-Avioni i parë Italian është rrëzuar nga artilieri Abdurrahman Çiraku
-Gjatë luftës nacional –çlirimtare, partizanët rrëzuan rreth 6 avionë
– Komandant i MKA-së u caktua gjenerali vizionar Gjin Marku, zëvendës te tij për artilerinë kundërajrore Maqo Zoto
-Si detyruam të ulej në Rinas një avion luftarak amerikan
– Piloti u lirua në 11 janar 1958 ndërsa aeroplani zbulues amerikan u sekuestrua.
Biografia, Avni Skënderaj
Lindi më 4 tetor 1950 në Ninësh të Mallakastrës. Pas përfundimit të Shkollës Ushtarake « Skënderbej » në vitin 1966, vijoi studimet në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në specialitetin e Artilerisë Kundërajrore. U titullua oficer në vitin 1969. Ka kryer Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm, fakulteti i MKA 1982-1984, studime pas universitare për Artin Ushtarak, si dhe për Filozofi e Gjuhë Angleze.
Për një periudhë 35-vjeçare, shërbeu në strukturat e Mbrojtjes Kundërajrore në detyra të ndryshme, si komandant Baterije, komandant Grupi AKA, shef Operativ Regjimenti, shef Shtabi Regjimenti, në Komandën e MKA-së instruktor, shefi Degës së Stërvitjes, shef i Degës Operative.
Në vitin 1991, kur u rivendosën gradat, iu dha grada Nënkolonel.
Pas vitit 1992, kreu detyrën e shefit të Përgatitjes së Kuadrove e Shtabeve në Komandën e Forcave të Mbrojtjes Ajrore, shef Planizimi në Komandën e Forcave Ajrore. Bashkëpunëtor i rregullt i shtypit ushtarak. Doli në rezervë në shtator 2004.
Kujtimet e Avni SKËNDERAJ në libër
Kujtimet në, “Në roje të qiellit të Atdheut në vite”, janë një përpjekje modeste, për të sistemuar e publikuar vetëm një pjesë të punës, eksperiencës,sakrificave, vështirësive, arritjeve, pse jo edhe të mungesave, të atyre që e shkrinë jetën në roje të qiellit shqiptar. Në këtë veprimtari të rëndësishme, ka plotë ngjarje, fakte, episode, dokumente e protagonist, që kanë lënë gjurmë të thella në ndërgjegjen e në kujtesën e njerzëve.Dikush ka thënë se sëmundja më fisnike është dashuria për Atdheun. Është e pashërushëme kjo sëmundje. Ushtarakët vecanërisht, i shoqëron gjithë jetën dhe vetë jeta e tyre nuk do të kishte kuptim pa këtë dashuri.
Si u luftua aviacioni në luftën e Vlorës ? Çfarë kujton 23 korriku i vitit 1920 ?
Në luftën e Vlorës në vitin 1920-të, aeroplanët italian mitralonin e bombardonin pozicionet e luftëtarëve shqiptarë në frontin e luftës e në prapavija, shpërndanin fletushka propogandistike me anë të cilave i bënin thirrje popullit të hidhte armët.Në betejat e ashpra të 23 korrikut 1920-të, trimat luftëtar rrëzuan një aeroplan që fluturonte ulët mbi poziconet e zëna nga një grup luftëtarësh në rrethinat e Vlorës.
Ai që kreu këtë akt historik, ishte artilieri Abdurrahman Çiraku. Abdurrahmani ishte lindur në Vernik të Vlorës. Si njëri nga luftëtarët e shquar në luftën e Vlorës, në krah të komandantit Osman Haxhiu, ai më parë kishte kryer shkollë ushtarake për artileri në Stamboll bashkë me Toto Hosi, Xhafer Xhuveli, Etëhem Vlora djali i Ismail Qemalit e të tjerë.Zëri i Atdheut e thirri dhe ai u radhit si luftëtar në luftën e Vlorës. 23 korriku 1920 dhe akti i Abdurrahman Çirakut, shënojnë ditën e rrëzimit të avionit të parë luftarak pushtues nga shqiptarët, mbi tokën shqiptare. Aktin e tij në shërbim të luftës clirimtare e të kombit, populli i Vlorës e ka përjetësuar në këngë: Në fushë të Peshkëpisë/ ra balloni i Italisë/ dhe ballonin kush e shtiu/ trim Abdurrahmën Aliu.
Si kujtohen luftimet kundër aviacionit në vitet 1940-1944 ?
Në vitet e luftës antifashiste nacional-çlirimtare, aeroplan luftarak të pushtuesve u rrëzuan nga pushkët e partizanëve shqiptar në 12 dhjetor 1942 në Berat, në 8 gusht 1943 në Radësh të Skraparit, në 18 gusht 1943 në Pezë, dhe në 14 shtator 1943 në Mallakastër. Me dhjetra aeroplanë të aleatëve tanë amerikan e anglez në atë luftë, u rrëzuan në tokën tonë nga kundërveprimi i pushtusëve të atëhershëm italo-gjerman ose për shkaqe natyrore, nga humbja e orientimit në kushtet e vështira meteorologjike, në terrenin e panjohur malor. Ekuipazhet e atyre aeroplanëve të rrëzuar, që humbën jetën, u varrosën nga banorët në vëndin e ngjarjes. Të gjallët, ose u kapën rob prej gjermanëve, ose në disa raste, u ndihmuan e shpëtuan nga fundi fatal prej banorëve vendas, duke i përcjell përtej detit, andej nga kishin ardhur.
-Cila është historia e aerodromi ushtarak të Kuçovës ?
Në vitet e Mbretërisë teritori i aerodromit kishte qëne tokë buke në pronësi të bejlerëve berates.Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, komanda e trupave pushtuese, për të realizuar qëllimet e paracaktuara agresive në gadishullin e Ballkanit, filloi të ndërtonte në teritorin e Shqipërisë rrugë e objekte të ndryshme, ndërmjet tyre edhe aerodromin në Kucovë. Ushtria italiane, arma e xhenjos, ndërtoi aerodromin dhe bazoi në të repartin e aviacionit gjuajtës e sulmues me aeroplanë të tipit FIAT e CAPRONI. Të ngritur nga ky aerodrom, aeroplanët kryenin misione kundër forcave partizane, si dhe në frontin e luftës italo-greke. Me pushtimin e vëndit nga hitlerianët, në aerodromin e Kuçovës u bazuan aeroplanë sulmues gjerman JU-88 SHTUKAS që siguronin me aviacion forcat tokësore gjatë opeacioneve luftarake.
Me çlirimin e vëndit, kur Shqipëria u pajis me aeroplan luftarak reaktiv, aerodromi i Kuçovës u vlerësua nga udhëheqja politike e ushtarake e atëhershëme, si më i përshtatshëmi për bazimin e tyre. Punimet e rindërtimit nisën në vitin 1952 dhe përfunduan në vitin 1954. Forcat që u angazhuan në punimet e rindërtimit ishin kryesisht të burgosur politik, nën drejtimin e drejtorisë së xhenjos të ushtrisë. U ndërtua brezi i uljes e ngritjes 1800 metër i gjatë, 600 metër i gjerë, e trashësi 25 centimetër, i përshtatshëm për fluturimin e aeroplanëve luftarak reaktiv në kondita të thjeshta e të vështira metorologjike.
Në 15 maj 1955, në aerodromin e Kuçovës u dislokua regjimenti i aviacionit luftarak gjuajtës i emërtuar PEZA. Komandant i regjimentit u emërua piloti Niko Hoxha dhe zëvendës të tij pilotët Fahri Bubësi e Babae Faiku, të tre pilotë të shquar të aviacionit luftarak shqiptar.
Roje luftarake në mbrojtje të hapsirës ajrore të vëndit
Në vitet 1945-1955, qielli i Shqipërisë përshkohej ditë e natë nga aeroplanë të huaj civil e ushtarak të pakontrolluar, për qëllime provokimi, zbulimi, diversioni, propogande, si shkelës të hapsirës ajrore.
Në 14 maj 1955, Shqipëria nënshkroi Traktatin e Varshavës dhe si anëtare e tij zbatoi menjëherë masa për forcimin e mbrojtjes së vendit, sidomos për mbrojtjen e hapsirës ajrore. Në atë ditë që në Varshavë firmosej Traktati, në Tiranë Komandanti i Përgjithshëm i ushtrisë Enver Hoxha, lëshonte urdhërin për formimin e Komandës së Mbrojtjes Kundërajrore të shtetit. Komandant i MKA-së u caktua gjenerali vizionar Gjin Marku, zëvendës te tij për artilerinë kundërajrore Maqo Zoto dhe për aviacionin piloti Edip Ohri, të tre të përgatitur në shkolla ushtarake në Bashkimin Sovjetik.
Një nga urdhërat e parë të komandës së sapo krijuar ishte ai i datës 6 qershor 1955, për organizimin dhe kryerjen e shërbimit të rojes luftarake për mbrojtjen e hapsirës ajrore të vendit.
Në 10 qershor 1955, në aerodromin e Kuçoves filloi kryerja e shërbimit të rojes luftarake prej efektivit fluturues, nga dy ekuipazhe të përgatitur e në gatishmëri numur një për fluturim.Aeroplanët luftarak që do të ngriheshin në ajër, kishin për detyrë të detyronin aeroplanët e huaj shkelës ajror të uleshin në aerodromin më të afërt ose fusha ulje. Në rast se aeroplanët e huaj nuk do të zbatonin kërkesat e pilotëve tanë, kundër tyrë të hapej zjarr e të asgjësoheshin, duke mos i lejuar të delnin jashtë kufijve të Shqipërisë.
Bateritë e artilerisë kundërajrore u nxorën në pozicione zjarri, në gatishmëri për të zbuluar e hapur zjarr kundër aeroplanëve të huaj që shkelnin kufirin shtetëror. Në pozicione vrojtimi të panderprere edhe radarët e zbulimit të largët ajror.
Shërbimi luftarak roje i aviacionit, artilerisë kundërajrore, radarëve vazhdoi për gati 50 vjetë deri në vitin 2000 kur këto armë të rënda u hoqën nga përdorimi në ushtrinë tonë.
Ju keni cilësuar se 64 vjetë më parë, ndodhi ngjarje e veçantë ?
Në 23 dhjetor të vitit 1957, në ekranet e radiollokatorëve roje të zbulimit të largët ajror u çfaq një objekt ajror mbi detin Adriatik që i afrohej bregdetit tonë në drejtim të Fierit.Menjeherë, vendkomanda qëndrore e mbrojtjes kundërajrore të shtetit urdhëroi ngritjen në ajër të çiftit të aeroplanëve roje në aerodromin e Kuçovës dhe kaloi ne gatishmëri numur një artilerinë kundërajrore në Tirane, Kuçovë, Sazan e Karaburun. Pilotët e gatshëm Anastas Ngjela e Mahmut Hysa u ngritën në ajër, me kurs fluturimi drejtë aeroplanit shkelës të hapsirës tonë ajrore. Kur piloti Anastas Ngjela u ndodh përball aeroplanit shkelës, piloti i aeroplanit të huaj ndryshoi menjëherë kursin e fluturimit për në jug përgjatë bregdetit shqiptar, pastaj u kthye majtas paralel me vijën e kufirit shtetëror me Greqinë. Pilotët tanë nuk mund ta ndiqnin pas në teritorin grek, por e ndoqën shkelësin deri sa ai u zhduk nga vrojtimi i drejtpërdrejtë. Radarët roje vazhduan vëzhgimin e pandërprerë të objektit shkelës.Disa minuta më vonë, ky objekt u çfaq në ekranin e radarit roje, në kursin e fluturimit Bilisht-Korçë-Pogradec drejtë Tiranës. Në Kuovë, sipas rregullit u ngrit çifti tjetër i aeroplanëve roje.
Aeroplani shkelës i hapsirës ajrore, i kufizuar në karburant, nën vëzhgimin e pandërprerë të radarëve roje, nën presionin e avionëve roje, duke shfrytëzuar mjeshtërisht terrenin, bëri ulje të detyruar në pistën ende në ndërtim në Rinas. Piloti amerikan i aeroplanit shkelës, rreth 40 vjeç, ishte inspektor i fluturimeve ajrore, me shumë përvojë për luftime ajrore e zbulim ajror gjatë Luftës së Dytë botërore e në Luftën e Koresë.
Gjatë marjes në pyetje prej zyrtarëve të strukturave tona shtetërore, deklaroi se ishte nisur nga baza ajrore e NATO-së në afërsi të Parisit për në Napoli të Italisë. Por u justifikua ai, meqënse në atë drejtim kishte shumë mjegullë, u drejtua për në Shqipëri.
I ndodhur nën vëzhgimin e radareve roje, përball avionëve shqiptar gjuajtës e në shënjestrën e kundërajrorëve, ndryshoi kursin, shfrytëzoi mjeshtërisht terenin, shpëtoi jetën e tij dhe avionin, duke u ulur në pistën ende në ndërtim në Rinas. Piloti u lirua në 11 janar 1958 ndërsa aeroplani zbulues amerikan u sekuestrua. Pas qëndrimit gati dy vjetë në Rinas u vendos në fushën e Laprakës. Në 1 korrik 1973, në prag të 30 vjetorit të krijimit të ushtrisë, aeroplani u vendos në muze në kalanë e Gjirokastrës. Para se të vendosej në muze, për riparimin e tij punuan specialistët më të mirë si Kapllan Huka, Minush Dule, Fehmi Kajxhiu, Enver Lame e të tjerë. Që nga 10 korriku 1973, aeroplani trofe vazhdon të qëndroj në muze në kalanë e Gjirokastrës. Në trupin e aeroplanit, lexohet United State Air Force.
Protagonisti i ngjarjes Anastas Ngjela
Protagonisti kryesor i ngjarjes së veçantë të 23 dhjetorit 1957 në qiellin shqiptar, ishte piloti Anastas Ngjela. Rastësia apo fati tij deshi që në 23 dhjetor 1957 ai të ishte komandant i ciftit të avionëve roje në Kuçovë. Ai ishte njëri nga qindra pilotë të talentuar të aviacionit luftarak shqiptar që i shërbyen vëndit në kohën kur ushtria shqiptare si antare e Traktatit të Varshavës, u pajis me armatim e teknikë si kurrë më parë në historinë e saj. Hapsirën ajrore e ruanin, avionët, radarët, artileria kundërajrore e raketat. Anastas Ngjelën jeta në aviacion nuk e bëri hero, por ai ka qënë pranë aktit sublim disa herë. Kur shërbeu Anastasi, populli i quante pilotët shqiponja të kaltërsive. Rituali i familjes dhe shokëve kur piloti nxirte avionin në pistë ishte urimi, u kthefsh shëndosh e mirë.
Lindi në Sheper të Zagorisë, në familjen e Ngjelajve e njohur për tradita në dituri e patriotizëm. I përket brezit të pilotëve të parë shqiptar të përgatitur për avionë reaktiv në ish-Bashkimin Sovjetik. U përgatit në Harkov të Ukrains. Me kthimin në atdhe në vitin 1955, u caktua pilot avioni reaktiv në Kuçovë. Ishte një nga pilotët e shquar të aviacionit luftarak shqiptar, natyrë e qetë njerzore, tepër i matur, korrekt dhe po aq miqësor- kështu e kujtojnë bashkohësit. Mbylli karierën inspektor i fluturimeve në Komandën e Mbrojtjes Kundërajrore të shtetit dhe u nda nga jeta në vitin 1997. Piloti Anastas Ngjela protagonist i ngjarjes, i lindur në Sheper të Zagorisë dhe avioni amerikan në muze në kalanë e Gjirokastrës, janë në kohezion historik, produkt e dëshmi e kohës kur qielli i Atdheut mbrohej ndryshe.