Albert Z. Zholi

Albert Z. Zholi: Historiku i rrallë i RTSH – së, media e parë vizive në Shqipëri II

Radio Tirana sot
Radio Tirana, sot vazhdon të transmetojë 24 orë në 24, me frekuenca që shtrihen në horizont, nga Shqipëria, deri në Amerikën e largët. Ajo i ngjan sërish një aorte gjigante, që përçon oksigjenin e miliona dëgjuesve, nga e gjithë bota. Për fat të mirë, disa prej ikonave të saj, vazhdojnë ende të punojnë në studiot dhe redaksitë e këtij institucioni të madh publik.

Për kureshtje
Ja programi i ditës së dytë të Radio Tirana, 29 nëntor 1938 e botuar në gazetën “Drita”ora 13:00, ora ekzakte, në fjalë me dëgjuesit; 13:10, radiofletore;13:25, muzike e lehtë;14:00, mbyllja e emisionit. Në mbrëmje: ora 19:00, ora ekzakte; 19:02, zoti Rrok Gera, ministri i ekonomisë kombëtare çel vargun e konferencave radiofonike; 19.15, muzikë koncertesh; 20;00, radiofletore; 20.15, muzikë vallëzimi; 20.45, mbyllja e emisionit.

Drejtuesi
Drejtori i Radio Tiranës, u emërua publicisti i njohur, Gjergj Bubani (1894-1954), i ardhur në vitet ’30-të nga Rumania, ku ishte shquar për veprimtarinë e tijë të dukshme atdhetare, sidomos në fushën e gazetarisë me hapjen e një seri gazetash në gjuhën shqipe.
E megjithatë vlen të kujtojmë se fillimet e Radio Tiranës më 1938 lidhen me emra tepër të shquar të kulturës e artit shqiptar të asaj kohe e të viteve të mëvonëshme, të diplomuar në universitetet e konservatorët e Evropës së qytetëruar si Gjergj Bubani, Hamdi Sulçebe, Vasfi Samimi, Marie Paluca, Tefta Tashko, Mihal Ciko, Anton Mazreku, etj, etj…

Thirrja e 7 Prillit
Ishte pikërisht drejtori i Radio Tiranës, Gjergj Bubani, së bashku me Anton Mazrekun dhe Drejtorin e ATSH-së, Mihal Sherko, të cilët iu drejtuan nga Radio Tirana popullit shqiptar që të rrëmbente armët e të ngrihej e të luftonte kudo për të zmbrasur sulmin e pabesë të ushtrisë fashiste më 7 prill të vitit 1939. Një thirrje të tillë i drejtoi popullit shqiptar nga Radio Tirana edhe kryeministri Mehdi Frashëri.
Nga fundi i vitit 1939 Radio Tirana nga studioja e vogël e modeste në një nga sallat e godinës së Bashkisë, kaloi në një ndërtesë të re në rrugën Kont Urani (në kryqëzim të rrugës së Kavajës), e cila u pajis nga specialistë italianë me aparatura nga më modernet e asaj kohe. Sipas një artikulli të gazetës “Fashizmi” të datës 29 dhjetor 1939 me titull “Radio Tirana, kryevepër fashiste”, përfaqësuesi i qeverisë shqiptare Xhafer Ypi dhe Valauri, kryetari i EIAR-it (Ente Italiana Audio Radio), nënshkruan një marrëveshje për instalimin e një stacioni të fuqishëm në Tiranë me fuqi prej 50 kë që do të transmetonte me valë të mesme.
Grupi Filodramatik, kursi për përgatitjen e folësve nga folësja e njohur Kaliopi Plasari, që atëherë quhej shkolla e foljes para mikrofonit, shkolla e përgatitjes së këngëtarëve të rinj e drejtuar nga Tefta Tashko e Tonin Guraziu në bashkëpunim me drejtuesin italian të orkestrës, Mario Etore, qenë ngjarje të rëndësishme të Radio Tiranës. Nisi të funksiononte gjithashtu shkolla e kitarës e më pas shkolla e instrumentistëve për violinë, violinçel. Në këtë shkollë nisën të bënin hapat e parë Nikolla Zoraqi (1929-1991), Ymer Skënderi (1926-1975), Genc Bozdo. Teknikisht radioja u ndihmua nga inxhinieri i njohur italian Antonio Galeaci, i cili qëndroi në Shqipëri edhe pas çlirimit së bashku me Mario Etoren dhe të dy u larguan nga vendi ynë në vitin 1948 duke dhënë një ndihmesë të madhe në ngritjen artistike e teknike të Radios.

Përgatitja e teknikëve
Në bazë të një konkursi të shpallur nga Drejtoria e Radio Tiranës u caktuan disa të rinj që mbaruan një shkollë të specializuar për teknikë radioje në Torino. Midis tyre ishin teknikët e njohur Xhafer Zavalani, Ibrahim Dibra, etj. U zgjeruan orët e programeve. Ato nisnin tani në orën 12.20 e përfundonin në orën 14.30 për të rifilluar në orën 18.20 me emisionet e gjuhëve të huaja, duke përfshirë edhe programe me muzikë shqiptare, madje sipas kërkesës së dëgjuesve të huaj. Këto emisione mbaronin në orën 20.20 për t’ia lënë vendin radiofletores dhe emisioneve të tjera që tani përfundonin në orën 23.00.

Programe të reja
Programet muzikore të këngëtarëve Tefta Tashko, Marie Paluca (Kraja) të shoqëruara në piano nga Lola Aleksi (Gjoka), Tonin Guraziu, Pjetër Dungu, koncertet e grupit toskë, e grupit karakteristik shkodran me këngëtarët Kel Sata e Liza Vorfi si dhe programet e kënduara më pas nga Viktori Xhacka e Behije Çela (Levonja), Merita Sokoli sollën një frymë të re.
“Kronika sportive” e drejtuar nga Anton Mazreku “Ora e fëmijëve” me kallzime, vjersha, monologje e muzikë për fëmijë, interpretuar nga vetë fëmijët i dhanë frymëmarrje radios. Emision i pëlqyeshëm u bë “Ora letrare”, ku lexoheshin dhe diskutoheshin vepra të njohura të letërsisë shqipe dhe letërsisë botërore. Këto emisione përgatiteshin nga shkrimtarë dhe letrarë të rinj ndër të cilët më aktivët ishin shkrimtarët Sterjo Spase (1914-1989), Mustafa Greblleshi (1922-1986) dhe vetë drejtori i Radio Tiranës, Gjergj Bubani.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …