leoni

Albert Z. Zholi: Hidrocentralet e Farudin Hoxhës, sekreti i madh i kohës së komunizmit

Albert Z. Zholi: Hidrocentralet e Farudin Hoxhës, sekreti i madh i kohës së komunizmit

Ish-ministri i Mbrojtjes, Bajram Mane: Si bashkëpunuam me Farudin Hoxhën për t’i shndërruar edhe hidrocentralet në mjete të mbrojtjes në rast sulmi nga ushtritë e huaja. Përllogaritjet se si do të përmbytej gjysma e Shqipërisë vetëm nga kaskadat e Drinit. Projektet sekrete të veprave që u zhdukën pas vitit ’91 dhe historia e patreguar e dhjetëra viktimave të ndërtimit

Veprat e mëdha hidroenergjetike të kohës së komunizmit duket se mbartin edhe një sekret të madh. Projektimi i tyre është kryer në atë mënyrë, që të përdoreshin me një tjetër funksion në rast sulmi nga armiku. Ish-zv/ministri i Mbrojtjes së asaj kohe, Bajram Mane, tregon se si digat e hidrocentraleve të projektuara nga profesor Farudin Hoxha ishte planifikuar të shërbenin për të përmbytur zonat e zbarkimit nga ushtritë e huaja. Ish-zyrtari i lartë tregon se nga viti 1975 e deri në 1989, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes Popullore dhe Ministrisë së Ndërtimit kishte një bashkëpunim të ngushtë, që kishte të bënte me ndërtimin e urave dhe digave.

“Ky bashkëpunim konsistonte në atë që në rast agresioni, ne do të bënim luftë partizane në male dhe armikut në fushë do t’i hidhnim në erë urat dhe digat që të mos kishte mundësi lëvizjeje. Pra qysh në ndërtim, projektim, bashkëpunimi kishte si qëllim që të liheshin të fshehta vendet e minimit të urave dhe digave që armiku të paralizohej në lëvizje”, thotë ish-zv/ministri.

Nga të dy ministritë u bënë studime, se sa tokë do përmbytej n.q.s. çahej ose hidhej në erë diga e hidrocentralit të Vaut të Dejës, i cili atëherë sapo ishte ndërtuar. Më pas edhe për hidrocentralet e tjerë që u ndërtuan mbi Drin. Të dhëna që mbaheshin tepër sekret. Vetë profesor Farudin Hoxha, në një bisedë të viteve më pas do të thoshte: “Shumica e njerëzve nuk e dinë, se e shikojnë Fierzën apo hidrocentralet e tjerë vetëm nga jashtë, por duhet ditur se nën dhe janë ndërtimet më të mëdha. Po të prishet Komani, Fierza dhe Vau i Dejës, përmbytet më shumë se gjysma e Shqipërisë”.

Përmbytja e Shqipërisë duket se ishte një skenar i mirëmenduar dhe i përllogaritur deri në detaj. Grupi i specialistëve të ushtrisë raportonte direkt tek Mehmet Shehu.

“Të gjitha këto ishin porosi të veçanta të Mehmet Shehut, i cili kërkonte përgjigje rreth çdo bashkëpunimi. Kështu ushtria u bë shkollë e veçantë për muratorë, karpentierë, hekurkthyes, suvaxhinj, saldatorë, zjarrmëtarë, mekanikë, elektricistë etj… Kjo bazë u realizua më ndihmën e Kinës. Një nga tezat që Mehmet Shehut ishte që nëse armiku do vinte nga bregdeti ne do të zhvendosemi në male me të gjitha forcat dhe mjetet së bashku me popullin dhe armiku duke mos e kuptuar lëvizjen tonë ne kur nuk e pret do të hapim digat e hidrocentraleve nga veriu në jug ku fushat dhe rrugët automobilistike do të kthehen në det dhe armiku do të ketë humbje të pashmangshme. Kjo ishte teoria ku këmbëngulte Mehmet Shehu”, tregon Bajram Mane.

Hidrocentralet e mëdha të Shqipërisë kishin edhe një histori që ishte po aq sekrete: Secili prej tyre është shndërruar në varrin e më së paku 50 punonjësve. “Sot shumë prej tyre nuk u dihet as varri”, kujton me pikëllim projektuesi i këtyre veprave.

Por madhështia e tyre ishte e dukshme.

Vetëm në digën e Fierzës, ku janë hedhur 8 milionë metër kub zhavorr, hekur, beton, është punuar për shtatë vjet nga një “divizion” prej 2.500-10.000 punonjësish.

Por edhe projektet e këtyre veprave të mëdha ishin një sekret i madh, aq sa edhe të huajt mund t’i vizitonin me leje të posaçme. Vetë projektuesi Hoxha, disa vjet më parë ka treguar brengën e tij se sot është shumë e vështirë të gjesh llogaritjet e këtyre veprave. “Mund të gjesh vetëm vizatimet, por gjithë punën që është bërë nuk mund ta gjesh në asnjë vend. Atëherë ka pas një rregull se një projekt që mbaronte, futej në disa tuba llamarine dhe çoheshin në Arkivin e Shtetit. Ato që ishin në punë e sipër, mbaheshin nëpër institute. Nga viti 1991 që filloi përmbysja çfarë ka qenë brenda në institute është zhdukur”.

Kush ishte Farudin Hoxha?

Farudim Hoxha ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare. Ishte një nga figurat më të rëndësishme të shkencës shqiptare, profesori dhe akademiku Farudin Hoxha, ish-ministër i Ndërtimit në vitet 1982-1988 dhe ministër për Bashkëpunimin me Jashtë deri në vitin 1991.

Akademiku Farudin Hoxha është i njohur si njeriu që udhëhoqi projektimin e veprave më të mëdha hidroenergjetike në vend. Pasi kreu studimin mbi shfrytëzimin hidroenergjetik të lumit Drin, mbi të projektoi Hidrocentralet e Vaut të Dejës, Fierzës e Komanit, Hidrocentralin e banjës, Bistrica II dhe Bogovës si dhe shumë të tjerë të një fuqie më të vogël. Janë pikërisht këto hidrocentrale që edhe sot e kësaj dite përbëjnë bazën e sistemit tonë të furnizimit me energji elektrike.

Ka qenë projektues dhe kryetar i grupit të studimit dhe të projektimit të të gjitha digave të hidrocentraleve të mësipërme, me lartësi nga 40 m deri në 167 m, disa prej të cilave nga Komiteti Botëror i Digave të Mëdha, janë klasifikuar ndër më të lartat në Evropë e më gjerë.

Mund të thuhet me plot gojën se ishte njeriu që solli dritat në shtëpitë tona.

Edhe në ditët e fundit të jetës ai ishte i angazhuar me projekte hidrocentralesh më të vegjël.

PROJEKTET

Veprat më të mëdha të profesorit:

– Hidrocentali i Vaut të Dejës me fuqi 250.000 kW dhe prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike 1 miliard kilovat/orë.

– Hidrocentali i Komanit me fuqi 600.000 kW dhe prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike 2 miliardç kilovat/orë.

– Hidrocentali i Fierzës me fuqi 500.000 kW dhe prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike 1.7 miliardç kilovat/orë.

– Hidrocentali i Banjës me fuqi 60.000 kW dhe prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike 0.25 miliard kilovat/orë.

– Hidrocentali Bistrica II me fuqi 5.000 kW dhe prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike 0.032 miliard kilovat/orë.

– Hidrocentali i Bogovës me fuqi 2.500 kW dhe prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike 0.0125 miliard kilovat/orë.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …