Albert Z. Zholi: Flet këngëtarja e mirënjohur, Liliana Kondakçi, 7 herë fituese e çmimit të parë në festivalet në RTSH

Albert Z. Zholi: Flet këngëtarja e mirënjohur, Liliana Kondakçi, 7 herë fituese e çmimit të parë në festivalet në RTSH

–          “Festa e Këngës Shqiptare” ishte një sfidë ndaj Pandemisë

–           Që nga vitit 1967 deri në vitin 1990 unë kam marrë pjesë në 23 festivale pa ndërprerje.

      –      Si talent më ka zbuluar i madhi Pjetër Gaci, në vitin 1967 kur kam qenë 14 vjeç.

      –      Gaci më dha të këndoja një këngë të këngëtares së madhe Vaçe Zela “E dua vendin tim” të kompozuar nga Agim Prodani.

–          Ishte viti 1967, isha 14 vjeç në  Festivalin e 5-të dhe këndova këngën “Tekstilistes”

Para disa ditësh  dhe pse Pandemia ka kufizuar lëvizjet është realizuar dhe filmuar nën drejtimin e Gjergj Lekës “Festa e Këngës Shqiptare”. Kjo Festë mblodhi rreth vetes këngëtarët e vjetër që kanë kënduar “live” për vite të tëra dhe që sot kërkohen nga publiku i gjerë. Kjo Festë u zhvillua që dhe brezi i ri të mësojë se kush ishin ata këngëtarë që e rritën cilësinë e këngës  së muzikës së lehtë shqiptare dhe nuk e deformuan atë.  Pjesëmarrëse ishte patjetër dhe Liljana Kondakçi një zë i veçantë i muzikës së lehtë shqiptare. Mund të themi se ajo mbetet një nga këngëtaret e spikatura të muzikës së lehtë që në kohë të lirë admiron muzikën klasike. Tip shumë i shoqërueshëm, energjike, e dashur, punëtore, por dhe gjithmonë e qeshur. Cilësi që e bën të dallueshme është se edhe në momente të vështira ajo është e qetë, tolerante dhe falëse.

            Ka kohë që situata është e vështirë për këngëtarët. Por dhe pse Pandemia ka kufizuar lëvizjet, para një muaji është realizuar dhe filmuar nën drejtimin e Gjergj Lekës, “Festa e Këngës Shqiptare”.  Çfarë përmbante në vetvete ky project, kush e realizoi dhe çfarë kishte si qëllim dhe cilët  nga këngëtarët e brezit tuaj ishin?

“Festa e Këngës Shqiptare”, ishte një projekt i  kantautorit Gjergj Leka, pa spektatorë, dhe në kushte Pandemie. Vendosa që të isha pjesë e këtij organizimi për vetë dashurinë e madhe që kam për këngën. Ky takim në këtë ‘Festë Kombëtare të Këngës’, pati një rëndësi të veçantë për mua dhe për të gjithë artistët, që të risjellim përsëri në skenë atë muzikë origjinale e tradicionale shqiptare të brezit tonë dhe këtë ta bashkëngjisim me po aq emocion  edhe artistëve të brezit të ri. Disa nga artistët e njohur të muzikës së lehtë ishin: Justina Aliaj, Alida Hisku, Ilir Shaqiri, Kozma Dushi, Rakipe Karaj, Elida Shehu, Bahri Rusja, Rajmonda Kamberi, por edhe të tjerë artistë të njohur si, Alda Cukaj,  Alban Emiri, Teuta Pango, Irma Gurakuqi, Neptun Gjata, Dhimitër Stefa, Artan Bakija, Anisa Grenazi, Ardiana Pinari,  Agim Poshka, Elidon Prodani, Sajana Kodheli, Leonard Bulku, Marinela Kasneci, …e shumë e shumë pjesëmarrës të tjerë të cilët me kaq dashuri interpretuan këto këngë të asaj kohe me një fryme e një freski të re muzikore. Në stafin realizues ishin  Gjergj Leka, me artistët e tij Alma Strazimri, dhe Erisela Leka, nën regjinë e Edi Dingu. Të gjithë këngët tona të asaj kohe u rifreskuan në një orkestracion të ri dhe kohor, si dhe me një profesionalitet të lartë, nga kantautori Gjergj Leka, i cili drejtoi për 4 net me radhë në skenë, këtë ‘Festë të Këngës Shqiptare’, me një profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë. Dolëm mbi Pandeminë…Kur diccak e bën me dashuri sigurisht bën gjëra të bukura. Pra atë që duhet ta bënte shteti e bën individi.  Populli ybë e do shumë këngën e do shumë, muzikën ndaj dhe ne duhet tu përgjgijemi dëshirave të tyre. Në këtë situatë një event I tillë ishte një sukses. Ne u bashkuam si shumë vite më parë.

Liljana po aq e bukur, dinamike, e qeshur, e rinuar, kush është sekreti i këtyre cilësive të Liljanës që e fshehin moshën?

Në fakt e para është geni, e dyta, fatmirësisht më ndihmon profesioni që kam, pra kënga dhe për këtë falënderoj zotin që më ka dhënë zërin, po kaq mirë me vokal dhe shpirtërisht. Pra zërin dhe forcat i kam si para 10 vjetësh dhe po kaq jam e angazhuar në shumë koncerte të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Punoj çdo ditë për profesionin tim me shumë kënaqësi. Shtoj repertorin, dëgjoj muzikë, ndjehem mirë kur jam me shoqërinë time, kur diskutojmë sinqerisht për artin për këngën, për probleme të ndryshme të jetës tonë, pasi jeta është mbushur me ngjarje dhe befasira. Jeta është shumë e bukur dhe pse ka dhe thashetheme, intriga. Njeriu duhet të bëj dallimet dhe të gjejë rrugën e duhur. Më e bukura më e këndshme më e gjetura në shpirtin tim është mikrofoni, këngët që unë këndoj. Mikrofoni është bën pjesë në jetën time, shpirtin tim kaq shumë sa kur e marr në dorë më largohen vetiu si me magnet hallet problemet, shqetësimet. Pra dukem njeriu më i lumtur. Të gjitha brengat para mikrofonit më largohen. D.m.th, është kaq gjë e bukur të jesh artist,  saqë vetëm ata që janë artistë mund ta kuptojnë. Kam shumë raste që kemi pasur aktivitete dhe kolegët kanë shprehur habinë me qetësinë, dëshirën, entuziazmin tim para mikrofonit. Pra mikrofoni më tjetërson, më jep mendim, forcë, kërkesa ndaj vetes, çdo gjë të bukur që njeriu kërkon në jetë. Njëherë tjetër dëgjoj të pëshpërisë dikush që këtë energji Liljanës ja jep pija.

Pra është e vërtetë?

Aspak. Nuk ka lidhje fare me mua. Miqve të mi u them nuk është pija ajo që më bën energjike dhe të qeshur. Unë nuk pi. Nuk e përdor pijen. Pra nuk përdor as uiski as xhin, as birrë. Unë mund të pi vetëm një gotë verë të kuqe në mbrëmje kur ha bukë. Asnjë lloj pije tjetër. Pra dhe këtë me masë. Pra forca më vjen vetëm mendimi që do këndoj. Ajo që thashë më lart. Në momentin që jam mbrapa perdes, ku spikeri do të përmendë emrin tim, më bën shumë entuziaste. Më duket sikur më vjen një fuqi e madhe nga lart, që më largon çdo dyzim apo pasiguri. Nuk është pija ajo që frymëzon aktorin apo këngëtarin (mendimi im), është dashuria për profesionin. Mënyra se si artisti e ndjen që do ti jap publikut, mënyra se si e shikon atë publiku në skenë. Këto elementë më bëjnë të përgjegjshme aq sa nuk më bëhet më ta lëshoj mikrofonin nga dora. Vokali im merr nuancat e duhura, aq sa mund të këndoj gjatë gjithë kohës për orë të tëra live.

 Liliana dhe skena…Disa harrojnë kur ke dalë në skenë. Vërtet, kur u zbulua si talent Liljana dhe nga kush?

 Unë kam kënduar që në moshën 3 vjeç kur kam qenë në kopsht dhe më thonë se kur kam dalë në ekranin e televizioneve më ka zbukuruar si talent, i madhi Pjetër Gaci, në vitin 1967 kur kam qenë 14 vjeç. Ai më dha të këndoja një këngë të këngëtares së madhe Vaçe Zela, të cilën e kam shumë për zemër, pikërisht këngën e mirënjohur “E dua vendin tim” të kompozuar prapë nga kompozitori i madh Agim Prodani. E kam kënduar për herë të parë në një shfaqje të estradës së Tiranës, pastaj më dërgoi tek Radio Tirana në një anketë. Më pas erdhi muaji dhjetor që bëhej festivali në Radio Televizion.

 E vërtetë? Pra ju 14 vjeç, keni marrë pjesë në Festivalin në Radio Televizion?

Pse habitesh? (qesh sërishmi). Dua të theksoj se para se të shkoje në festival, Radio Televizioni organizonte një konkurs paraprak. Aty shikoheshin zëri, talenti, mënyra e zotërimit të vetes. Sepse pa kaluar këtu nuk krijohej bindja se do ishe e sigurt në skenë. Fitova në konkurs për të kaluar në Festival.

 Cili Festival ka qenë?

Festivali i 5-të. Ky ishte festivali i parë që kam marrë pjesë. Kënga titullohej “Tekstilistes”. Që atëherë pretendoja për çmim. Ishte viti 1967.

Pra 14 vjeç. Dhe merrnit pjesë në një Festival që kërkonte kaq shumë punë, mund, djersë, përgjegjësi dhe profesionalizëm. Si jeni ndjerë?

Si të të them. Ka qenë një moment që s’di ta komentoj. Duke qenë e vogël në fillim nuk i dhashë atë rëndësinë që duhet. Se kisha shumë idenë e madhështisë së një aktiviteti të tillë kombëtar. Por kur dola në skenë, ku salla ishte plot me personalitete, mendova se evenimenti ishte i një rëndësie të tillë që logjika ime nuk mund ta perceptonte realisht. Kjo këngë kishte si kompozitor Vasil Memën nga Durrësi.

 Pas këtij festivali a ka pasur ndonjë festival që Liljana nuk ka marrë pjesë?

Absolutisht jo. Që nga vitit 1967 deri në vitin 1990, unë kam marrë pjesë në 23 festivale pa ndërprerje. Një rrugë e gjatë e mbushur me emocione, gëzime, zhgënjime, arritje, pra gjithçka që të fal një eveniment i përmasave të tilla.

Krahas festivaleve në Radio TV a zhvilloheshin evenimente paralele të këtyre përmasave në sistemin monist?

Po. Ka qenë dhe festivali i ushtarit. Kam marrë pjesë në dy festivale të tilla. Edhe në festivalet e interpretuesve apo në dekadat e Majit. Anketat muzikore.

 Po në Festivalin e 11 –të, a ka marrë pjesë Liljana?

Po. E thashë dhe më lart. Qysh në vitin 1967 unë kam qenë në çdo festival.

 Nuk u ndëshkuat si shumë kolegët tuaj?

Jo. Ndoshta zoti më ndihmoi.

 Ku keni shkuar për herë të parë jashtë vendit?

Në vitin 1973, në një Festival në Ohër. Ishte një mrekulli. Të dilje jashtë atëherë ishte shumë luks. E ndjeva veten si në Shqipëri, pasi aty shumica ishin shqiptarë.

 Ndonjë këngë të veçantë ?

Kam kënduar një këngë të Aleksandër Peçit me poezi të Natasha Lakos, e cila e shkroi këtë poezi për vajzën time të cilën sapo e kisha lindur. Ishte një tekst enkas dhe muzika u harmonizuan me poezinë dhe është një këngë shumë e mirëpritur dhe që këndohet dhe sot nga grupmosha të ndryshme

 Nga festivalet kë do të veçoje?

Festivalin e ‘9-të. Është kënga e Shpëtim Kushtës me tekst të Fatos Arapit “Mesnatë” që është vendosur dhe në diskun e artë, kemi marrë çmim të parë. Në festivalin e ‘9-të kam kujtim se e kam kënduar vetë këngën fituese, sepse atëherë kishte dhe dublant kënga, për fat të mirë është se e madhja Vaçe Zela tha ta këndojë Liljana, pasi në raste të tilla ajo këndonte vetë. Ishte fat i madh, ishte një moment i paharruar. Ndoshta magjik mund të them. Mes këngëtarësh potentë, kompozitorëve po të tillë. Autorë tekstesh që kanë lënë gjurmë. Atëherë kërkesa e llogarisë ishte maksimale. Nuk tolerohej asgjë.

 Sa çmime keni marrë në gjithë këto Festivale dhe bashkëpunime?

7 çmime të para dhe shumë të dyta.

 Sa albume ka bërë Liljana?

Unë albume?! Kam kënduar afërsisht 1000 këngë. Sa albume bëjnë. Albumet e mia janë këngët e panumërta, këngët që këndohen nga të gjithë, në çdo kohë.

Po kënga popullore sa vend zë tek ju?

Çudi më parë nuk e kam dashur. Nëna më ka thënë t’i këndon vazhdimisht këngë popullore, pse nuk këndon dhe në skenë. Do dua të bëj një album të tillë. E ndjej se kam rezerva të pashfrytëzuara në këtë drejtim.

 Në sa vende të botës keni dhënë koncerte?

Thuajse në të gjitha vendet e Europës, ku ka emigrantë shqiptarë. Por edhe në Amerikë dhe Kanada. Por vendi im më i preferuar është Greqia. Aty këndoj më shumë greqisht kur më kërkohet. Në repertorin tim të këngës greke kam më shumë se 200 këngë. Grekët në fillim s’e mendonin se isha shqiptare.

 Keni mbetur nostalgjike e repertorit të mëparshëm, apo keni dhe këngë të reja?

-Unë kam punuar gjithnjë me krijimtarinë. Edhe albumin që po përgatis e kam me këngë të reja, pavarësisht se ndonjë këngë e repertorit mendoj se do të ruhet. Shumë shpejt albumi im do të jetë gati.

 Në vitet e demokracisë së brishtë gjysma juaj e kohës kalohet në Greqi. Këndoni dhe rrini pranë fëmijëve, jeni lodhur?

Përkundrazi. Nuk e kam vënë re lodhjen. U bë një kohë e gjatë dhe më është bërë si Tiranë-Durrës kjo linjë. Për mua nuk është rehat të qëndruarit në një vend. Nuk e mendoj dot veten të rri në një vend. Më thërrasin të gjithë, vajza, nëna, im shoq, karriera dhe unë jam e kënaqur t’u rri pranë të gjithëve. Përderisa më kërkojnë.

 Cilat janë veset që Liljana i largon nga vetja?

Thashethemet dhe gënjeshtrat. Në shoqërinë e sotme vese të tilla janë shumë të dëmshme. Disa herë mund të bëhen dhe të qëllimshme. Njeriu modern duhet të rrijë larg tyre.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …