– Në regjimin komunist për një këngë punoje mbi 6 muaj dhe futej në RTSH nëse kalonte në disa filtra.
– Ishte Festival vlerash, përgjegjësish, por i mungonte më e madhja, liria
-Sot për Festivalin e RTSH-së, mund të futesh pas 3 ose 4 ditëve punë, ky është dallimi.
-Nuk pinte ujë as miqësia, as korrupsioni, as fundet e shkurtra
– Si fitova pa mik konkursin për në Konservator, isha plot 22- vjeç
-Kompozimi im i parë ka qenë kënga “Lemza” dhe është kënduar nga e madhja Vaçe Zela.
-Ka qenë festivali i parë në RTSH, ishte viti 1962
-Rinia e pëlqeu shumë atë këngë dhe pse menduan se e kisha kopjuar nga këngët e huaja.
-E ndaluan tre muaj dhe njerëzit nisën të shkruanin parulla nëpër mure me emrin “Lemza” më pas e lejuan të transmetohej dhe ishte një kënaqësi e madhe
-Si më thirrën në degën e Brendshme pas Festivalit të 11-të
– Me këngën “Kafe Flora burra plot” deshën të më syrgjynosnin
Nëse gjithmonë e gjen tek “Lemza”, lokali i tij i cili ka emrin e këngës së tij të parë në Festivalin e Radios, sot e takova në prezantimin e librit të poetes së talentuar Zhuliana Jorganxhi. Sipas tij “Lemza” është emër i veçantë, pasi kudo shikon që janë mbushur lokalet me lloj -lloj emrash të huaj, emra të çuditshëm që nuk i merr vesh kush. “Lemza” është i veçantë, ka një histori të bukur në këngë dhe me krijimtarinë e tij, pasi në Festivalin e Këngës së muzikës së lehtë në vitin 1961 ai mori pjesë me këngën “Lemza” e cila u këndua nga e madhja Vaçe Zela. Tek ky klub para pandemisë mblidheshin miq, shokë, të afërm. Tani takimet janë rralluar paksa. Këngëtarë, kompozitorë etj…i qeshur dhe plot ide ai se ndal asnjëherë punën. Pas një odiseje rreth 16-vjeçare në Amerikë, në vitin 2006 u kthye përfundimisht në Shqipëri në Tiranë, aty ku ka bërë epokë në muzikën e lehtë shqiptare. Para disa kohësh në koncertin Gala “Të gjithë e duan Agim Krajkën”, presidenti Ilir Meta i dha artistit të madh dekoratën “Nderi i Kombit”, e cila u dorëzua në skenën e “ArTurbina” nga ish-Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Krijuesi i “Lemzës” së famshme dhe i dhjetëra këngëve të suksesshme shqiptare, i ka arritur të gjitha, por ai nuk rresht së foluri për këngën shqiptare, muzikën e lehtë dhe për atë polifonike.
–Një ditë e veçantë sot në promovimin e librit të poetes së mrekullueshme Zhuliana Jorganxhi. Si do e cilësonit Zhulianën?
-Zhuliana ka qenë dhe mbetet një poete e madhe, krijuese me vizion dhe me karrierë të pasur, Njerëz të tillë duhet të vlerësohen gjithmonë.
-Para pak kohësh ju morët titullin “Nderi i Kombit” një nderim për punën tuaj. Si jeni ndjerë ?
Çdo titull ka rëndësinë e vet dhe çdokush ndihet mirë kur merr një titull, aq më tepër titullin më të madh “Nderi Kombit”. E prita me shumë gëzim dhe ka qenë një surprizë, pasi është titulli më i lartë që mund t’i jepet një artisti në kombin shqiptar.
-Parë në restrospektivë por edhe me zhvillimet e sotme, mund të bëni një dallim mes Festivaleve të RTSH-së në komunizëm dhe sot?
Dallime? Po përcjell vetëm një fakt. Në atë kohë për një këngë punoje mbi 6 muaj dhe futej në RTSH nëse kalonte në disa filtra. Të dilte shkuma për një këngë. Dridheshe kur futeshe në atë Festival. Ishte Festival vlerash, përgjegjësish, por i mungonte më e madhja, liria. Kishte shumë demagogji, shumë. Politizohej në disa segmente, por jo gjithçka. Sot për Festivalin e RTSH mund të futesh pas 3 ose 4 ditëve punë. Ky është dallimi. Nuk pinte ujë as miqësia, as korrupsioni, as fundet e shkurtra. Po kishe ngjyer penën mirë do garoje. Pastaj edhe tekstet ishin tekste, poezi që të lotonin, të rrëmbenin, nuk ishin fjalë të palidhura. Kaq. Besoj u mirëkuptuam.
-Një jetë me këngën, me kompozime nga më të ndryshmet. Kudo të presin me respekt, si nisi rrugën e bukur të kompozimit Agim Krajka?
Albert, ne bashkë kemi zhvilluar disa intervista dhe tashmë shumë gjëra dihen. Por le ti përmbledh me pak rreshta. Vitet 1960 ishin vitet kur muzika e lehtë mori një hov të madh. Tirana kishte ndikim edhe nga muzika ruse. Atë kohë unë i bija fizarmonikës në një lulishte në Tiranë. Flitet për kohën, apo më mirë vitin 1961, kur në Shqipëri kishte hyrë një farë liberalizmi, dhe një shef i Kulturës në Komitetin Ekzekutiv, konkretisht Skënder Gina, i cili më kishte dëgjuar shumë herë më thotë se duhet të hyja në konservator se kisha shumë talent. Unë shtanga. Askush nuk ma kishte bërë këtë propozim. Mbeta i dyzuar. Atë kohë kisha halle të tjera dhe kurrë nuk mund të mendoja për shkollë. Ishte koha kur unë kisha 6 motra në shtëpi, dhe mendoja se si të çoja një lek në shtëpi dhe të ndihmoja familjen. Doja që motrat e mia t’i ndihmoja. Nuk ja vura shumë veshin, por ai këmbënguli disa herë duke theksuar se isha djalë i talentuar dhe duhet të shkollohesha. I nxitur bëra një kërkesë kot pa menduar se çfarë do dilte. Kisha dëshirën vetëm që të vazhdoja punë dhe të çoja ndonjë lek në shtëpi. Dhe ja një mbrëmje, teksa luaja sërish në Bar me fizarmonikë, më vjen një shok dhe më thotë se më kishte dalë emri në liste për të konkurruar. U habita. S’e besoja. Të nesërmen shkova për të parë listën dhe nëse kisha emrin të konkurroja. Po, ishte e vërtetë. Më kishte dalë emri dhe zura radhën për të konkurruar në Konservator (ashtu quhej atë kohë). Për çudinë time fitova dhe a e dini sa isha? Plot 22 -vjeç kur u futa në shkollë. Me ndihmën e profesorëve të mëdhenj të Konservatorit arrita të mësoja shumë.
-Ju kur u futët në Konservator filluat të kompozoni. Po mbas përfundimit të Konservatorit ku u punësuat dhe cili ka qenë kompozimi juaj i parë që edhe sot diskutohet?
Ajo kohë dreqi e kishte një të mirë, sa mbaroje shkollën e lartë ta gjente punën të sigurt, por edhe i mbështeste artistët dhe artin. Në këtë kohë nisa të kompozoja muzikë të vërtetë filmash dhe nisa punë në Ansamblin e Shtetit. Për mua ajo ka qenë shkolla e vërtetë. Ansambli i Këngëve dhe Valleve mbetet institucioni më i rëndësishëm i artit shqiptar. Ato kohë ishin të arta ku ne punonim, krijonim dhe jashtë shtetit lamë gjurmë të pashlyeshme tek spektatorët e shumtë.
Aty kompozova shumë këngë por edhe mësova shumë. Ishte një Konservator i dytë. Mund të them se kam qenë me Ansamblin e Shtetit për 27 -vite, edhe si dirigjent, edhe si kompozitor, edhe si Drejtor. Në atë kohë të ishe pjesë e Ansamblit ishte një vlerësim i madh. Aty ishte ajka e artit shqiptar. Ansambli ynë njihej në gjithë botën. U largova nga Ansambli në vitin 1990 kur më pas shkova në Amerikë. Sot kur e shikoj më vjen që qaj. Legjenda është kthyer në karakatinë. Turp!
-Kur përkon kënga juaj e parë si kompozitor dhe kur keni marrë pjesë në Festivalet e RTSH-së?
Debutimi im i parë në festival ka qenë me këngëtaren e madhe Vaçe Zela. Ajo më dëgjoi tek luaja në fizarmonikë dhe më shtyu të kompozoja një këngë për të. Kështu nisi udha ime. Pra festivali i parë dhe kompozimi im i parë ka qenë kënga “Lemza” dhe është kënduar nga e madhja Vaçe Zela. E kupton çdo të thotë që në daljen e parë si kompozitor të të marrë këngën Vaçe Zela?! E mbaj mend si tani, ka qenë festivali i parë në RTSH, vitin 1962. Vite të çuditshme. Rinia e pëlqeu shumë atë këngë dhe pse menduan se e kisha kopjuar nga këngët e huaja. Të kapte tmerri kur ndalonin një këngë. Të bënin të mendoje thellë. E ndaluan tre muaj dhe njerëzit nisën të shkruanin parulla nëpër mure me emrin “Lemza”. Ka qenë një protestë rinore shumë e këndshme. Më pas e lejuan të transmetohej dhe ishte një kënaqësi e madhe për mua. Kjo këngë më hapi shumë dritare. Filluan kërkesat një shikim më ndryshe nga instancat e larta. Fillova të kompozoj sërish. Nuk doja të rrija me aq. “Lemza” më dha shumë energji. Kështu lindi apo kompozova si këngë të dytë këngën e “Gjyshes”. Edh kjo këngë u pëlqye, ndoshta jo sa e para, por pati jehonë. Tashmë kisha fituar një siguri në vetvete. Kompozimi i tretë ka qenë “Djaloshi dhe shiu” dhe me radhë në çdo vit.
-Në atë sistem a ke marrë ndonjë çmim të parë në Festivalet e RTSH-së?
Po! E kam marrë kur nuk e besoja. Kështu gëzimi vjen më i natyrshëm. Kur merr një çmim që as e din, as e ke kërkuar, kur ta japin surprizë, ndjen një ngazëllim të brendshëm. Çmimin e parë e kam marrë në vitin 1986 dhe ishte surprizë e papritur. Sapo isha duke u futur në shtëpi kur spikerja e festivalit, Zerina Kuke po anonçonte çmimet. U dhanë çmimet e treta, nuk u zura me gojë, po ashtu në të dytat nuk u zura në gojë dhe kur dha çmimin e parë ajo tha: çmimi i parë i jepet kompozitorit Agim Krajka. Gëzimi ishte i jashtëzakonshëm. Një klasë mature vjen mbas një orë e gjysmë në shtëpinë time dhe më uron. Kjo ishte kënaqësia më e madhe për mua. Rrija si i hutuar. Befasia më kishte kaluar në çdo qelizë. Momente reflektimi. Puna ishte vlerësuar në heshtje.
-Sa çmime keni fituar në festivalet e RTSH-së dhe si je njderë në këto festivale?
Për të qenë i sinqertë nuk jap shifër të saktë por të përafërt. Kam fituar rreth 20 çmime në festivale. Në to kam pasur ditë të paharruara, por dhe ditë të vështira. Gjithë koha e përgatitjes ishte një ankth ishim gjithnjë nën filtër. Komisione dhe juri të pafundme. Ka qenë një jetë profesionale e mbushur me shumë emocion. Në fillim të karrierës kënaqësia më e madhe e imja ishte që këngët më pranoheshin në festival, sepse nuk njihnim njeri dhe s’kishim as miq dhe as shokë. Pastaj kur u futa në valle filloi përgjegjësia. Nuk të falte njeri materiale të dobëta. Edhe përgjegjësia jonë ishte e madhe. Ishim nën presion por edhe shumë të motivuar.
-Festivali i 11-të mbahet mend edhe diskutohet shumë edhe sot. Si e kujtoni atë festival?
Në këtë Festival unë u paraqita me këngën “Kafe Flora burra plot”. Ky Festival vërtet ishte për t’u çuditur pasi jo vetëm mes kompozitorëve, këngëtarëve dhe instrumentistëve por edhe në popull kam dëgjuar të diskutohet shumë. Ishte një festival që ndoshta tentoi të thyente disa korniza të kohës, por nuk mundi. Por jo se u bë një gjë e madhe. Krijuesit si gjithmonë ishin cilësorë por edhe veshja edhe instrumentistët edhe ritmi i muzikës, kishte një frymëmarrje më të madhe. Mund të them se ky Festival më i vështiri në jetën time si kompozitor, pasi krijuesi në atë kohë ishte gjithmonë në luftë me atë që do dhe me atë që mund të bëjë. Ishte një kënaqësi kur merrje çmim të parë, por do të prisje se çfarë do të thoshte një tjetër se e kishte të drejtën mbas një jave të qortonte, se mos të bëhej ndonjë plenum etj. Shumë shokë të mi ikën, u syrgjynosën nëpër burgje, u larguan nga muzika, i çuan në fshat me punë në bujqësi, disa i internuan. Rrëmujë. Fshesë. Ankth! Ç’a po ndodh? Kush e kishte radhën…Në festivalin e 11-të me të vërtetë u prit mirë kënga ime, ku u përgëzova nga artdashësit, por arrestuan shumë këngëtarë, shkrimtarë, piktorë, etj, dhe frika ka qenë e madhe. Edhe unë prisja të ndodhte diçka. Kisha një parandjenjë. Kisha një makth që më sëmbonte. Nuk besoja se do dilja pa lagur. Dhe ja, një ditë erdhën në punë dy të rinj dhe më thonë se në orën 11-të duhet të paraqitesha në degën e Punëve të Brendshme në Tiranë. Djersë të ftohta! Por nuk e dhashë veten. Por brenda vetes thashë: “E pat edhe puna ime”. Kur ikën të rinjtë doja të qetësoja veten. Shkova tek klubi i punës dhe piva një dopio fërnet. Pasi u ngroha dhe u turbullova pak u nisa për tek Dega e Punëve të Brendshme. Sa shkel tek dera e Degës dy vetë që po më prisnin më thanë: “hë mor ti, çfarë është ajo këngë që na ke bërë?”. Shtanga! I pashë me habi. Besoj ata nuk kishin haber fare nga kënga. Por kur pashë kapardisjen e tyre ju përvesha: Çfarë flisni kështu? Si mund ta quani imoralitet një këngë të tillë? Ajo është pogonishte këngë e mirëfilltë shqiptare me bazën në popull. Pra është ajo këngë pogonishte që kërceni ju, unë dhe babai im dhe hyra në zyrën e Kryetarit të Degës. Ai më priti tërë hundë dhe buzë. Rrinte turivarur. Vinte vërdallë dhe nuk më shikonte në sy. Edhe ai më tha të njëjtën gjë. Unë fillova t’i këndoj këngën. E këndoja me zell duke i dhënë atmosferën e pogonishtes. Pasi e këndova ai më tha se çfarë ishte kjo “parru pau” si refren pas fjalëve. Ajo është kthesa, pra kalimi ose përgatitja për strofën tjetër. Kryetari më shikonte me dyshim dhe mosbesim. Tundi disa herë kokën dhe pastaj duke shfryrë më la të lire, por më porositi ta kisha mendjen, se partia më kishte shkolluar. Pra partia më rriti, më shkolloi dhe duhet ta doja. Kur dola nga dera e Degës m’u duk se kisha 20 vjet brenda në errësirë. Ufffff…! shfryva. U lehtësova. Thashë mos do haja ndonjë internim. Pra me një fjalë kjo ka qenë kënaqësia e kompozitorëve shqiptarë. Pra ndjeje fillimisht kënaqësinë e emrit, këngës së re, lëvdatave të njerëzve, por të hidhurat i kishe gjithnjë nga pas. Asgjë nuk kishe të sigurt. Çdo gjë duhej të ishte brenda boshtit të parties, ndryshe… Por kishim dhe shumë momente të bukura, shumë. Jo çdo gjë ishte zi. Kudo na respektonin dhe populli na nderonte dhe na donte shumë. Kudo ku shkonim na prisnin me admirim. Popullin e kishim në çdo hap me vete, sepse populli e donte muzikën tonë dhe na përkrahte. Ndaj mund të them se Festivali 11 ishte një festival i parapërgatitur me qëllim spastrimi siç bëheshin spastrimet dhe në politikë. Ato kishin interesa t’i largonin disa figura nga postet politike. Lufta e bërrylave. Për mua ishte e qëllimshme, se përse i 11-ti duhet të ishte ndryshe nga të gjithë të tjerët. Ne ishim viktima të realizmit socialist. Shumë veta ikën kot, shumë u futën në burgje, u persekutuan padrejtësisht, etj. Këtë solli ky Festival që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës së lehtë shqiptare.
-Ansambli ka shkuar në shumë vend të botës, po ju a ishit pjesë e tij kur shkonit jashtë? Si ndiheshe kur shikoje zhvillimin e ekonomik të vendeve ku shkoje?
Me të vërtetë me Ansamblin kam dalë shumë herë jashtë qysh në monizëm, kur çdo njeri qoftë dhe me titull, e kishte ëndërr të dilte. Sa herë shkonim, çdo gjë na dukej utopi, si përrallë dhe s’e besonim. E krahasonim me vendin tonë dhe 100 pyetje pse? i bënim vetes. Utopia e vërtetë ishte kur shkonim atje, se ndjeheshim si të droguar. Çdo gjë dilte jashtë parashikimeve tona. Këta të partisë na porosisnin, që nëse na afroheshin shqiptarë (të arratisur ose emigrantë) t’i largonim dhe të mos i takonim. Nuk kam qenë nga ata njerëz që kam patur shumë frikë. Me mundësitë që na krijoheshin kishim kontaktet tona. Por gjithsesi, situata ishte absurde. Dieta jonë ishte 1 dollarë në ditë, por ne ndjeheshim krenarë për kombësinë që përfaqësonim. Kur vinim heshtnim. As gruas nuk i tregoja çfarë kisha parë. Kur u sillja të afërmve ndonjë çimçakiz apo stilolaps, më shikonin sikur u kisha dhënë botën. E papranueshme mos të kisha as çimçakiz, absurde! Lere që dyqanet ishin plot thyheshin nga mallrat, ndërsa në dyqanet tona thyente hundët miu, se ishin bosh. Por heshtnim dhe vuajtjen shpirtërore e bluanim përbrenda.
-Ndoshta ishte kjo varfëri që ju detyroi të merrnit rrugën e mërgimit që në fillim të viteve 1990?
Sigurisht, kjo ishte çështja kryesore. Kjo ishte ajo që më nxiti më shumë. E njihja botën jashtë para shumë të tjerëve, e dija si ishte realiteti. Me kohë bluaja se si të ikja. Në atë kohë në Shqipëri fukarallëku ishte kthyer në plagë për gjithë shqiptarët, veçanërisht për intelektualët. Duke qenë se unë i kisha kaluar shumë herë kufijtë shqiptarë me turnetë që bënim jashtë me ansamblin, duke prekur të katër kontinentet e njihja mirë jetën jashtë. Sigurisht që para ‘90-ës nuk kisha menduar ndonjëherë të arratisesha për shkak të frikës nga persekutimi ndaj familjes, por me ardhjen e demokracisë m’u krijuan kushte për t’u larguar. Ditën që u largova nga Shqipëria nuk ika me emocione, sepse ishte thjesht një kontratë e përkohshme për të fituar disa para në Neë York. Më ofrohej një sasi e madhe parash për një kohë të shkurtër dhe vendosa ta provoja. M’u dha mundësia të shkoja fillimisht në Australi, më pas të shkoja në Amerikë dhe të punësohesha në një lokal me pronarë shqiptarë, si instrumentist. Isha në Amerikë bashkë me tim bir që më ndihmonte duke i rënë pianos dhe baterisë. Tim biri iu desh që të kthehej më shpejt se vazhdonte konservatorin, në vitin e parë. Ka qenë dhjetori i vitit 1991 kur më mori në telefon, një javë pasi ishte kthyer në atdhe, duke më treguar për kaosin që ishte krijuar në vend dhe turbullirat e mëdha që po ndodhnin në Shqipëri. Më thotë se po të rrija në Amerikë do u hapja një dritë jeshile. Me anë të një miku kosovar arrita të gjeja një strehë për familjen time dhe më pas mundësinë për t’i tërhequr. Unë në emigracion shkova 52-vjeç. Më pyeti ime shoqe për emocionet dhe unë i thashë kur ajo mbërriti se, “unë Agim Krajkën e kam lënë në Shqipëri”.
Pra fillova një punë shumë të thjeshtë. Punë e thjeshtë ishte, por ishte derivati i profesionit tim. Unë kompozitor u bëra nga fizarmonika. Edhe ushtar kur isha, falë atij instrumenti më mbajtën me hatër dhe më lanë t’i bija vetëm fizarmonikës dhe të përgatisja shfaqjet e ushtarëve. Më pas punova një vit në ansamblin e Ushtrisë dhe më pas në Radiotelevizion. Atje mora pjesë në festivalin e parë ku shkruajta “Lemzën” etj. etj dhe vazhdoi gjithë karriera ime. Unë me të vërtetë mbarova shkollën për kompozitor, por puna e përditshme ishte fizarmonika. Ndaj në Amerikë nuk ndërrova zanatin por pata fatin të çaja në këtë fushë ku kishte vështirësi të mëdha. Atje nuk bëhej muzikë e mirëfilltë, sepse pronarët e lokaleve donin jo muzikën e vërtetë shqiptare, por muzikë tallava. Ato shpesh ishin nga Mali i Zi apo nga Maqedonia dhe njihnin si muzikë shqipe vetëm atë lloj rryme. Me shumë përpjekje arritëm të formonim një grup të mirë me Parashqevi Simakun dhe Morena Rekën. Por dhe ky pati një periudhë të caktuar. Më pas iu ktheva punës në restorante amerikane duke interpretuar këngë italiane dhe detyrimisht muzikë amerikane filmash, këngëtarësh dhe xhaz. Veçanërisht këngët e Domeniko Modunjos që ishin të preferuara në ato lokale. Në restorantet e Neë Yorkut kam punuar rreth 12 vjet duke perfeksionuar më shumë repertorin dhe me muzikë kontemporeane.
Në Amerikë shkova dhe punova me një disiplinë të hekurt, sepse atje punohet ndryshe nga Shqipëria. Thonë shqiptarët që punojnë, por gjatë ditës i pinë nëpër kafene 3 gota me fërnet, kurse në Amerikë ka vetëm punë. Në Amerikë kam punuar gjithë këto vite vetëm për t’i siguruar të ardhmen dy djemve të mi. Ata i shkollova dhe i bëra të zotët e vetes. Nuk fitova asnjë dollar, por nuk mbeta borxh asnjë dollar.
Agimi dhe Amerika. Për 16-vjet a e ndjetë ndonjëherë peshën e racizmit dhe kur u kthyet në atdhe?
Po kam qëndruar afërisht 16- vjet në emigracion, dhe se ndjeva kurrë, kurrë racizmin. Me thënë të drejtën edhe malli për Tiranën më kishte marrë shumë, shumë. E mbaj mend si sot kur jam kthyer. Ishte viti 2001, kur u bë ai koncerti “E dua më shumë Shqipërinë”. Më kishte marrë malli shumë për vendin tim ndaj u përlota shumë. Atdheu është një ëndërr. Por atë dhjetë vjeçar që kisha qenë larg mendova se gjërat në Shqipëri do kishin ndryshuar. Në kohën tonë të gjithë njerëzit ishin njëlloj, të gjithë të varfër. Kur erdha në Shqipëri kishin mbetur ato disa gjoja profesionistë që nuk dihet nëse kanë bërë ose jo shkollë, sepse kishin devijuar nga muzika e vërtetë. Tirana kishte ndryshuar pak, por kishte mijëra dyqane, pisllëqe, lulishte në qendër dhe më dukej vetja si në Afganistan. Ishin kryer masakra të tëra mbi arkitekturën e kryeqytetit. Dhe tani ka shumë lokale dhe restorante luksoze që nuk dihet se kush i frekuenton.
-Muzika e lehtë shqiptare dhe muzika e deformuar, tallava, mund të na sillni ndryshimet?
Ndryshimet? Së pari nuk kanë asnjë lidhje. Muzika jonë e lehtë ishte qelibar. Tërësisht shqiptare. Të gjithë e donin dhe e respektonin. Ato që hodhën themelet e muzikës së vërtetë shqiptare kanë qenë njerëz të mençur dhe kanë ditur që gjëja më e bukur dhe e rëndësishme e një populli është kultura e tij dhe ia kanë arritur qëllimit. Shqiptarët sot e kanë të drejtën të gëzojnë lirinë absolute por më duket se një pjesë e madhe e saj lufton për disa gjëra më imediate. Ka njerëz që po pasurohen me këtë krim që bëhet në muzikën e sotme shqiptare. Është më i fuqishëm ai që e prish këtë muzikë se ç’mund të jetë një Çesk Zadeja e baballarët e tjerë të muzikës shqiptare! Tek ne kultura kombëtare nuk ka më rëndësi. Për Ansamblin e Shtetit nuk investon askush, për institucionet e tjera, gjithashtu. Nuk besoj se ky është arti dhe kultura shqiptare. Sot paratë investohen vetëm tek ato Vipa që vishen e zhvishen nëpër skena, huazimet, drita nalt e poshtë. Kjo nuk është kënga shqipe për mua. Në muzikën shqiptare nuk ka më konkurrencë. Në kohën time vetëm ndonjë kompozitor super i talentuar i pa shkollë mund të shkruante ndonjë këngë, të tjerët, absolutisht jo! Nuk luhej me muzikën, me artin, me atë që na lanë të mëdhenjtë e muzikës shqiptare. E kanë lënë amanet.
Si do ta përcaktoni sot realitetin e shoqërisë shqiptare?
Sot në Shqipëri shikohet se është rritur ndjeshëm në raport me shtetet e tjera divorcet, krimi dhe papunësia. Rinia do të ikë. Nuk është e drejtë. Pa rini një komb vdes.
Emancipimi për mua është i nevojshëm. Mendoj se kategoria më e persekutuar në këtë drejtim është femra. Ndaj është normale që shumë njerëz që kanë vuajtur në lidhjen e tyre ta shpërbëjnë atë, për të gjetur veten. Por mendoj se është detyra e shoqërisë dhe familjes apo dhe të shkollave për edukimin e tyre dhe mbi të gjitha për vlerësimin e një institucioni të rëndësishëm siç është familja. Jeta të përball me shumë të panjohura, më shumë vështirësi, duhet të përgatitemi.
Unë vërtet kisha një fizarmonikë që e kisha pasion, por kompozimin e mësova nga rastësia. Mendoj se nëse do të kisha lindur në një vend tjetër nuk do isha bërë kompozitor. Ndoshta mund të isha bërë një miliarder, por jo kompozitor.
-Po huazimet në tërësi të muzikës së huaj sa ndikojnë në humorin tuaj? ?
Unë hyj në ata kompozitorë dhe krijues që dua dhe mbroj këngët e vendit tim. Në kompozicionet ruse në çdo moment të veprave të tyre do të ndjesh jetën, kulturën dhe zakonet ruse. Edhe në kulturat e popujve të tjerë janë evidente këto dhe artistët e vërtetë i ruajnë me fanatizëm. Ata investojnë për këngën e tyre. Ndërsa këtu tek ne, këngës shqipe i bashkangjisin muzikën turke, rome, serbe dhe greke. Me rastin e shpalljes së Pavarësisë isha në Prishtinë dhe kam jetuar momente të lavdishme që nuk do t’i harroj kurrë. Aty gëlon kënga shqiptare dhe kjo tregon se populli ynë jashtë kufijve ka derdhur gjak për fitimin e Pavarësisë, por njëkohësisht ka investuar shumë dhe në ruajtjen e kulturës kombëtare. Gjuha më e veçantë në këtë pellg është shqipja. Ai ka një kulturë të veçantë, gjuhë dhe kostume të jashtëzakonshme. Ndërsa tek ne në Shqipëri nuk tingëllojnë shqip këngët tona. Tek ne nuk pyet njeri a ke apo jo diplomë. Unë i respektoj shumë profesionistët e muzikës që vlerësojnë pikësëpari kulturën e tyre. Ne para se të marrim pasaportën europiane duhet t’i heqim një herë pluhurin pasaportës shqiptare, nga pluhuri grek, turk, muzika e evgjitëve, serbëve etj….
Mbi dy dekada në Shqipëri, mendoni të ktheheni në Amerikë?
Amerika më dha shumë mundësi. M’u gjend në momente të vështira, por tani në moshën time Amerikë për mua është Shqipëria dhe vetëm Shqipëria.