të nderuar. Midis tyre ka persona që mbajnë tituj e grada shkencore, deri edhe profesor, Shumë prej tyre u kanë merituar medalje dhe urdhra të ndryshëm për kontributin e dhënë në fushat e ndryshme ku kanë punuar. Ashtu si ka edhe familje, që mban titullin “Nderi i Kombit”.

. Kjo është arsyeja që ne po insistojmë dhe jemi të bindur se po bëjmë gjënë e duhur për brezat tanë të mëpasëm ta njohin e respektojnë origjinën tonë, dhe pse jo, të krenohen më të.

Kontrolloni gjithashtu

Margarita Xhepa

Albert Z. ZHOLI; Flet aktorja, Margarita Xhepa, e cila i mbushi 92-vjet

“Nderi i Kombit” Tinka Kurti mbushi 92-vjeç -Margarita Xhepa, “Nderi i Kombit: Tinka është dhe …